Pamje shqetësuese në një shkollë në Shkup, arsimtari rrah nxënësin, drejtoresha e paraqit rastin në polici

TË FUNDIT

Tërheqje për veshi, shuplakë dhe ngritje në ajër. Janë këto pamje shqetësuese që vërshuan sot nëpër rrjetet sociale.
Fëmija ndaj të cilit është ushtruar dhunë është nxënës i klasës së 7-të, ndërsa mësimdhënësi që e ka goditur është arsimtar i gjuhës angleze. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, në shkollën fillore “Panajot Ginovski” në Butel.
Rastin e tillë, drejtoresha e shkollës, Qamurane Rexha menjëherë dje e ka paraqitur në polici. Thotë se pamjet e tilla shqetësuese edhe ajo i ka parë në videon që ia kanë dërguar kolegët. Por se si ka ndodhur rasti dhe përse ka ardhur deri tek dhuna, drejtoresha nuk ka informacione.

“Nuk e di si ka ndodhur rasti. Në ora 16.30, kur u ktheva prej pune, kolegët ma dërguan videon. Nga videoja e njoha arsimtarin, u shqetësova shumë, menjëherë ndërmora masat dhe rastin e paraqita në polici. Ende jam shumë e shqetësuar”.

Drejtoresha është e re në postin e drejtorit, ndërsa arsimtari tani e disa vite vepron në atë shkollë. Pyetëm drejtoreshën Rexha se çka do të ndodhë tani e tutje me arsimtarin dhe se a do të shkarkohet nga puna?

“Drejtoresha e shkollës na tha që në asnjë mënyrë nuk do të tolerojë dhunë në shkollën që ajo e drejton. Punën e parë që ajo do ta bëj të hënën është të thirre Komisionin disiplinor dhe do të veprojnë sipas asaj që e thotë ligji”, raporton gazetarja e TV21, Valmira Zendeli.

Nga MPB konfirmuan rastin, ndërsa shtuan se po presin denoncim zyrtarë nga drejtoresha e shkollës me çka menjëherë do të ndërmarrin masa mbi rastin. Sipas ligjit për arsim fillorë, çdo punonjës i shkollës është i detyruar të kujdeset për interesin më të mirë të nxënësit dhe të respektojë dinjitetin e tij/saj, si dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Është e ndaluar abuzimi fizik, psikologjik dhe seksual, e ndaluar është ndëshkimi i nxënësit dhe trajtimi poshtërues ndaj tij.