Kreu i partisë opozitare Hristijan Mickoski, është i gatshëm të kërkojë falje për të kaluarën por edhe të ofrojë zgjidhje për qytetarët. Kreu opozitar është u drejtuar qytetarëve duke i ftuar ata që të dielën të dalin në votime dhe të japin votën për kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska.
“Unë si njeri nuk turpërohem të kërkoj falje për gabimet e të kaluarës, për të cilat jam i sigurt se kanë qenë të shumta, por edhe të ofrojmë zgjidhje për qytetarët për të ardhmen e atdheut tonë… Gordana Siljanovska-Davkova është zgjidhja. Vota për të është votë për njeri të ndershëm, një grua me kredibilitet. Kemi shansin që presidenti të jetë ruajtës i interesave të Republikës Maqedonisë dhe çdo njeri të saj”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ka ftuar qytetarët që të votohet kandidati i tyre konsensual dhe se kjo parti ka siguruar 100 deri në 150 mijë votues që jam të sigurt se do mbështetin Stevo Pendarovskin për president.
“BDI-ja dhe unë si lider i saj atë që mendoj dhe e bëj, nuk flas bosh. Kandidati konsensual u negociua, sepse jo vetëm në interes të maqedonasve, por edhe të shqiptarëve, e mbështetëm këtë koncept. Nëse në fillim unë kam qenë skeptik se koncepti do të mbështetet nga shqiptarët, tani jam i sigurt se votuesit janë më të qartë se çfarë do të thotë kjo. BDI ka nga 100 deri në 150.000 votues dhe jam i sigurt se të gjithë e kuptojnë idenë dhe do të mbështesin kandidatin e konsensual”, theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga partia Alternativa e Afrim Gashit, thonë se të dielën shqiptarët e vulosin të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
“Duke e votuar Stevo Pendarovskin, ne praktikisht dëshmojmë se në cilën anë jemi dhe çfarë ardhmërie duam t’u sigurojmë brezave tanë. Ashtu siç e kemi thënë në fushatë, ne jemi të sinqertë me votuesin tanë dhe nuk dëshirojmë të luajmë me standarde të dyfishta”, potencoi Orhan Murtezani, zëdhënës i Alternativës.
Një ditë më parë kandidati për president që mori pjesë në raundin e parë, Blerim Reka, përmes Fejsbukut u shpreh se të gjithë ata që më kanë votuar mua se është e drejtë e tyre që të vendosin kujt do ia japin votën e tyre në raundin e dytë. Edhe dy partitë opozitare Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë theksuar që të dalin në votime të dielën për të shprehur sovranitetin e tyre, pa precizuar se cilin kandidat.
Përgatiti: Zimer Jashari
