“Mesazhi është se ka pakënaqësi. Ka pakënaqësi nga funksionarë të pushtetit lokal dhe qendror. Unë isha i parë që e ka pranuar këtë mesazh. Jo vetëm që e pranova, por edhe u kthej: patjetër se do të ketë spastrim dhe patjetër se do të “pastrojmë”, tha Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Pasi e përfundoi fjalimin e tij para qytetarëve të Komunës së Karposhit dhe pasi paralajmëroi se do të ketë spastrime, Zoran Zaev, si dhuratë mori një fshesë.
“Si njeriu i parë dhe i vetëm që ka dhënë dorëheqje nga arsye morale, kam edhe obligim moral që ta jap këtë fshesë për “spastrimin” që duhet bërë”, u shpreh Aktori dhe ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë.
Fshesa është e lirë, tha Dragan Spasovski, duke shtuar se më me gjasa do të shërbejë. Por, a bëhet fjalë për fshesën apo për diçka tjetër? Kjo nuk është hera e parë Zaevi të paralajmërojë shkarkim të funksionarëve, si shenjë vërejtjeje për ata që ushtrojnë funksione të larta. Këtë e porositi edhe në vitin 2017, menjëherë pas konstituimit të kabinetit qeveritar.
“U bëj thirrje funksionarëve më të lartë, atyre që janë pas tyre, si dhe atyre që ushtrojnë funksione më të ulëta, të kujdesen për qytetarët sepse do të ketë dorëheqje dhe shkarkime”, potencoi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Kur opinioni publik kërkonte përgjigje nga një pjesë e ministrave të tij, ai dinte edhe t’u dalë në mbrojtje. I tillë ishte rasti me zëvendëskryeministrin Koço Angjushev, pas skandalit me dhënien e granteve nga Fondi për inovacione, ku fituese ishte kompania e tij. Në aso kohe, për Zaevin mjaftonte vetëm kompania në fjalë të tërhiqet nga konkursi, por jo edhe zëvendëskryeministri të mbajë përgjegjësi për këtë.
“Pse të kërkojmë dorëheqje? Nëse kërkojmë dorëheqje ashtu për ashtu, pastaj do mendohemi ku të gjejmë njerëz për t’i angazhuar në pushtet”, deklaroi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, por edhe lideri i opozitës Hristijan Mickoski, u prononcuan nëpërmjet rrjeteve sociale lidhur me “fshesën” e Zaevit. Të dy porositën se “peshku qelbet nga koka”, duke aluduar se pikërisht njeriu i parë i Qeverisë është ai i cili duhet të mbajë përgjegjësi. Përveç disa ndryshimeve në postet ministrore që janë bërë me kërkesë të partive si pjesë e negociatave, para së gjithash për formimin e shumicës parlamentare, nuk ka pasur ndonjë rikonstruim apo shkarkime më të mëdha në Qeveri, edhe pse Zaevi e paralajmëronte këtë disa herë.
Përgatiti: Edin Rastoder
