Pemëtarët prisnin që komisioni të dalë në terren / Komuna nuk formoi sepse u paraqitën vetëm katër, premton ndihmë

TË FUNDIT

Kanë kaluar 20 ditë që kur bujq nga komuna e Tetovës raportuan se pemët e tyre janë dëmtuar nga ngricat dhe 20 ditë që kur kryetari i komunës Bilall Kasami premtoi se komisioni do të dalë në terren për të vlerësuar dëmet pasi bujqit t’i kishin paraqitur në komunë.

“-A do të del komisioni në terren? 

-Nëse do të ketë kërkesa formale komisioni do të duhet të dal në terren”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Bujqit ankohen se edhe pse i kanë paraqitur dëmet në komunë, asnjë komision nuk ka dalë për t’i vizituar.

“E kemi pritur, nuk ka qenë askush dhe ne kemi shpresa se mos do të dalë ose mos do të na ndihmojë komuna ose qeveria diçka. Nuk e di dëmet i shihni edhe vetë nuk ka asgjë, ne nga këto mbijetojmë. Nëse nuk ka asnjë ndihmë, duhet t’i lëmë të gjitha dhe s’dimë kah të shkojmë, se nga këto i kemi të ardhurat”, tha Ibrahim Fejzullahu, pemëtar.

Nga komuna thonë se komision nuk është formuar pasi sipas tyre, dëme kanë paraqitur vetëm katër pemëtarë. Premtojnë se atyre do t’u ndahet ndihmë financiare përmes këshillit komunal.

“Aktualisht vetëm katër persona kanë paraqitur kërkesa për dëmshpërblim si pasojë e ngricave  të shkaktuara nga moti i keq. Për shkak të numrit të ulët të aplikimeve, nuk është formuar komisioni për vlerësimin e dëmeve. Megjithatë, si komunë, jemi të përkushtuar të mbështesim qytetarët dhe po shikojmë mundësinë e kompensimit të dëmeve përmes ndihmës financiare të siguruar nga këshilli komunal”, theksuan nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë se temperaturat e ulëta në mes të prillit dëmtuam pemët që sa kishin nisin të lulëzojnë. Pemëtarët pretendojnë se mollët dhe pemët tjera janë dëmtuar 40 deri në 60%, ndërsa qershitë dhe vishnjat 100%. Komunat tjera, si ajo e Resnjës, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe dolën për të bërë vlerësimin e dëmeve.