Për 1 ditë Covid-19 u merr jetën 12 personave! 132 raste të reja, riinfektohen 2 infermiere nga spitali i Kumanovës

TË FUNDIT

Për katër muaj janë shënuar 6209 raste me Covid-19 në vendin tonë. E më shumë se gjysma e të prekurve janë raste aktive, edhe atë gjithsej 3484. Në 24 orët e fundit janë infektuar 132 persona me virusin korona, ndërkaq 12 persona e kanë humbur betejën me Covid.

Përsëri numri i rasteve të reja është i përqendruar në kryeqytet, ku janë shfaqur 57 raste.

Ministria e Shëndetësisë:

Në 24 orët e fundit 132 raste të reja me Covid-19.

Shkup – 57, Tetovë – 19, Shtip – 13, Kumanovë – 10, Dibër – 1, Prilep – 7, Gostivar – 6, Ohër – 5, Veles – 4, Strugë – 3, Probishtip – 2, Sveti Nikollë – 2, ndërsa Manastiri, Kavadari dhe Resnja  nga 1 të infektuar.

12 pacientë kanë humbur betejën me Covid-19

112 persona janë shënuar si të shëruar nga korona.

Virusi është ende aktiv thotë Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, mirëpo ende nuk është vërtetuar  nëse personat e shëruar mund të riinfektohen. Kjo u ka ndodhur dy punonjëseve shëndetësore në Spitalin e Kumanovës, të cilat edhe pse para dy muajve e kanë kaluar virusin, përsëri u janë shfaqur simptoma dhe dyshohet se kanë koronën. Sipas Filipçes bëhet fjalë vetëm për një rast, i cili ende nuk është verifikuar.

“Ka një rast në Kumanovë që, i cili duhet të verifikohet. Megjithatë nëpër botë ka pasur raste të verifikuara. Se përse ndodh kjo, shkenca ende nuk mund ta shpjegojë sakt. Ka disa informacione jo zyrtare se bëhet fjalë për njëfarë mutacioni të virusit. Çfarë forme mutacioni është, më i rëndë apo më i lehtë, ende nuk ka dëshmi”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Filipçe porositi që personat e infektuar të cilët janë në karantinë shtëpiake të marrin terapi vetëm në konsultim me mjekët amë. Përndryshe në Qendrën Covid-2, apo Kozle janë shtruar 20 pacientë të infektuar. Ministri i Shëndetësisë thotë se ka ende kapacitete nëpër spitale për të pranuar pacientë të tjerë.