Pjesa kontinentale e Kinës do të vazhdojë të zbatojë 10 masat e shpallura në prill, për të nxitur shkëmbimet dhe bashkëpunimin përgjatë Ngushticës së Tajvanit, përfshirë ndihmën për fermerët dhe peshkatarët tajvanezë, që të zgjerojnë shitjet e tyre në kontinent, deklaroi të mërkurën një zëdhënës.
Chen Binhua, zëdhënës i Zyrës për Çështjet e Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, tha në një konferencë të rregullt për shtyp se masat e shpallura më 12 prill, kanë ndihmuar në zgjerimin e kanaleve të shpërndarjes për pomelot, frutat “custard apple” (anonat) dhe produkte të tjera bujqësore nga Tajvani.
Këto përpjekje bazohen në respektimin e “Konsensusit të vitit 1992” dhe në kundërshtimin e “pavarësisë së Tajvanit”, duke synuar përmirësimin e jetesës së popullit tajvanez, theksoi Chen.
Në mesin e tetorit, rreth 350 tonë prodhime deti karakteristike nga Tajvani mbërritën në Xiamen, në provincën Fujian të Kinës Lindore, tha Chen. Pak më vonë, u hap një qendër ekspozimi dhe shitjeje për produktet e peshkimit nga Tajvani, së bashku me një treg për prodhimet e detit nga të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit dhe një ekspozitë mbi kulturën e peshkimit.
Chen u shpreh se pjesa kontinentale e Kinës ka adresuar gjithashtu shqetësimet e komuniteteve të peshkimit në Tajvan, duke organizuar takime biznesi dhe ceremonitë e nënshkrimit të marrëveshjeve, duke thjeshtuar procedurat doganore dhe duke mbështetur pjesëmarrjen në panaire tregtare.
Gjatë tre tremujorëve të parë të këtij viti, importet e produkteve bujqësore nga Tajvani në pjesën kontinentale të Kinës u rritën me 18.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa importet e produkteve të peshkimit u rritën me 35.5%, tha ai.
Pjesa kontinentale e Kinës do të vazhdojë të ndajë mundësitë e zhvillimit me bashkatdhetarët tajvanezë dhe të ndihmojë në zgjidhjen e vështirësive praktike, theksoi Chen.
Synimi është t’u mundësohet njerëzve në të dyja anët e Ngushticës të përfitojnë më shumë nga bashkëpunimi ekonomik e tregtar, zhvillimi i integruar, si dhe të gëzojnë një jetë më të mirë, shtoi ai.
