Policia spanjolle ka konfiskuar narko-nëndetësen e parë në Evropë

TË FUNDIT

Policia spanjolle ka konfiskuar një narko-nëndetëse në jugun e Spanjës, e cila konsiderohet si anija e parë e tillë e ndërtuar në Evropë, kumtoi Europol.

Anija gjysmë e zhytur, e cila kurrë nuk ishte zhytur plotësisht gjatë punës, u gjet në një depo në qytetin bregdetar të Malagës, thuhet në kumtesën e policisë spanjolle.

Hetuesit zbuluan se ishte e pajisur për të transportuar deri në dy tonë drogë. Nëndetëset e tilla përdoren nga trafikantët e drogës për të shmangur zbulimin nga rojet bregdetare dhe autoritetet e tjera.

Anija në Malaga, u zbulua si pjesë e një operacioni të madh që përfshinte policinë nga Kolumbia, Hollanda, Portugalia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe me aktivitete ndërkombëtare të koordinuara nga agjencia evropiane e policisë Europol.

Gjithsej janë arrestuar 52 persona, ndërsa policia bëri bastisje tek 47 shtëpi në Barcelonë, Malaga dhe tetë qytete të tjera spanjolle.

Përveç nëndetëses, ata zbuluan një laborator të përparuar në zonën e Barcelonës, i aftë për të prodhuar 750 kilogramë drogë në muaj, moto-skaf 15 metra të bërë me fije qelqi, 400 kilogramë kokainë, 700 kilogramë hashash dhe mbi 100.000 euro para të gatshme.