Grabitet një bastore në Çair, tre persona kërcënojnë punonjësin me armë zjarri

0

Tre persona të maskuar kanë grabitur një bastore sportive në zonën e Çairit në Shkup, duke kërcënuar punonjësin me armë zjarri, përcjell TV21. Sipas raportimit të Policisë, rasti është raportuar më 30 tetor, në orën 23:54.

“Tre persona të gjinisë mashkullore, me kërcënim me armë zjarri, i kanë marrë punonjësit paratë nga qarkullimi ditor”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.

Lavrov: Nëse Zelensky dëshiron të takohet me Putinin, duhet të vijë në Moskë

0

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duhet të udhëtojë drejt Moskës nëse dëshiron të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin. Këtë e përsëriti ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Ai tha se Putini vazhdon të jetë i gatshëm për një takim me Zelenskyn, pavarësisht zhvillimeve të viteve të fundit.

“Presidenti Putin ka thënë se nëse Zelensky dëshiron të takohet, duhet të vijë në Moskë. Ne do t’ia garantojmë sigurinë”, deklaroi Lavrov në një konferencë për media pas ditës së parë të takimit të ministrave të Jashtëm të G20-s në Atlanta.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, deklaroi më herët se Zelensky është i gatshëm të takohet me Putinin dhe të diskutojë drejtpërdrejt çështjet territoriale, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.

Megjithatë, ai theksoi se takimi nuk mund të mbahet në Moskë apo Bjellorusi. Sipas tij, vendi i takimit nuk është vendimtar për Kievin, për sa kohë që nuk bëhet fjalë për këto dy shtete.

Sybiha e cilësoi ftesën e Rusisë që Zelensky të udhëtojë në Moskë si „joserioze”.

Inspektorati në aksion! Largohen shitësit ilegalë te Qendra Klinike, Tregu i Gjelbër dhe në Bunjakovec

0

Inspektorati i Qytetit të Shkupit ka zhvilluar dje një aksion të koordinuar inspektues në disa lokacione të kryeqytetit, me ç’rast janë larguar shitësit ilegalë ambulantë në zonën pranë Qendrës Klinike, Tregut të Gjelbër dhe Bunjakovecit, përcjell TV21. Aksioni është realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, si dhe Inspektoratin e Komunës Qendër.

Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se qëllimi i kontrolleve është vendosja e rendit komunal, parandalimi i tregtisë ilegale, mbrojtja e hapësirave publike dhe krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë tregtarët që veprojnë në përputhje me ligjin.

“Nuk do të lejojmë uzurpimin e hapësirave publike dhe përdorimin e tyre për shitje ilegale”, porosisin nga Qyteti i Shkupit.

Nga atje paralajmërojnë se kontrollet inspektuese dhe aksionet e koordinuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim ruajtjen e rendit komunal dhe respektimin e ligjeve në të gjithë territorin e qytetit.

Kina dhe Zvicra përshkallëzojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë

0

Presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, dëshmuan të premten nënshkrimin e marrëveshjes së përshkallëzuar të tregtisë së lirë, duke demonstruar angazhimin e të dy vendeve për të ruajtur hapjen dhe bashkëpunimin mes ngritjes së zërave të unilateralizmit dhe proteksionizmit, si dhe rolin e tyre të dukshëm në promovimin e një ekonomie të hapur botërore.

Parmelin filloi një vizitë pune tre-ditore në Kinë të premten. Gjatë bisedimeve, kreu i shteti i Kinës i tha udhëheqësit zviceran se Zvicra është një partner i rëndësishëm i Kinës në Evropë dhe ka qenë ndër të parët për bashkëpunimin me Kinën.

Zvicra ishte vendi i parë në kontinentin e Evropës që nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën në vitin 2013. Në gusht të këtij viti, ajo u bë vendi i parë evropian që përfundoi negociatat për shkallëzimin e marrëveshjes.

Xi tha se bashkëpunimi dypalësh në këtë drejtim pasqyron guximin politik të të dy vendeve dhe ndjenjën e tyre të përgjegjësisë në ruajtjen e bashkëpunimit të hapur.

