Zbulohet anija më e vjetër në botë e fundosur diku në Turqi

TË FUNDIT

Arkeologët thonë se mbetjet e anijes më të vjetër në botë janë zbuluar në brigjet e Turqisë.

Sipas tyre, anija daton të jetë nga 4.400 deri në 4.700 vjet e vjetër, periudhë që përkon me Epokën e Hershme të Bronzit. Ajo i përket afërsisht të njëjtës kohë kur po ndërtohej Piramida e Madhe e Gizës.

Struktura prej druri e anijes nuk ka mbijetuar, por enët prej qeramike që ajo transportonte kanë mbetur në fund të detit, dhe çuditërisht, në disa prej tyre ruhen ende gjurmë të përmbajtjes që kishin brenda. 

Arkeologët kanë thënë se ajo ishte anije tregtare që transportonte mallra përmes Detit Mesdhe, shkroi BBC. 

Mbetjet e anijes u gjetën në brigjet e ishullit Kekova në Antalia të Turqisë. Ato shtrihen vetëm 30 metra nën det. 

Zbulimi në Kekova tani renditet në krye të listës së anijeve më të vjetra të gjetura në botë, apo çka ka mbetur nga to.