Sot shpallet fituesi i Nobelit për Paqe, Trump sërish në qendër të vëmendjes

0

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen do të shpallet sot, dhe Donald Trump dhe administrata e tij e kanë bërë të qartë vazhdimisht se besojnë që presidenti amerikan e meriton çmimin.

Trump ka bërë fushatë për Çmimin Nobel për vite me radhë, që nga mandati i tij i parë, kur tha se “shumë njerëz” mendojnë se ai e meriton atë.

Në shkurt të këtij viti, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, ai tha: “Ata kurrë nuk do të më japin Çmimin Nobel për Paqen. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin”.

Pasi Izraeli dhe Hamasi miratuan fazën e parë të planit të paqes të Trump të enjten, njerëzit që festonin në rrugët e Tel Avivit filluan të bënin thirrje që presidenti i SHBA-së të merrte këtë çmim prestigjioz.

Por pse mendon ai se duhet ta fitojë, kush e ka nominuar dhe cilat janë shanset e tij?

Pse mendon Trump se duhet ta fitojë Çmimin Nobel?

Donald Trump ka theksuar vazhdimisht se mendon se e meriton Çmimin Nobel për Paqen sepse, sipas tij, luajti një rol të rëndësishëm në ndalimin e disa luftërave.

Gjatë një samiti me udhëheqësit ukrainas dhe evropianë më 18 gusht, ai tha: “Unë luftova gjashtë luftëra, i përfundova gjashtë luftëra. Nëse shikoni gjashtë marrëveshjet që arrita këtë vit – të gjitha ishin në gjendje lufte. Unë nuk bëra armëpushim”.

Të nesërmen, në një intervistë me Fox News, ai e korrigjoi numrin në shtatë luftëra. Ai e përsëriti këtë pretendim muajin e kaluar, duke thënë se “askush nuk ka bërë ndonjëherë diçka të ngjashme me këtë”.

Dr. Samir Puri, drejtor i Qendrës për Qeverisje Globale dhe Siguri në Chatham House, i tha më parë Sky News: “Ka një absurditet në pretendimet e Trump, por si me shumë nga pretendimet e tij, ndonjëherë ka një grimcë të vërtete të fshehur brenda këtij absurditeti”.

Ai sugjeroi që ekziston një “ndryshim i madh midis ndalimit të konfliktit në një afat të shkurtër dhe adresimit të shkaqeve rrënjësore të konfliktit”, dhe se ndërhyrjet e Trump shpesh përbëjnë “menaxhim konflikti” dhe jo zgjidhje të tij.

A është nominuar Trump?

Afati i fundit për nominimet për Çmimin Nobel për Paqen të këtij viti ishte 31 janari, pak pasi Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë dy mandateve të tij në Zyrën Ovale, ai u nominua për këtë çmim më shumë se 10 herë – nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri kamboxhian Hun Manet, një politikan ukrainas, si dhe ligjvënës nga SHBA-ja, Suedia dhe Norvegjia.

Megjithatë, një nominim nuk garanton që dikush do të bëhet kandidat zyrtar dhe komiteti i çmimeve nuk publikon një listë kandidatësh para se të shpallet fituesi. Ata deklaruan se këtë vit u nominuan gjithsej 338 kandidatë – 244 individë dhe 94 organizata.

Nuk është e qartë nëse ndonjë nga nominimet e Trump mbërriti para afatit të janarit.

200 trupa amerikane do të vendosen në Izrael për mision monitorimi

0

Shtetet e Bashkuara po zhvendosin deri në 200 ushtarë, të cilët tashmë janë të stacionuar në Lindjen e Mesme, për t’u vendosur në Izrael me qëllim koordinimin e operacionit, njoftuan përfaqësues amerikanë.

Ushtria amerikane do të krijojë një Qendër për Koordinimin Civil-Ushtarak në Izrael, ku do të përfshihen rreth 200 trupa. Në këtë qendër do të marrin pjesë edhe përfaqësues të disa vendeve arabe dhe myslimane, përfshirë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, të cilët do të monitorojnë zbatimin e armëpushimit dhe do të raportojnë shkeljet e mundshme.

