AI filloi të zgjidhë probleme matematikore, por shkencëtarët paralajmërojnë: “Kjo mund të rrënojë vetë bazën e shkencës”

TË FUNDIT

Inteligjenca artificiale po përballet gjithnjë e më mirë me detyra komplekse matematikore, por pikërisht ky përparim po ngre pyetje serioze në komunitetin shkencor. Njëzet e pesë matematikanë të shquar, mes tyre edhe fitues të Medaljes prestigjioze Fields, paralajmërojnë se gara për të arritur rezultate sa më shpejt mund të dëmtojë vetë bazën e matematikës si disiplinë shkencore.

Paralajmërimi përfshihet në një deklaratë të hapur të publikuar në platformën “Math and AI”, si reagim ndaj polemikave të fundit rreth pretendimeve se sistemet e inteligjencës artificiale kanë zgjidhur disa nga problemet më komplekse matematikore.

Autorët vlerësojnë se në zhvillimin e AI-së po krijohet një hendek i rrezikshëm mes synimeve të kompanive teknologjike dhe mënyrës se si komuniteti matematikor tradicionalisht ndërton njohuritë.

Në vend të kuptimit të problemit, verifikimit të metodave dhe ndërtimit gradual mbi njohuritë e mëparshme shkencore, gjithnjë e më shumë theksi po vihet te prodhimi i shpejtë i rezultateve, pavarësisht nëse ato janë plotësisht të sakta apo jo.

Nuk mjafton që makina të japë përgjigjen e saktë

Matematika nuk bazohet vetëm te rezultati përfundimtar. Për shkencëtarët është po aq e rëndësishme mënyra se si është arritur te rezultati, cilat metoda janë përdorur, nëse prova mund të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe se si njohuria e re përshtatet me njohuritë ekzistuese.

Pikërisht këtu, sipas nënshkruesve të deklaratës, shfaqet një nga problemet më të mëdha të përdorimit masiv të AI-së.

Gara mes algoritmeve për zgjidhjen e problemeve matematikore lë gjithnjë e më pak hapësirë për analizë të detajuar të metodave, diskutime me shkencëtarë të tjerë dhe lidhje të duhur me hulumtimet e mëparshme.

Kjo ngre gjithashtu pyetje për autorësinë, plagjiaturën dhe mbrojtjen e punës intelektuale.

Në rrezik mund të jetë edhe procesi arsimor. Tradicionalisht, njohuritë matematikore transmetohen gradualisht – përmes përvetësimit të ideve, metodave dhe abstraksioneve, diskutimit dhe thjeshtimit të koncepteve komplekse, e më pas përmes përcjelljes së tyre te brezat e rinj të studentëve.

Nëse AI-ja fillon të prodhojë në mënyrë masive zgjidhje pa shpjegime të qarta dhe pa procesin njerëzor të verifikimit dhe kuptimit, shkencëtarët frikësohen se do të dëmtohet edhe ky zinxhir i transmetimit të njohurive.

Sipas tyre, problemi nuk qëndron te vetë teknologjia. Përkundrazi, inteligjenca artificiale mund të bëhet një mjet i fuqishëm për përshpejtimin e kërkimeve dhe zbulimin e lidhjeve të reja matematikore.

Rreziku shfaqet kur mjeti fillon ta zëvendësojë procesin shkencor, në vend që t’i shërbejë atij.

Shkenctarët kërojnë reagim urgjent

Autorët e deklaratës vlerësojnë se për pasojat e këtij ndryshimi nuk mund të vendosin vetëm kompanitë që zhvillojnë sistemet e inteligjencës artificiale.

Nevojitet një reagim i koordinuar nga komuniteti matematikor, sektori teknologjik dhe shoqëria në përgjithësi, pasi të njëjtat probleme së shpejti mund të shfaqen edhe në fusha të tjera të punës intelektuale.

Pyetja kryesore nuk është nëse AI-ja mund të zgjidhë një problem matematikor. Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se mundet.

Pyetja është se çfarë do të mbetet nga procesi shkencor nëse makina prodhon rezultate më shpejt sesa njerëzit mund t’i verifikojnë, kuptojnë, shpjegojnë dhe t’i shndërrojnë ato në njohuri të qëndrueshme.

Kjo nuk është hera e parë që matematikanët paralajmërojnë për nevojën e vendosjes së rregullave. Në fillim të verës u nënshkrua edhe e ashtuquajtura “Deklarata e Leidenit”, pasi një model i AI-së nga “OpenAI” zgjidhi në mënyrë autonome një problem të lidhur me matematikanin Paul Erdős.

Por, në vend që gara të ngadalësohet, zhvillimi po vazhdon me një ritëm edhe më të shpejtë.

Pikërisht për këtë arsye, autorët e deklaratës së re kërkojnë reagim urgjent – përpara se aftësia e makinave për të prodhuar rezultate matematikore të bëhet më e rëndësishme sesa kuptimi njerëzor i asaj që këto rezultate në të vërtetë nënkuptojnë.