Dy partitë më të mëdha politike në Maqedoni janë për zbatimin e regjistrimit të popullsisë, por secila në mënyrë të vet. Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që regjistrimi të realizohet në mënyrë elektronike, ndërsa monitoring të kryejnë profesorët e Fakultetit për Shkenca Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike.
“Në këtë mënyrë personat profesionistë për baza të të dhënave dhe kryqëzimin e tyre, do të jenë subjektet përgjegjëse të cilat para opinionit do të sigurojnë se regjistrimi është i besueshëm, në vend që të regjistrohen në bazë të linjës politike regjistrues të regrutuar nga LSDM dhe BDI”, deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM thonë se partitë kanë obligim që ta mbështesin regjistrimin e popullsisë.
“Sinjal pozitiv është paralajmërimi i Hristijan Mickoskit se VMRO-DPMNE heq dorë nga ideja për bojkot të regjistrimit të popullsisë i caktuar për në muajin prill. Presim që racionaliteti të mbizotërojë te të gjithë dhe pas 19 viteve RMV të zbatojë regjistrim pa përzierjen e politikës, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, potencoi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
Nga Lidhja Demokratike paralajmërojnë se pa garanci regjistrimi mund të mos ketë sukses.
“Enti shtetëror për statistikë të sigurojë garanci shtesë dhe mekanizma kontrolluese për zhvillim të papengueshëm dhe të paanshëm të regjistrimit, që do të japë pasqyrë të qartë për gjendjen e popullsisë. Për këtë qëllim do të jetë i dobishëm takimi në Enti për Statistika me ekspertë nga të gjithë partitë e interesuara politike që të ketë besim në procesin”, thonë nga Lidhja Demokratike.
Për shkak të gjendjes me virusin korona, përveç masave mbrojtëse, nga Lidhja Demokratike kërkojnë vaksinim të patjetërsueshëm të personave që do të kryejnë regjistrimin.
Pikërisht për shkak të virusit korona, Kroacia e prolongoi regjistrimin e popullsisë – kumtuan sot autoritetet e atjeshme.
Regjistrimi i popullsisë është paraparë që të mbahet nga 1 deri më 21 prill. Sipas paralajmërimeve të ESHS metodologjia në bazë të së cilës do të zbatohet regjistrimi i popullsisë do të bëhet i ditur kah mesi i javës së ardhshme.
