Gjatë janarit dhe tani në shkurt, kur numri i fëmijëve të prekur me viroza është i lartë, prindërit e Ohrit janë detyruar që fëmijët e tyre ti çojnë në pediatrinë e Strugës, për shkak se tashmë 2 vite ajo në Ohër është mbyllur dhe punon vetëm si ambulantë ditore. Kohë më parë Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali premtoi se do ta kthejnë në funksion pediatrinë në Ohër, duke sjellë specialistë nga qytete të tjera, por kjo nuk ndodhi. Sot tha se personeli mjekësor nuk krijohet brenda natës.
“Personelin mjekësor nuk mund ta japim brenda natës, ajo që për një periudhë 10-12 vjeçare po ndodhte ikja e kuadrit shëndetësor nga sektori shtetërorë në atë privat dhe ikja në pension, ndërsa nuk zëvendësohej me kuadër të ri me specializime, kjo nënkupton se një shëndetësi që ballafaqohet me mungesë kuadri, kjo nuk ndodh vetëm në Ohër por në shumë spitale të vendi, ndërsa ne këtë vit filluam me program të ri ju e dini dy mjekë janë dërguar në specializim nga Ohri”, pohoi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Po situata nuk është më e mirë as në Strugë. Edhe këtu mungojnë specialistë për ta mbajtur të hapur pediatrinë dhe për këtë kanë reaguar edhe vetë mjekët. Në Strugë situata u vështirësua kur përveç fëmijëve nga Ohri, aty çohen edhe nga qytete e vendbanime të tjera, gjë që i rëndon kapacitetet. Drejtori i Spitalit të Strugës, Armend Asllani, shpreson që së shpejti pediatria në Ohër do të vihet në funksion.
“Për momentin kemi mbulesë të shërbimeve ditore në Ohër sa i përket repartit të pediatrisë në të cilën kemi dy specialistë, kemi dy konsultatë por për një periudhë një muaj ose dy muaj do të kemi edhe dy specialistë të tjerë të cilët janë në fazën përfundimtare të transferimit të tyre dhe mendoj se për periudhë të shkurtër do të fillojnë edhe sistemi kujdestarive”, tha Armend Asllani-drejtori i spitalit të Strugës.
Këto komente ministri dhe drejtori spitalit të Strugës i bënë gjatë vizitës në këtë spital dhe furnizimin me një mamograf modern për identifikimin e kancerit në gji.
