Mijëra palestinezë të zhvendosur kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Trupat izraelite nisën të tërhiqen nga pjesë të Gazës.
Forcat izraelite thanë se marrëveshja e armëpushimit ka hyrë në fuqi në orën 11:00, sipas kohës në Kosovë. Të premten, Qeveria e Izraelit miratoi armëpushimin me Hamasin duke i hapur rrugë tërheqjes së pjesshme të trupave dhe ndërprerjen e luftimeve.
Hamasi pritet t’i lirojë 20 pengje të gjalla brenda 72 orësh dhe pas kësaj, Izraeli do t’i lirojë 250 palestinezë që kanë qenë duke vuajtur dënime të gjata në burgjet izraelite dhe 1.700 të arrestuar të tjerë gjatë luftës në Gazë.
“Është vetëm një vendim i marrë; do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet më tej, por shpresoj të mbajmë edhe një takim të përbashkët me Sindikatën e Kulturës,” deklaroi ministri i Kulturës Zoran Lutkov, pasi para dy ditësh Sindikata njoftoi se kishte marrë vendimin e parë gjyqësor nga 800 paditë e paraqitura për shkak të uljes së pagave të punëtorëve të kulturës.
“Ne jemi takuar disa herë gjatë kësaj periudhe me Sindikatën e Kulturës të Republikës së Maqedonisë dhe me SASHK-un dhe kemi biseduar, kemi hapur çështjet jo vetëm për pagat, por kemi përpjekur të hapim edhe çështje të tjera nga Marrëveshja Kolektive për të përmirësuar situatën. Por ende nuk kemi përgjigje për çështjet e tjera; tani vetëm ky aspekt është i rëndësishëm, për pagat”, tha Zoran Lutkov.
TURIN, ITALY - SEPTEMBER 27: Edon Zhegrova of Juventus runs with the ball during the Serie A match between Juventus FC and Atalanta BC at Allianz Stadium on September 27, 2025 in Turin, Italy. (Photo by Chris Ricco - Juventus FC/Getty Images)
Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të kualifikimeve për Botërorin 2026, duke u përballur me Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Takimi fillon në orën 20:45 sipas orës lokale.
E për këtë ndeshje, klubi i ri i Edon Zhegrovës, Juventus ka bërë një postim në gjuhën shqipe, duke i uruar Zhegrovës fat në ndeshje.
Ndeshja zhvillohet në kuadër të Grupit B, ku bëjnë pjesë edhe Zvicra dhe Suedia. Aktualisht, Kosova renditet në vendin e dytë me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6, ndërsa Sllovenia ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve të para.
Në gusht të këtij viti janë lëshuar 280 leje për ndërtim, që është për 1,8 % më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë, përcjell TV21. Më së shumti leje – 179 – kanë të bëjnë me ndërtim të lartë, ndërsa rajoni juglindor është në krye me 61 leje të lëshuara, para rajonit të Pollogut me 60 dhe rajonit të Shkupit me 46.
Vlera e parashikuar e objekteve arrin mbi 5,2 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 8% në nivel vjetor. Në gusht është planifikuar ndërtimi i 646 banesave me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 64 mijë metra katrorë, që është rritje prej 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./tv21.tv
Shijoni ndeshjen — Me këto fjalë selektori Blagoja Milevski sonte në orën 20:45 do t’i dërgojë futbollistët në terren kundër Belgjikës. Në konferencën për media një ditë para kësaj ndeshjeje, nuk e humbi rastin t’i lavdërojë futbollistët. Është krenar që udhëheq një grup i cili gjithmonë angazhohet dhe me krenari e mban fanellën kombëtare. Kur gazetarët e pyetën për Belgjikën, edhe pse Maqedonia është lidere në tabelë, tha se kundërshtari mbetet favorit në këtë ndeshje. Duhet të luhet me kujdes, duhet të luhet me disiplinë, dhe vetëm si një kolektiv dhe përfaqësuese e plotë mund të arrihet rezultat pozitiv.
Mbrojtësi Musliu gjithashtu tha se nëse e përsërisim lojën nga Shkupi, me disiplinë, në mbrojtje, në mesfushë, madje edhe në sulm, atëherë mund të shpresojmë për rezultat pozitiv. Ja një pjesë nga deklaratat e tyre në konferencën për shtyp.
“Duhet të jem krenar dhe i kënaqur me gjithçka që tregojnë. Sigurisht që energjia dhe fryma ekipore që mbizotëron aktualisht në ekipin tonë është forca lëvizëse që na çon përpara dhe drejtimi në të cilin duhet të lëvizim edhe në të ardhmen. Respekt maksimal për ekipin e Belgjikës, i cili ende është favorit në grupin tonë, me një përbërje të jashtëzakonshme lojtarësh, por nga ana tjetër, ne ende po e jetojmë ëndrrën tonë, shpresoj që sa më gjatë të mbetemi konkurrues në këto kualifikime e pastaj do të shohim si do të përfundojë”, tha Blagoja Milevski – Selektor.
