Dyshime për ndotje të ujit në Gostivar, MPB: Ujësjellësi dhe komuna dyshohet se injektuan në rrjet ujë nga ujërat e zeza

TË FUNDIT

Pas raportimeve për ndotje të ujit në Gostivar, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se institucionet kompetente janë në terren dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit, përcjell TV21. Sipas Policisë, dyshohet se NP “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me komunën e Gostivarit, kanë vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin.

“Më 16.07.2026 rreth orës 18:20, inspektorët nga Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar, duke vepruar sipas udhëzimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, morën masa dhe aktivitete urgjente në terren në fshatin Vrutok, për shkak të dyshimit për ndotje të ujit me të cilin furnizohet qyteti i Gostivarit. Ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin. Ky aktivitet me sa duket është ndërmarrë me qëllim të rritjes së presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, me çka rrezikohet drejtpërdrejt shëndeti i qytetarëve të Gostivarit. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale „ndotje e ujit të pijshëm“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal. Në zbardhjen e këtij rasti, përveç policisë dhe prokurorisë, menjëherë janë përfshirë edhe Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar i cili duhet të bëjë një vlerësim profesional të sistemit të vendosur në mënyrë të paligjshme”, thonë nga MPB.

Ndryshe, më herët gjatë ditës së sotme nga Prokuroria Themelore njoftuan se po ndërmerren veprime në lidhje me kontrollin e cilësisë së ujit në Gostivar.

“Me urdhër të prokurorit publik po ndërmerren veprime pas një kallëzimi të paraqitur lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm”, thonë nga Prokuroria Themelore.