Po përfundon gjysmëvjetori, nxënësit ende pa libra/ Institucionet e arsimit ia hedhin fajin njëra-tjetrës

TË FUNDIT

Pothuajse mbaroi gjysmëvjetori i parë shkollor, nxënësit ende nuk u furnizuan me të gjitha librat.


Mungesë më të madhe kanë nxënësit e klasave të gjashta, por libra mungojnë edhe në gjeneratat tjera.
Drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari” Fitore Qirezi, thotë se nuk di më se si të arsyetohen para prindërve .

“Nuk e di se si të arsyetohemi para kolegëve dhe para prindërve dhe si të gjindemi me librat që mungojnë nëpër klasat e tjera. P.sh. libri i klasës nëntë i gjeografisë, nuk ka fare libër qe 2 vite, jo vetëm një gjysëmvjetor me vonesë, por qe 2 vite nuk ka libër të gjeografisë për klasat e nënta. Pastaj pjesërisht mungon libri i matematikës së klasës së tretë. Klasave të pesta ka mungesë të librave pjesërisht, Histori dhe Shoqëri. Por kryesisht domethënë ballafaqohemi me mungesën e teksteve.”- deklaroi Fitore Qirezi drejtoreshë e shkollës fillore “Adem Jashari”.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, fajin e hedh tek drejtorët e shkollave të cilët, sipas tij nuk i kanë dorëzuar të dhënat e sakta deri te ministria.

“Të gjithë librat e klasave të gjashta ju kisha lutur t’i verifikoni në shkollat në institucionet arsimore, drejtorët e papërgjegjshëm nëse ka raste në situata të këtilla, sepse në vendin tonë janë shpërndarë 1 milion e 600 mijë libra që nuk kanë qenë si asnjëherë me parë. Për atë arsye… Po lirisht shihni cili drejtor nuk i ka dërguar të dhënat ashtu siç duhet siç e ka pasur numrin e nxënësve, dhe mund të jenë raste individuale për të cilat duhet të marrim masa patjetër, por librat të gjitha janë shpërndarë sipas informacioneve të cilat i kam unë.”- tha Jeton Shaqiri Ministër i Arsmit dhe Shkencës.

Për ato lëndë që nuk ka libra, nxënësit janë të detyruar të mësojnë vetëm nga shënimet që i marrin në fletore gjatë orës mësimore.
E derisa institucionet e hedhin fajin te njëra tjetra, nxënësit edhe për një kohë do të mbeten pa libra. Ndryshe nxënësit nga Maqedonia në testimet e PISA-së treguan rezultat shumë të dobët.