Për 5 ditë inspektorët kanë kryer mbi 1300 kontrolle, janë mbyllur 5 objekte hotelerie

TË FUNDIT

Gjatë periudhës prej 9 deri 13 prill, inspektorët në Maqedoni të Veriut kanë realizuar 1319 kontrolle.

514 inspektime janë realizuar nga Inspektorati i tregut, të cilët kanë vërejtur lëshime dhe si pasojë kanë mbyllur 5 objekte hotelerie në Shkup.

Është vlerësuar se pjesa dërmuese e marketeve nuk kanë ndryshuar çmimet.

“Konstatimi është se pjesa më e madhe e tregtarëve i respektojnë vendimet për ngrirje të çmimeve, kurse atje ku është vërejtur rritje është dhënë urdhër deri te subjektet që të kthehen çmimet e verifikuara më 11 mars”, tha Filipovska – Grashkoska, njofton TV21.

Nga Agjencia për ushqim dhe veterinari gjatë kontrolleve kanë vërejtur lëshime në mungesën e realizimit të trajnimeve bazike për ushqim të sigurt.

“Janë parashtruar dy masa për trajnime të njohurive bazike për ushqim të sigurt dhe janë dhënë 9 vendime për konstatim të kushteve të këqija higjienike, ndërkaq është parashtruar edhe gjobë për lëshim në shitje të një produkti me afat të skaduar”, tha më tej Filipovska – Grashkoska.

Është vërtetuar gjithashtu se transporti ndërurban mbetet i reduktuar, ndërkaq ai ndërkombëtar është ndërprerë tërësisht.

Nga Agjencia e barërave, MALMED nuk kanë vërejtur lëshime në barnatore dhe është konstatuar se në to mbahet rendi për të respektuar distancën fizike.