Sipas raportimeve të BBC-së, përfaqësuesit amerikanë kanë theksuar se asnjë ushtar amerikan nuk do të hyjë në Rripin e Gazës. Grupi punues do të udhëhiqet nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e bazuar në rajon, dhe do të ketë për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, si dhe të koordinojë shpërndarjen e ndihmës humanitare.

Nëse shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve përfundon me sukses, synimi është që më pas të krijohet një “Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit”, megjithatë një marrëveshje përfundimtare për këtë ende nuk është arritur ndërmjet palëve.

Kroçiera luksoze “Seven Seas Grandeur” zbarkon në Durrës, me 728 persona në bord

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë pamje nga kroçiera “Seven Seas Grandeur”, e cila sot ka zbarkuar në Portin e Durrësit, përcjell TV21. Rama thotë se kjo tregon që Durrësi po konfirmohet si një destinacion i rëndësishëm mesdhetar.

“Në kalatën 5 të Portit të Durrësit është ndalur sot për herë të parë kroçiera luksoze “Seven Seas Grandeur”, me 728 vizitorë në bord, kryesisht nga SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Brazili, Gjermania, Spanja e Japonia, Durrësi po konfirmohet si një destinacion i rëndësishëm mesdhetar për kroçierat ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.

Mot stabil dhe temperatura në rritje ditëve në vijim

0

Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 6 deri në 11 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 13 deri në 22 gradë Celsius.

Në Shkup moti do të jetë kryesisht me diell me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie në 11 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 20 gradë.

Në ditët në vijim vijon periudha e motit kryesisht stabil me rritje të temperaturës së ditës. Të shtunën do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit përkohësisht erë e përforcuar veriore.

Qeveria e Izraelit miratoi planin e Trumpit për armëpushim në Gazë

0

Qeveria e Izraelit e ka ratifikuar mëngjesin e së premtes një marrëveshje për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas, duke hapur rrugën për ndalimin e luftimeve në Gazë brenda 24 orëve dhe lirimin e pengjeve izraelite nga enklava palestineze brenda 72 orëve.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Kabineti izraelit e miratoi marrëveshjen rreth 24 orë pasi ndërmjetësit njoftuan arritjen e saj. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe fillimin e tërheqjes graduale të trupave izraelite nga Gaza, sipas nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gazë.

“Qeveria sapo ka miratuar kuadrin për lirimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më X.

Lufta në Gazë e ka thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit dhe ka tronditur Lindjen e Mesme, duke u shndërruar në konflikt rajonal që ka përfshirë Iranin, Jemenin dhe Libanin. Ajo gjithashtu ka vënë në provë marrëdhëniet SHBA-Izrael, pasi Trumpi duket se ka humbur durimin me Netanyahun dhe e ka shtyrë atë të arrijë marrëveshje.

Izraelitët dhe palestinezët shprehën ngazëllim të madh pas njoftimit të marrëveshjes, e cila është hapi më i madh deri tani drejt përfundimit të një lufte dyvjeçare që ka lënë mbi 67.000 palestinezë të vrarë, si dhe për kthimin e pengjeve të fundit që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmeve vdekjeprurëse në Izrael që ndezën luftën.

Shefi i Hamasit për Gazën, i cili jeton në mërgim, Khalil Al-Hayya, tha se ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetës të tjerë se lufta ka përfunduar.

Një zëdhënës i Qeverisë izraelite deklaroi se armëpushimi do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve nga miratimi i marrëveshjes. Pas këtij afati 24-orësh, pengjet e mbajtura në Gazë do të lirohen brenda 72 orëve.

Besohen 20 pengje izraelite janë ende gjallë në Gazë, ndërsa 26 të tjera mendohet se kanë vdekur, dhe fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur.

Hamasi ka thënë se tërheqja e trupave të të vdekurve mund të zgjasë më shumë se lirimi i të gjallëve.

