Pendarovski: Nëse opozita e tanishme vjen në pushtet, do të respektojë Marrëveshjen e Prespës

TË FUNDIT

Mendoj se kushdo që të jetë në qeverinë e ardhshme nëse do të jetë fare në një-dy vitet në vijim, tjetër nga kjo e tanishmja, mendoj se nuk do të luajë me integrimin tonë evropian. Kjo thjeshtë nuk do t’i lejohet jo nga faktori ndërkombëtar, por nga qytetarët, tha mbrëmë presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për TV21.

“Vlerësimi im nga kjo pozitë, është se kahja strategjike, edhe gjatë ndryshimit të mundshëm të pushtetit, nuk do të ndërrojë. Sepse mendoj se lidhur me dokumentin kyç i cili na i hapi dyert e Evropës, flas për Marrëveshjen e Prespës, nëse opozita e tanishme vjen në pushtet, do të sillet njëjtë apo ngjashëm si “Demokracia e Re” në Greqi. Unë kur fola me Micotakisin, ai thotë se po të kishte qenë në vendin e Ciprasit, nuk do ta kishte nënshkruar marrëveshjen. Tha se nuk mundet të mos e respektojë marrëveshjen, edhe pse nuk e dëshiron. Prandaj edhe unë mendoj se nuk duhet të luajmë me këtë, dhe nuk do të luhet kushdo që të vijë në pushtet”, tha Pendarovski.

Shtoi se akoma, me të gjitha uljet e euroentuziazmit, i cili, siç thotë, është i dukshëm në të gjitha anketat, akoma numri dominues i qytetarëve të vendit janë për atë kahe.