Google ndërton qendër të dhënash në Austri që do të shpenzojë energji sa e gjithë Vjena, aktivistët kundërshtojnë zgjerimin

TË FUNDIT

Gjiganti amerikan i teknologjisë Google po ndërton një qendër të madhe të të dhënave në periferi të fshatit të vogël austriak Kronstorf, rreth dy orë me makinë nga Vjena. Nëse projekti realizohet dhe zgjerohet plotësisht, kompleksi mund të konsumojë deri në 7 për qind të energjisë elektrike në Austri, që është më shumë se konsumi i të gjitha familjeve në kryeqytetin Vjenë së bashku.

Ndërtimi ka shkaktuar kundërshtim të madh nga banorët lokalë. Një grup shkencëtarësh, artistësh dhe aktivistësh ka nisur një fushatë me protesta dhe peticione për të parandaluar zgjerimin e planifikuar. Harald Milner, ekspert i IT-së nga qyteti i afërt i Linzit dhe një nga themeluesit e aleancës lokale kundër objektit, thotë se qëllimi i tyre është t’ia vështirësojnë investitorit realizimin e planeve dhe të tregojnë qartë se publiku nuk i mbështet ato.

Kundërshtimi në Kronstorf është pjesë e një vale më të gjerë pakënaqësie në Evropë dhe SHBA. Në SHBA, demokratët po e përdorin revoltën qytetare kundër qendrave të të dhënave në fushatën para zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa presidenti Donald Trump ka dalë në mbrojtje të sektorit teknologjik, duke argumentuar se komunitetet që kundërshtojnë projekte të tilla përfundimisht do të mbeten prapa dhe më të varfra. Protesta kundër kapaciteteve të ngjashme po zhvillohen edhe në Francë dhe Itali, ndërsa në Irlandë, ku këta serverë konsumojnë rreth një të pestën e energjisë elektrike të vendit, përpjekjet për bllokimin e tyre përmes gjykatave kanë dështuar.

Në kundërshtim me shqetësimet e aktivistëve, qeveritë evropiane po përpiqen të lehtësojnë zhvillimin e kësaj infrastrukture, të shqetësuara se kontinenti po mbetet prapa SHBA-së dhe Kinës në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Bashkimi Evropian parashikon trefishimin e kapaciteteve të qendrave të të dhënave deri në vitin 2035. Sekretarja shtetërore austriake për Energjinë, Elisabeth Zehetner, tha se nuk mund të kërkohet njëkohësisht sovranitet në fushën e inteligjencës artificiale dhe të vendosen vazhdimisht pengesa të reja për infrastrukturën mbi të cilën ajo mbështetet.

Ekologët lokalë paralajmërojnë se projekti paraqet rreziqe serioze për mjedisin. Ekologia e ujërave të ëmbla, Christina Gruber, thotë se qendra të tilla masive, për nga natyra e tyre, nuk janë të qëndrueshme, duke iu referuar zënies së tokës pjellore, konsumit të madh të energjisë dhe nevojës për ujë për ftohje. Për ftohjen e serverëve parashihet përdorimi i ujit nga lumi Enns, ndërsa uji i ngrohur më pas do të kthehet në rrjedhën e lumit. Sipas aktivistëve, kjo mund të shkaktojë stres termik dhe të dëmtojë botën e gjallë në lumë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Google për komunikimin evropian lidhur me infrastrukturën teknike, Michiel Salaets, thotë se kompania po merr masa për të kompensuar ndikimin në mjedis. Ai theksoi se çatia do të mbulohet plotësisht me panele fotovoltaike, do të krijohet një fond për përmirësimin e ekosistemit të lumit, ndërsa raportet e pavarura të ekspertëve kanë treguar se ndikimi në temperaturën e lumit Enns është i papërfillshëm. Salaets shtoi se kompania ka përfunduar të gjitha procedurat ligjore të parapara dhe synon të veprojë si fqinj i mirë dhe transparent.

Ajo që shkakton pakënaqësi te kundërshtarët e projektit është fakti se, sipas legjislacionit austriak, qendra të tilla nuk i nënshtrohen detyrimisht një vlerësimi gjithëpërfshirës të ndikimit në mjedis, ndryshe nga ndërtimi i turbinave të erës, për të cilat një vlerësim i tillë është i detyrueshëm. Socialdemokratët, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës, së bashku me të Gjelbrit në opozitë, kërkojnë ndryshime ligjore që edhe këto kapacitete të pajisen me leje mjedisore. Megjithatë, Partia Popullore, nën kompetencën e së cilës është Ministria e Energjisë, nuk e pranon vendosjen e rregullave shtesë.

Konsumi i energjisë mbetet argumenti kryesor i aktivistëve. Sipas të dhënave të rrjetit austriak të transmetimit të energjisë elektrike, në fazën e parë objekti do të ketë një kërkesë prej 150 megavatësh, me konsum vjetor prej 1.31 teravat-orësh. Nëse projekti zgjerohet, kërkesa do të arrijë në 500 megavatë, ose 4.4 teravat-orë në vit, duke tejkaluar konsumin e përgjithshëm të rreth dy milionë banorëve të Vjenës, të cilët konsumojnë rreth 3.4 teravat-orë në vit.

Edhe pse Austria e siguron pothuajse 90 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, pjesa më e madhe vjen nga hidrocentralet, të cilat janë të ndjeshme ndaj thatësirave. Kjo u dëshmua edhe këtë verë, kur prodhimi ra me një të tretën. Eksperti Christoph Dolna-Gruber nga Agjencia Austriake për Energji thotë se, nëse prodhimi nga burimet e rinovueshme nuk e ndjek rritjen e konsumit, çmimi i energjisë elektrike natyrisht do të rritet, siç ka ndodhur tashmë në Irlandë dhe SHBA. Përveç kësaj, kompleksi nuk do të jetë plotësisht pa gjurmë të karbonit, pasi Google planifikon instalimin e gjeneratorëve të mëdhenj me naftë për furnizim në rast të ndërprerjeve të sistemit, të cilët duhet të testohen rregullisht.

Aktivistët kundërshtojnë edhe faktin se një lokacion me terren të përshtatshëm të rrafshët, qasje në lumë dhe një nënstacion të fuqishëm elektrik i është dhënë një gjiganti të huaj, ndërsa fitimet do të largohen jashtë Austrisë. Ministria austriake e Ekonomisë është përgjigjur se projekti siguron investime të rëndësishme, kontrata për kompanitë vendase dhe zhvillimin e infrastrukturës për inteligjencën artificiale dhe kompjuterizimin në cloud, ndaj refuzimi i përgjithshëm i investimeve të tilla nuk është i arsyeshëm.

Meqë punimet ndërtimore në Kronstorf tashmë kanë nisur, aktivistët pranojnë se ndalimi i fazës së parë është i vështirë për t’u realizuar. Për këtë arsye, ata po e përqendrojnë vëmendjen te parandalimi i zgjerimit, me synimin që kundërshtimi i tyre të shërbejë si paralajmërim për të gjitha projektet e ngjashme që mund të zhvillohen në të ardhmen në Austri.