Pasi të ketë filluar zbatimi i marrëveshjes, kamionë me ushqim dhe ndihma mjekësore do të hyjnë masivisht në Gazë për t’i ndihmuar civilët, qindra mijëra prej të cilëve janë strehuar në shatorre pasi forcat izraelite kanë shkatërruar shtëpitë e tyre dhe kanë rrafshuar qytete të tëra.

Pengesat e mbetura

Marrëveshja, nëse zbatohet plotësisht, do t’i afronte të dyja palët më shumë se çdo përpjekje e mëparshme për t’i dhënë fund luftës.

Megjithatë, shumë gjëra mund të shkojnë keq.

Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, një burim palestinez tha për Reuters se lista e qindra të burgosurve palestinezë, që do të lirohen, ende nuk është finalizuar.

Hamasi kërkon lirimin e disa prej aktivistëve më të njohur palestinezë nga vuajtja e dënimeve në burgjet izraelite, si dhe të qindra personave të arrestuar gjatë ofensivës izraelite.

Hapat e mëtejshëm të planit 20-pikësh të Trumpit nuk janë diskutuar ende.

Ata përfshijnë mënyrën se si do të qeveriset Rripi i Gazës pas përfundimit të luftës dhe fati përfundimtar i Hamasit, i cili deri tani ka refuzuar kërkesën e Izraelit për t’u çarmatosur.

Ndërkohë, Netanyahu përballet gjithashtu me skepticizëm brenda koalicionit të tij qeverisës, pasi shumë prej anëtarëve të tij e kanë kundërshtuar kamotshëm çdo marrëveshje me Hamasin.

Ministri i Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme, Itamar Ben-Gvir, tha se do të votojë për rrëzimin e Qeverisë nëse Hamasi nuk shpërbëhet.

Megjithatë, njoftimi për përfundimin e luftimeve dhe kthimin e pengjeve u prit me gëzim.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e ndan numrin e civilëve nga ai i luftëtarëve. Ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2 milionë banorëve të Gazës, ka shkaktuar shkatërrime masive dhe uri të madhe.

Trumpi propozon përjashtimin e Spanjës nga NATO-ja

0
WASHINGTON, DC - NOVEMBER 13: U.S. President-elect Donald Trump speaks at a House Republicans Conference meeting at the Hyatt Regency on Capitol Hill on November 13, 2024 in Washington, DC. As is tradition with incoming presidents, Trump is traveling to Washington, DC to meet with U.S. President Joe Biden at the White House as well as Republican members of Congress on Capitol Hill. (Photo by Allison Robbert-Pool/Getty Images)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, propozoi të enjten që NATO-ja të shqyrtojë përjashtimin e Spanjës pasi ajo mbetet prapa anëtarëve të tjerë për sa i përket shpenzimeve ushtarake.

Në qershor, anëtarët e Aleancës, e cila financohet më shumë nga SHBA-ja, ranë dakord të rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake, në pesë për qind të produktit të brendshëm bruto. Kështu, kërkesa e Trumpit që anëtarët evropianë të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre u pranua.

Por kryeministri spanjoll Pedro Sanchez atëkohë tha se nuk do të angazhohej për objektivin prej pesë për qind, duke e quajtur atë “të papajtueshëm me shtetin tonë të mirëqenies dhe vizionin e botës”, raportoi CNN, përcjell KosovaPress.

Në një takim në Zyrën Ovale me presidentin finlandez Alexander Stubbs, Trumpi tha se udhëheqësit evropianë duhet ta bindin Spanjën të rrisë angazhimin e saj ndaj aleancës.

“Do të duhet të filloni të flisni me Spanjën. Duhet t’i telefononi dhe të zbuloni pse po e lënë pas dore. Ata nuk kanë asnjë justifikim për të mos e bërë, por kjo është në rregull. Sinqerisht, ndoshta duhet t’i dëboni nga NATO,” tha Trumpi.

