Kallëzim penal ndaj ish-kryetares së Komisionit për kanabisin mjekësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë

TË FUNDIT

MPB njofton se është parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shën Nikollë ndaj D.P. (39) nga Shkupi, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”, përcjell TV21. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, D.P., gjatë periudhës nga 18 nëntori 2022 deri më 21 gusht 2024, në cilësinë e kryetares së Komisionit për vlerësimin e përmbushjes së kushteve për hapësirë, pajisje dhe staf për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, dyshohet se nuk ka vepruar me përgjegjësi gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Ajo, edhe pse sipas Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope ishte e obliguar të organizonte të paktën dy kontrolle gjatë periudhës nga mbjellja deri në korrje, nuk ka organizuar dhe nuk ka kryer kontrolle inspektuese te një person juridik në Shën Nikollë, që merrej me prodhimin e kanabisit mjekësor.

Nga MPB bëjnë të ditur se, pavarësisht njoftimeve të dorëzuara nga kompania gjatë viteve 2022 dhe 2023, e denoncuara nuk ka ndërmarrë kontrollet e parashikuara me ligj, duke i mundësuar subjektit juridik të realizojë prodhim të tepërt prej 56 kilogramësh kanabis. Teprica e prodhimit është konstatuar në një procesverbal pas kontrollit të kryer më 19 shkurt 2025.