Për shkak të Transparency International, VMRO-DPMNE do të dorëzojë interpelancë ndaj Nikollovskit dhe Mariçiqit

TË FUNDIT

Maqedonia është vend të cilin Evropa e sheh si një vrimë të zezë. Sipas VMRO-DPMNE-së në vendin tonë ka administratë të partizuar, prokurori të politizuar dhe gjyqësor të kapur. Siç thonë, pikërisht këto janë arsyet për rënien në listën e Transparensi Interneshënall për Indeksin e Korrupsionit. Paralajmërojnë interpelancë ndaj zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski dhe ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq.


“Për më shumë se një vit nuk ka epilog për aferën më të madhe zhvatëse në Evropë. Bojan Jovanovski, të cilin të gjithë e pamë me çantë të mbushur me të holla, në sallën gjyqësore tha se paratë nga reketi të kërkohet nga Zoran dhe Vice Zaevi, kurse Prokuroria ende nuk i ka marrë në pyetje. Të gjithë e pamë Den Donçevin, si e mbush çantën me para, kurse Prokuroria Publike duhej të paktën të niste një hetim lidhur me atë – ku kanë përfunduar këto të holla…”, tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.

Megjithatë, para disa muajve, shefja e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskoska, deklaroi se është hapur hetim kundër Den Donçevit. Ai si drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor, ka marrë të holla për shërbime këshilluese, por nuk i ka paraqitur si të ardhura shtesë.

Sa i përket rastit “Reket”, Bojan Jovanovski u dënua me 9, kurse ish-prokurorja speciale, Katica Janeva me 7 vite burg. Por, zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, në emisionin e mbrëmshëm “10 Minuta” të TV21, deklaroi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit tashmë ka nisur, edhe pse është luftë e vështirë. Shton se gjatë viteve të kaluara në Maqedoni ka pasur një person i cili ka qenë edhe gjykatës, edhe prokuror. Lëndët që janë mbajtur në sirtar, po zbulohen tani.

Në raportin e fundit të Transparensi Interneshënall, Maqedonia ra në vendin e 111-të në listën për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Ambasadorja amerikane në Shkup Kejt Meri Bërns, në Fejsbuk shkroi se raporti i fundit i Transparensi, është një sinjal i qartë se lufta kundër korrupsionit mbetet një detyrë mjaft e rëndësishme për Maqedoninë.