Spanja u bashkua me NATO-n në vitin 1982. Aleanca perëndimore me 32 vende për mbrojtje dhe parandalim të ndërsjellë ka qenë në qendër të vëmendjes që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, duke shkaktuar luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Vetëm 26.6 për qind e shoferëve hyjnë dhe dalin saktë nga rrethrrotullimet

0

Më shumë se një e katërta e shoferëve nuk dinë si ta përdorin treguesin në një rrethrrotullim, sipas një ankete të realizuar nga Klubi Gjerman i Automobilave në Evropë (ACE).

ACE-ja vëzhgoi 30 rrethrrotullime në të gjithë vendin për një orë secili gjatë një periudhe tre-ditore.

U analizuan në total afro 20 mijë vetura dhe u arrit në përfundimin se vetëm 26.6 për qind e shoferëve hyjnë dhe dalin saktë nga rrethrrotullimet.

Shumica gabojnë në përdorimin e treguesve.

Përdorimi i saktë i treguesit në një rrethrrotullim është shumë i thjeshtë:

• Kur hyni në një rrethrrotullim, mos e ndizni treguesin, në mënyrë që të mos ngatërroni pjesëmarrësit e tjerë.

• Kur dilni nga një rrethrrotullim, sigurohuni që ta ndizni treguesin sa më shpejt të jetë e mundur.

Ky sinjal u tregon shoferëve të tjerë se ku keni ndërmend të dilni nga rrethrrotullimi, gjë që kontribuon në një siguri më të madhe dhe rrjedhë më të mirë të trafikut.

Kushdo që e përdor treguesin gabimisht, ose nuk e përdor fare, rrezikon

Gjykata refuzon paraburgimin për të dyshuarit në rastin e TEC Manastir – Prokuroria do të ankohet

0

Gjykata Themelore në Manastir nuk e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike – Manastir për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për vepra penale që lidhen me prokurimet publike në TEC Manastir, duke u caktuar atyre arrest shtëpiak, përcjell TV21.

Nga Prokuroria njoftojnë se prokurori kompetent nuk pajtohet me vendimin, duke pasur parasysh rrezikun e arratisjes së të dyshuarve, pasi njëri prej tyre posedon pasuri të konsiderueshme në një shtet tjetër.

Për këtë arsye, Prokuroria do të ankimojë vendimin e Gjykatës dhe do të kërkojë masën e paraburgimit efektiv.

Sot, Prokuroria ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës hetimore ndaj tetë personave fizikë dhe një personi juridik, për vepra penale të vazhdueshme që lidhen me prokurimet publike në TEC Manastir.

Pesë zyrtarë të TEC Manastir – përfshirë ish-drejtorin e Kombinatit dhe katër drejtues në sektorin e minierave – dyshohen se gjatë vitit 2023, në bashkëkryerje, kanë kryer keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata kanë organizuar dhe zbatuar një prokurim publik për zhvendosjen e stacioneve të punës nga miniera Oslomej në REK Manastir, në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me projektin bazë dhe nevojat e minierës Zhivojno, me qëllim të sjelljes së përfitimeve për palë të treta, duke dëmtuar rëndë Kombinatin.

Personi juridik – kompania DTPU Markovski Kompani, përfshirë pronarin, një menaxher dhe një të punësuar, dyshohen se, edhe pse ishin të vetëdijshëm se punimet nuk ishin kryer, kanë dorëzuar fatura dhe kanë arkëtuar në mënyrë të kundërligjshme nga REK Manastir shumën prej 106.200.000 denarë me TVSH, duke kryer veprën penale “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike dhe partneritet publiko-privat”.

Hetimet janë zhvilluar nga Policia Financiare për disa muaj me urdhër të prokurorit publik, dhe janë siguruar prova që justifikojnë dyshimin e bazuar ndaj të dyshuarve.

Microsoft 365 jashtë funksionit për mijëra përdorues

0

Paketa e softuerëve për produktivitet e Microsoft-it është jashtë funksionit për mijëra përdorues, ka njoftuar “Downdetector”.

Sipas kësaj faqe që gjurmon ndërprerjet ka pasur mbi 17 mijë raportime të njerëzve të cilët kanë thënë se kanë probleme me Microsoft 365.

