Përplasje për investimet në Tetovë! BDI akuzon shumicën parlamentare, VLEN kundërpërgjigjet

TË FUNDIT

Ndërtimi i stadiumit të Tetovës, teleferikut dhe rikonstruksioni i objekteve historike shkaktuan përplasje mes dy subjekteve politike, BDI dhe VLEN. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, akuzoi se shumica parlamentare ka refuzuar amendamentet e tyre për të siguruar mjete për këto projekte përmes ribalancit të buxhetit.

 “Ata refuzuan 250 milionë denarë për përfundimin e stadiumit të Tetovës, një projekt i shumëpritur nga sportdashësit dhe rinia e qytetit, të cilin kryetari i Komunës, Bilall Kasami e shndërroi në një mashtrim të madh parazgjedhor. Ata refuzuan 620 milionë denarë për teleferikun për Kodrën e Diellit, një projekt që do të çlironte trafikun në dimër dhe do të zhvillonte turizmin malor. Refuzuan gjithashtu edhe 50 milionë denarë për restaurimin e Kalasë së Tetovës dhe Teqesë “Arabati Baba që njëherit janë trashëgimi kulturore dhe historike”, tha Rina Ajdari – Deputete e BDI-së.

Por, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i quajti komike akuzat, pasi siç theksoi, BDI kishte 20 vite mundësi për t’i realizuar këto projekte.

 “Për të mos qen tragjike është komike. Patën mundësi 20 vite pushtet qendror, pushtet lokal  dhe vetëm kur kjo qeveri, ky pushtet lokal kanë marr hapa konkret në drejtim të investimeve që bëhen  në të dy projektet kapitale për Tetovën. Më konkretisht stadiumi i qytetit po ndërtohet me dinamikën e paraparë duke respektuar edhe afatet e kontratës për përmbylljen e kontratës në stadium. Sa i përket teleferikut ardhja e kësaj qeverie në bashkëpunim e komunën për herë të parë po bën të munduar edhe investimin serioz në Kodër të Diellit që nuk do të jetë vetëm teleferiku, do të jetë një investim që kodrën e diellit do e bëj një qendër mondane turistike”, shtoi Bilall Kasami – Kryetra i Komunës së Tetovës.

Ndryshe, Komuna e Tetovës vitin që kaloi nisi punimet për rindërtimin e stadiumit me mjete të veta. Në bazë të kontratës stadiumi duhet të përfundojë në vitin 2027 dhe kap vlerën prej 10 milionë eurosh.