Ajo 1 me 1 nga Shkupi jep shpresë për rezultat pozitiv. Çfarë do të jetë përfundimi, do ta mësojmë sonte diku pas orës 22:30. Të shpresojmë për rezultat pozitiv dhe qëndrimin në vendin e parë. Nga Genti, për TV21, Edin Rastoder.
Tri ditë pas atentatit me armë zjarri, doktori Zekirja Shaini u kthye në vendngjarje. Ai demanton se bashkëshortja e tij Arjeta Adili ishte porositësja për vrasjen e tij, pasi e njëjta u arrestua nën dyshimin se ka lidhje me atentatin.
“Tërësisht i hedh si të pabaza dhe të pavërteta pretendimet se pas këtij akti qëndron zonja ime Arjeta Adili, andaj urgjentisht kërkoj nga organet hetuese që të sqarojnë situatën rreth zonjës time të përfshirë në këtë rast nga ana e tyre, duke respektuar privatësinë familjare”, tha Zekirja Shaini, mjek.
Shaini u bën thirrje autoriteteve ta kapin autorin e sulmit, L.F. 36 vjeç nga Gostivari.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesi duke iu bërë thirrje që të merren me zbulimin e të dyshuarit të vërtetë të rastit, e jo këtë çështje ta paraqesin si mosmarrëveshje apo ngatërresë familjare se po të ishte ashtu siç u tha në opinion, unë kurrë nuk do të bashkëjetoja me zonjën”, shtoi Zekirja Shaini, mjek.
Shaini, që po ashtu është edhe bartës i listës së AKI-së për këshilltarë të Likovës, ripërsëriti se sulmi nuk ka motive politike, ndonëse ka rastisur të jetë në mes të fushatës zgjedhore.
“Apel edhe politikës që ngutet para organeve kompetente për të paraqitur këtë rast si ngatërresë familjare. Jo vetëm rastin tim, por edhe gjitha rastet e këtilla të mos t’i shohin në syrin e fitimit të poenëve politik, mu në këto momente të zhvillimit të fushatës parazgjedhore me rastin e zgjedhjeve lokale”, u shpreh Zekirja Shaini, mjek.
Përndryshe, të martën në mes të ditës, vetëm pak hapa nga stacioni policor në Kumanovë ndodhi një sulm me pistoletë 9mm, ku i dyshuari i maskuar gjuajti në drejtim të veturës t; cil;s po i jepte dotori Shaini. Policia është në ndjekje të autorit L.F. 36 vjeç nga Gostivari, ndërsa bashkëshortja e viktimës A.A. 43 vjeçe nga Tetova me banim në Sllupçan, një ditë pas sulmit u privua nga liria si e dyshuar për bashkëpunëtore në sulm. Policia e Kumanovës ka ngritur kallëzim penal ndaj dy të dyshuarve. Autori është në arrati, ndërsa e dyshuara, sipas policisë porositëse, po hetohet në liri.
Për porosi të produkteve nga “Temu” dhe dyqanet e ngjashme online me vlerë prej 1.000 denarësh, së shpejti do të paguani plus 180 denarë ose 3 euro më shumë. Do të paguhet 18% TVSH për porositë nga jashtë që janë nën 22 euro, të cilat deri tani ishin të përjashtuara. Kjo do të thotë shtrenjtime për të gjitha produktet që deri tani nuk tatoheshin. Qeveria ka dorëzuar propozim në Kuvend për ndryshime të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Për ekspertët, ndryshimet janë të mira për të mbrojtur kompanitë vendase.
“Megjithatë janë të mira, të gjitha me qëllim të ndalen paligjshmëritë që ndodhin. Por të kuptohemi, unë nuk jam kundër liberalizimit të ekonomisë për shkak se qytetarët mund të blejnë produkte me çmime më të ulëta. Duhet të kihet kujdes për cilat produkte bëhet fjalë, të gjitha me qëllim që të mos dëmtohen firmat vendase, dyqanet vendase të cilat tashmë raportojnë se janë mjaft të dëmtuara nga importi nga Temu”, tha Nasir Selimi, Profesor Universitar.
