Paralajmërohet investim prej 74 milionë eurosh për rindërtimin dhe zgjerimin e Spitalit Klinik të Tetovës

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, së bashku me zëvendësministrin Jovica Andovski, drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Zlatko Perinski, kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, një delegacion të Bankës Botërore dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, vizituan sot Spitalin Klinik të Tetovës. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.

Siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë, gjatë takimit u prezantua koncepti për rindërtimin e plotë, zgjerimin dhe modernizimin e spitalit. Vlera e parashikuar e investimit është 4,56 miliardë denarë, ose rreth 74 milionë euro, ndërsa modeli përfundimtar i financimit do të përcaktohet pas përgatitjes së analizave të nevojshme dhe zbatimit të procedurave të parapara.

Projekti parashikon rindërtimin dhe modernizimin e bllokut kirurgjik dhe atij internistik, ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore, një objekt të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji, furnizimin me pajisje moderne mjekësore dhe sisteme të teknologjisë së informacionit, largimin e objekteve të amortizuara, si dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.

Ministri Klekovski theksoi se kjo është një investim në dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve, si dhe në krijimin e kushteve më të mira për punonjësit shëndetësorë.

“Qëllimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe të gjithë rajonit të Pollogut të marrin shërbime moderne dhe në kohë, sa më afër vendbanimit të tyre”, deklaroi Klekovski.

Sipas tij, investimi është me rëndësi të drejtpërdrejtë për rreth 251.500 banorë të rajonit të Pollogut dhe pritet të mundësojë më shumë shërbime të qasshme në nivel lokal, ulje të kohës së pritjes dhe më pak nevojë për dërgimin e pacientëve në Shkup.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Bankës Botërore shqyrtuan hapat e ardhshëm për realizimin e projektit, përfshirë përgatitjen e studimit të fizibilitetit, hartimin e dokumentacionit teknik, analizën e kostove dhe përfitimeve, si dhe përcaktimin e një modeli të qëndrueshëm financimi.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se, në bashkëpunim me Fondin për Sigurim Shëndetësor, Komunën e Tetovës dhe udhëheqësinë e Spitalit Klinik të Tetovës, do të sigurojë koordinim, transparencë dhe mbështetje institucionale në të gjitha fazat e realizimit të projektit.

“Një Spital Klinik modern në Tetovë nënkupton një sistem shëndetësor rajonal më të fuqishëm dhe shërbime shëndetësore më cilësore e më afër qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.