Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, në shoqërim të ministrit për politikë sociale, Fatmir Limani, kryetarin e komunës së Çairit Visar Ganiu dhe deputetin Bekim Sali, vizituan klubin e pensionistëve në Fushë Tophanë të Çairit. Nikoqirët i gostitën mysafirët me nga një çaj.
Ky klub i pensionistëve në Fushë Tophanë, është e vetmja në tërë Çairin. Pensionistët thonë se ata që banojnë në Gazi Babë ose Seravë, e kanë të vështirë të vijnë deri këtu. Kërkojnë të ketë më tepër klube, veçanërisht tek Parku i Çairit.
-Ne kemi dhe obligime tjera por kur kemi kohë vijmë këtu me kolegët pensionistë, bisedojmë, ashtu, mirë është…
Sa klube të pensionistëve ka në Çair, a ka nevojë më tepër të ketë?
-Po, ka nevojë. Momentalisht në Çair ka vetëm dy, një është ky dhe një në Xhon Kenedi atje, kemi nevojë edhe për nja dy për shembull në lagjen e Seravës, Gazibabës.
-Sigurisht se shoqërohen më tepër, dhe do të ishte shumë mirë. Për këtë unë e potencova, kërkoj tek tribunat tek parku se ne njihemi këtu, krejt pensionistët mblidhen aty në dimër mblidhen luajnë domina, shah, vetëm aty ka mbet s’kemi tjetër, ajo është e hapur. Po të kemi ndonjë vend më të madh, do të ishte shumë më mirë.
-Në përgjithësi e shfrytëzon, kush do me ardhur prej pensionistëve, çaj, kafe, me luajt domino, me luajt shah, e kështu me radhë. Mirë është që të kemi edhe atje ndonjë klub, edhe në Serovë, edhe në Gazi Babë, edhe në Çair, sidomos rreth parkut.
Zv.kryeministri Mexhiti i njoftoi pensionistët se në Qeveri kanë marrë vendim për rritje të pensioneve në shumë prej 5000 denarëve.
“Me datë 28 qershor në seancën qeveritare vendosëm që të rrisim pensionet për 5000 denarë. Faza e parë prej 2500 denarëve do të fillojë nga shtatori i këtij viti, ndërsa faza e dytë plus 2500 denarë nga muaji mars i vitit të ardhshëm. Por kjo nuk është e gjitha, në të ardhmen e afërt do të angazhohemi që në mënyrë lineare ta rrisim edhe më shumë sepse pensionistët e meritojnë”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër i parë.
Por sa e rëndësishme është rritja e pensioneve në vlerë prej 5000 denarëve? Pensionistët thonë se me këtë do të gëzohen veçanërisht ata me pensione minimale.
-Në përgjithësi për pensionistët ka rëndësi. 5000 denarë nuk janë shumë por nuk janë edhe pak. Për ata që e kanë pensionin minimal, ata do të gëzohen. Pasi shkon në mënyrë lineare është mirë. Është pozitive.
-Ishalla jemi shëndosh e mirë, tash sa ta rritin aq, mirë faleminderit edhe atë që e japin faleminderit.
-Do të ishte shumë më mirë që ata që i kanë pensionet shumë të ulëta, sidomos popullata jonë, me ju rritë më shumë, shtatë apo tetë mijë. Por edhe kjo nuk është keq.
Përndryshe rritja e pensioneve do të realizohet në dy faza. Rritja e parë do të realizohet në muajin shtator të këtij viti, ndërsa rritja tjetër do të realizohet në muajin mars vitin e ardhshëm. Rritja e pensioneve ishte prioritet kyç për Qeverinë e re dhe e njëjta u miratua qysh në seancën e parë qeveritare më 28 qershor.