Taksa nuk do të paguhet për paketë të dërguar si dhuratë, por me kusht që të mos kushtojë më shumë se 22 euro dhe të mos jetë alkool, parfum ose cigare. Sipas ministrisë së financave, ndryshimet ligjore kanë për qëllim mbështetjen e ekonomisë vendase dhe kompanive. Thonë se rreth 65.000 euro në muaj, sa arrin në disa periudha qarkullimi drejt platformave të huaja online, do të riorientohen drejt ekonomisë vendase.
“Këto mjete do të kontribuojnë për zhvillimin e kompanive lokale, hapjen e vendeve të reja të punës dhe pagimin e pagave më të larta për të punësuarit. Ndryshimet do të ndihmojnë në uljen e ekonomisë gri, duke pasur parasysh se sistemi aktual lejonte keqpërdorime – domethënë importin e mallrave të përjashtuara nga taksa që më pas shiteshin në tregun vendas”, thonë nga Ministria e Financave.
Ndryshe, vetëm në qershor, qytetarët e Maqedonisë kanë porositur 250 ton mall përmes Temu-s. Nga këto, 95 ton ishin me vlerë nën 22 euro dhe për to nuk është paguar asgjë. Për mallrat e mbetura, shteti ka arkëtuar mbi 680 mijë euro detyrime. Transaksionet totale online të qytetarëve në gjysmën e parë të këtij viti janë rritur për 34,3% dhe arrijnë 456,3 milionë euro. Importi nga Kina deri në gusht të këtij viti është rritur për 15,7%, ose në vend ka hyrë mall kinez me vlerë rreth 800 milionë euro. Sipas praktikës aktuale për dërgesa deri në 22 euro nuk paguhen detyrime, nga 22 deri në 45 euro paguhet vetëm TVSH, dhe mbi 45 euro llogariten edhe dogana edhe TVSH.
Po ulet mosha mesatare e grave me kancer të gjirit – sëmundja po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe te gra vetëm 25-vjeçe, alarmojnë mjekët. Sipas tyre, diagnostikimi i hershëm është çelësi për trajtim të suksesshëm, por kontrollet duhet të jenë të rregullta dhe të plota. Ekografitë parandaluese rekomandohen pas moshës 20-vjeçare, veçanërisht për gratë me rrezik gjenetik.
“Nëse më parë mosha mesatare ishte 45 deri në 50 vjeç, tani ajo është nga 25 vjeç e lart. Mesatarisht, preken gra 35 deri në 40 vjeç. E dini kur ndodhin gabimet? Kur gratë mendojnë se nëse bëjnë vetëm një kontroll me ultrazë, aty mbaron ekzaminimi. Jo! Ekzaminimi përfundon vetëm kur bëhen të dy kontrollet së bashku – si ultrazëri ashtu edhe mamografia – sepse njëri nuk e përjashton tjetrin. Të dyja plotësojnë njëra-tjetrën”, tha Dr. Gabriela dimova, specialiste radiologe.
Komisioni Rregullator për Energjetikë i ka dhënë kompanisë “Energo Solar Systemi” licencat e para për sisteme baterish për ruajtjen e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme. Bëhet fjalë për dy sisteme me fuqi të përgjithshme prej 2.600 kilovatësh, të vendosura në kuadër të dy centraleve fotovoltaike që tashmë janë në funksion, përcjell TV21. Kryetari i KRrE-së, Marko Bislimoski, deklaroi se kjo shënon fillimin e një cikli të ri investimesh në energjetikë dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik.
Bislimoski pret rritje të interesit nga pronarët e centraleve solare dhe nga kompanitë që do të ishin operatorë të pavarur të depozitave me bateri, gjë që do të kontribuojë në një sistem energjetik më të qëndrueshëm, efikas dhe stabil në vend.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët. Siç njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, ky memorandum vendos bazat për thellimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese të të dyja vendeve.
Memorandumi u nënshkrua nga kryetarët e dy gjykatave, Darko Kostadinovski dhe Nexhmi Rexhepi, dhe është rezultat i komunikimit konstruktiv dhe të suksesshëm deri më tani. Qëllimi i tij është të mundësojë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve, avancimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e praktikës gjyqësore dhe vendimeve të marra.
“Në kuadër të bashkëpunimit parashikohet organizimi i konferencave shkencore të përbashkëta, seminareve dhe trajnimeve profesionale, si dhe shkëmbimi i përvojave, praktikave gjyqësore, rezultateve hulumtuese dhe literaturës relevante. Kjo krijon një platformë për mbështetje të ndërsjellë dhe shkëmbim të praktikave të mira në fushën e gjyqësorit kushtetues”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Kushtetuese.
Memorandumi i nënshkruar hyn në fuqi menjëherë dhe do të jetë i vlefshëm për pesë vjet, me mundësi për vazhdim pas skadimit të kësaj periudhe.