Numri real i përdoruesve të prekur mund të ndryshojë, raportoi të enjten Reuters.

Microsoft 365 tha se po heton raportet për probleme me qasjen në shërbime.

Federata serbe me paralajmërim të rëndësishëm për ndeshjen me Shqipërinë

0

Federata e Futbollit e Serbisë ka bërë të ditur se do të ketë zero tolerancë ndaj shikuesve që tentojnë të rrezikojnë vijueshmërinë e ndeshjes Serbi – Shqipëri. Në komunikatën e Federatës së Futbollit të Serbisë kanë bërë të ditur se siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ndeshjen në Leskovc do të garantohet nga Federata e Futbollit e Serbisë dhe autoritetet shtetërore serbe.

Njoftimi i Federatës së Futbollit të Serbisë ka ardhur pak orë pas njoftimit nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, se në pikëkalimin e Merdarit është arrestuar një shtetas shqiptar, D.P. (53 vjeç), të cilit iu gjetën “materiale të ashtuquajtura propagandistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Në përgjigje të njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, se në prag të ndeshjes Serbi-Shqipëri një person u arrestua për përpjekje për të futur në vend bluza, flamuj dhe kapele me stemën e organizatës terroriste UÇK, si dhe sende të tjera të ndaluara, Federata e Futbollit e Serbisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për autoritetet kompetente në zbatimin e të gjitha masave të sigurisë.

Ky rast konfirmon edhe një herë nivelin e rrezikut që lidhet me këtë ndeshje, prandaj të gjitha masat e sigurisë do të zbatohen në mënyrë strikte dhe pa përjashtim”, shkruan në njoftimin e Federatës serbe të futbollit.

Serbia dhe Shqipëria do të përballen të shtunën në Leskovc nga ora 20:45. Për të dyja ekipet ka peshë të madhe përballja e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Federata e Futbollit e Serbisë ka bërë të ditur se biletat për ndeshjen kundër Shqipërisë janë të personalizuara dhe sipas njoftimit “hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur nëse emri në biletë nuk përputhet me dokumentin personal”.

Në Federatën e Futbollit të Serbisë kanë pranuar se ka pasur interesim për t’u blerë bileta në treg të zi në disa komuna. Por sipas Federatës, hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur në këtë mënyrë.

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se nuk do të lejohen çakmakët, monedhat dhe objektet e tjera të forta. Por Federata nuk ka përfshirë edhe ndalimin e simboleve të papërshtatshme për ndeshje sportive.

Në stadiumet serbe janë të rregullta simbolet dhe thirrjet anti-Kosovë dhe shqiptari në përgjithësi. Në fund të njoftimit u ka bërë thirrje shikuesve të mbështesin Serbinë në mënyrë sportive, dinjitoze dhe ferplejit.

“Siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ndeshje është përparësi absolute e Federatës së Futbollit të Serbisë dhe autoriteteve shtetërore. FSS deklaron se nuk do të lejojë që të ndodhë asgjë që do të rrezikonte ndeshjen dhe në këtë mënyrë do të shkaktonte dëme konkurruese ose financiare për ekipin kombëtar, Federatën dhe shtetin e Serbisë. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese do të reagojnë profesionalisht, me vendosmëri dhe pa vonesë ndaj çdo përpjekjeje për të shkaktuar një incident ose për të prishur rendin dhe qetësinë”, ka shkruar Federata e Futbollit e Serbisë.

Ndërkohë të enjten me njoftim ka dalë edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në njoftimin e FSHF-së bëhet e ditur mënyra e udhëtimit të Shqipërisë drejt Serbisë.

“Skuadra do të udhëtojë nesër drejt Nishit, ku në orën 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare para ndeshjes me trajnerin dhe një lojtar, në stadiumin ‘Duboçica’, në Leskovc. Pas konferencës, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e fundit në orën 17:30 për të mbyllur përgatitjet për sfidën ndaj Serbisë”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

Shqipëria e Serbia u përballën më 7 qershor në Tiranë. Ndeshja ishte mbyllur baras 0:0 dhe pa ndonjë incident të madh.