Sonte fillon Kampionati Botëror 2026

TË FUNDIT

Sot nis zyrtarisht Kampionati Botëror 2026, turneu më i madh që ka organizuar ndonjëherë FIFA. Për herë të parë në histori, në garë marrin pjesë 48 kombëtare, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në tre shtete pritëse, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Në total do të luhen 104 ndeshje, duke e bërë këtë edicion më të zgjeruarin që nga themelimi i garës më prestigjioze të futbollit.

Pas katër vitesh pritjeje që nga triumfi i Argjentinës në Katar, emocionet e Kupës së Botës rikthehen sërish, me miliarda tifozë në mbarë globin që do të ndjekin garën për trofeun më të lakmuar në futboll. Ceremonia hapëse do të zhvillohet në stadiumin legjendar “Azteca” të Mexico City, arenë që shkruan edhe një kapitull tjetër historik duke pritur ndeshjen e parë të turneut.

Interesant është fakti se Botërori 2026 është i pari që organizohet nga tre vende njëkohësisht, ndërsa pritet të thyejë rekorde si për numrin e pjesëmarrësve ashtu edhe për shikueshmërinë globale.
Spektakli nis sonte nga ora 21:00 me përballjen mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, në kuadër të Grupit A. Meksikanët, të mbështetur nga publiku vendas në një stadium me mbi 80 mijë tifozë, synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin e tyre në turne, ndërsa afrikanët kërkojnë të befasojnë në ndeshjen që tradicionalisht tërheq vëmendjen e gjithë botës së futbollit.

Dy kombëtaret kanë edhe një histori të veçantë në Kupën e Botës, pasi ishin përballur edhe në ndeshjen hapëse të Botërorit 2010 në Johannesburg, takim që kishte përfunduar baras 1:1. Tani, 16 vjet më vonë, Meksika dhe Afrika e Jugut rikthehen sërish për të ngritur siparin e festivalit më të madh futbollistik në planet.