Nën moton “Populli i pari” koalicioni VLEN promovoi kandidatin e saj për President, Arben Taravarin, në qytetin nga ku ai vjen dhe është kryetar i Komunës, Gostivar. Taravari u zotua se do të jetë president i të gjithëve.
“Të dashur mendoj se mbaroj koha e presidentëve që u jepnin gërshërë në dorë dhe presin shirita inaugurimi dhe jetojnë mes pallateve të kristalta presidenciale duke humbur çdo lidhje me realitetin, unë dua të jem president i njerëzve, president që përfaqëson intelektualin, profesorin, studentin, mekanikun, mjekun, mësuesin e çdo kë tjetër që nuk ka ikur ende, dua të përfaqësoj shqiptarët, maqedonasit, turqit e çdo etni që ta bëj këtë vend më të bukur, e jo më të ndarë”, tha Taravari.
Në konventën folën edhe krerët e tre partive opozitare, ai i Lëvizjes Demokratike, Alternativës dhe Besës, të cilët kritikuan pushtetin duke akuzuar se po përpiqen ta heshtin popullin.
“Sot vëllai i madh, BDI-ja, partia në pushtet shqiptarëve ua organizon jetën, ua shkruan lajmet, ua shkruan historinë, ua zgjedh mjekët, ua cakton gjyqtarët dhe madje edhe çfarë muzike ua dikton, kush guxon të shkel rregullat e partisë largohet nga puna me montim gjykimesh, me diskreditim në media dhe gjithë këto në emër të kauzës kombëtare”, tha më tej Izet Mexhiti, LD.
“Ata që kanë penguar zhvillimin e shqiptarëve, më nuk do të kenë këtë mundësi! E dinë edhe vetë ata se nuk vlejnë përballë koalicionit VLEN, urime doktor dhe shpresojmë se do të zgjidhesh president”, tha Bilall Kasami, LB.
-Fitoren nuk e sollëm ne, atë e gjetëm këtu në Gostivar. Viti 2024 vjen me një pranverë me dy gara edhe tre fitore, pranverën zgjedhore ka ndodhur me lindjen e koalicionit VLEN, as në ëndrrën më të keqe nuk e kanë besuar, ata që bien e ngrihen duke përçarë e duke rënduar”, tha Afrim Gashi, AAA.
Fjalë përshëndetëse kishte edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Maqedoni Bekim Qoku si dhe Nora Taravari, bashkëshortja kandidatit për president Arben Taravari.
