Përpjekje për rritje të shumicës parlamentare, opozita pohon se është e konsoliduar dhe nuk do të humbin deputetë

TË FUNDIT

Kreu i Lëvizjes Besa, njëherazi edhe deputet, Bilall Kasami, mbrëmë në ClickPlus pohoi se së shpejti deputetë të opozitës, qoftë asaj të bllokut maqedonas ose atij shqiptar, mund t’i bashkohen shumicës parlamentare.

 “Nuk janë vetëm fjalë boshe, përkundrazi ne kemi komunikim me të gjithë deputetët dhe unë besoj se shpejt mund të ketë edhe lëvizje të tilla, jo për të larguar nga një subjekt, apo për të përkrahur një subjekt tjetër por do të ketë lëvizje në drejtim të përkrahjes së shumicës parlamentare sepse vlerësoj se kjo qeveri do të duhet të ecë përpara proceset eurointegruese”, tha Bilall Kasami – Kryetar i Lëvizjes Besa.

Partnerët e koalicionit konfirmojnë se ka përpjekje që deputetë opozitarë mund të bëhen mbështetës të shumicës. Kreu i grupit parlamentar të BDI-së, Izet Mexhiti, tani për tani as nuk pohon e as nuk mohon informacione të tilla, por konfirmon se ka përpjekje.

TV21: BDI a bën bisedime të tilla me deputetë opozitarë? Apo është LSDM-ja që bën këtë?

Izet Mexhiti: Kjo është jetë parlamentare, janë krejt grupet parlamentare këtu, komunikimi është i vazhdueshëm, pra nuk e mohoj që edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka biseda të tilla”.

 “Shumë deputetë që i njohim politikat e përparimit dhe të cilët duan të marrin pjesë në procesin eurointegrues vetë afrohen dhe flasim për planet e ardhshme. Jam i sigurt se ka edhe nga ata që shkojnë edhe drejt deputetëve të Besës. Kur të ketë vendime konkrete opinioni do të jetë i informuar”, theksoi Jovan Mitrevski nga LSDM.

E deri sa maxhoranca zotohet në rritjen e shumicës parlamentare, opozita thotë se nuk është bërë ndonjëherë pengesë e ligjeve që kanë të bëjnë me rrugën eurointegruese të Maqedonisë, andaj edhe koordinatori i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, as nuk e kupton se ku do ti gjejë shumica ata deputetë opozitarë?!

 “Nuk pres që të ketë diçka të tillë sepse vetëm para pak ditësh të gjithë 44 deputetët dhanë mbështetje për grupin parlamentar dhe mua si koordinator, me nënshkrimin e tyre, se mbeten deputetë në Grupin Parlamentar. Se ku do t’i gjejë ata deputetë z.Bilall Kasami, duhet ta pyesni atë!”, u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

As deputetët e koalicionit Alternativa-Aleanca për Shqiptarët nuk kanë ndonjë arsye për të lëvizur nga grupi parlamentar, shprehet koordinatori i tyre Skënder Rexhepi. Zotohet se grupi do të mbështesë çdo nismë apo ligj që do të jetë në shërbim të qytetarëve.

TV21: Pra nuk mund të pritet që ndonjë deputet i koalicionit tuaj deklarativish të dalë dhe të thotë që unë nga sot mbështes shumicën, edhe pse jam pjesë e këtij koalicioni?

Skender Rexhepi: “Jo, ajo është vetëm një dëshirë e thatë e atyre të cilët synojnë. Deputetet e koalicionit “Tash është koha” nuk janë në listë në bazë të shantazheve apo presioneve por janë në listë në bazë të bindjeve të tyre, që lidhen me qëllimet programore dhe idealet politike, kështu që asnjë arsye nuk kanë se pse duhet ta sjellin në vendim të tillë”.

Për momentin shumica parlamentare përbëhet nga 62 deputetë, që e bën shumë të brishtë edhe për ligje që për të kaluar u duhet shumicë e thjeshtë prej 61 votash deputetësh.

Kjo u vërtetua jo më larg se mbrëmë, kur deputetit Bilall Kasami e kishte patjetër të qëndronte në seancë kuvendore për të votuar ligjin për arsim, e që solli vonesën e tij prej rreth 20 minutave në emisionin ClickPlus në TV21. Po të mos ishte vota e tij, ligji nuk do të kalonte.