Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, është larguar nga banesa e tij dhe aktualisht po qëndron në një bazë ushtarake, për shkak të kërcënimeve të pretenduara nga Irani ndaj jetës së tij. Lajmi është raportuar nga “The New York Times”.
Sipas raportimit, Irani ka intensifikuar përpjekjet për të goditur personelin ushtarak amerikan dhe zyrtarët e qeverisë së SHBA-së. Në tetor, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se, sipas një dokumenti të brendshëm të një zyrtari amerikan përgjegjës për çështjet e inteligjencës dhe sigurisë, planet iraniane kundër amerikanëve kishin arritur në faza të avancuara.
Megjithatë, shkalla e rrezikut konkret ndaj jetës së Bessent nuk është bërë e qartë. Nga ana tjetër, Teherani ka mohuar vazhdimisht se po planifikon sulme ndaj zyrtarëve apo qytetarëve në territorin amerikan. Sipas “New York Times”, administrata Trump vlerëson se kapacitetet e Iranit për të ndërmarrë sulme në shkallë të gjerë në territorin amerikan apo në vende të tjera janë relativisht të kufizuara.
Departamenti amerikan i Thesarit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reuters për koment lidhur me këtë raportim.
Scott Bessent është një nga figurat kryesore të fushatës së administratës Trump për “presionin maksimal” ekonomik ndaj Irani.
Konflikti, i nisur më 28 shkurt, ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga banesat e tyre, si pasojë e bombardimeve në Iran dhe ofensivës izraelite në Liban.
Mes viktimave të orëve të para të sulmit në Iran ishte edhe lideri suprem i vendit, Ali Khamenei, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë iranianë.