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, Pekin, 30 tetor 2026/Foto nga Xinhua

Kina është e gatshme të punojë me Zvicrën për të ruajtur hapjen, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të promovuar një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës dhe të dobishëm për të gjithët, tha Xi. Ai shtoi se të dyja palët duhet t’u shtojnë besim të vlefshëm dhe më shumë faktorë të sigurt bashkëpunimit ekonomiko- tregtar Kinë-Evropë dhe zhvillimit ekonomik global.

Xi u bëri thirrje të dyja palëve të thellojnë bashkëpunimin në inovacion dhe të nxisin bashkëpunimin në industritë në zhvillim, duke përfshirë ekonominë digjitale, ruajtjen e energjisë së gjelbër dhe inteligjencën artificiale.

Duke vënë në dukje rolin e gjatë të Zvicrës në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar Kinë-Evropë, Xi  shprehu shpresën që Zvicra do të shfrytëzojë ndikimin e saj unik për të luajtur një rol pozitiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm, të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm të tregtisë Kinë-Evropë.

Parmelin tha se Zvicra krenohet që është ndër vendet e para perëndimore që njohu Republikën Popullore të Kinës – një vendim që hodhi themelet për një partneritet të qëndrueshëm dhe dinamik midis dy vendeve.

Foto nga VCG

Ai tha se përfundimi i shpejtë i negociatave për përshkallëzimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë pasqyron nivelin e lartë të besimit të ndërsjellë midis dy vendeve dhe përmbush pritshmëritë e qarqeve të biznesit dhe atyre të tjera të interesuara në të dyja palët.

Marrëveshja e përmirësuar do të shtojë një shtysë të re në zhvillimin e marrëdhënieve Zvicër-Kinë, shtoi Parmelin.

Të dhënat doganore tregojnë se Kina ka mbetur partneri i tretë më i madh tregtar i Zvicrës për 12 vjet rresht. Vlera e tregtisë dypalëshe arriti në përafërsisht 65.14 miliardë dollarë në gjysmën e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje të ndjeshme.

Në një artikull të botuar të hënën nga gazetën kineze “Renminribao”, Qian Minjian, ambasadori i Kinës në Zvicër, u shpreh se sa të hyjë në fuqi marrëveshja, mbi 99% e mallrave të eksportuara nga njëri vend në tjetrin do të jenë pa tarifë doganore, ndërsa qasja në treg do të zgjerohet më tej në fushat e tregtisë së shërbimeve dhe investimeve.

ALTA Banka në Maqedoni siguron klientët: Jemi likuidë, depozitat janë të sigurta dhe puna vazhdon normalisht!

0

ALTA Banka në Manastir ka reaguar pasi Banka Popullore e Serbisë ia mori licencën e punës ALTA Bankën në Serbi, përcjell TV21. Nga ALTA Bank në vendin tonë sigurojnë klientët se banka në Maqedoninë e Veriut funksionon në mënyrë të pavarur dhe nuk është prekur nga ngjarjet në vendin fqinj. Në një komunikatë për opinionin, banka thekson se është person juridik i pavarur, e regjistruar në Maqedoninë e Veriut dhe nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore.

“ALTA Banka SHA Manastir është likuide dhe vazhdon të funksionojë rregullisht dhe pa pengesa. Të gjitha degët dhe bankomatet janë në funksion, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në mjetet e tyre financiare”, thuhet në komunikatë.

Nga banka theksojnë se klientët mund t’i disponojnë lirisht depozitat, të tërheqin para dhe të kryejnë të gjitha transaksionet bankare, pa kufizime jashtë kushteve të zakonshme të funksionimit.

“Ngjarjet që lidhen me bankën në Serbi nuk nënkuptojnë automatikisht ndryshim të gjendjes financiare apo të statusit juridik të ALTA Bankës SHA Manastir”, thuhet më tej në reagim.

Banka gjithashtu thekson se rrethanat në Maqedoninë e Veriut janë thelbësisht të ndryshme nga ato në Serbi, duke shtuar se nuk është subjekt i presioneve dhe përplasjeve politike të ngjashme me ato që kanë shënuar zhvillimet në Serbi.

Sa i përket depozitave, ALTA Banka rikujton se depozitat e personave fizikë janë të siguruara përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave, në përputhje me kushtet dhe kufijtë e përcaktuar me ligj.

“Banka mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të klientëve, stabilitetin financiar dhe ruajtjen e besimit”, përfundon komunikata.

Kush është Feridun Sinirlioglu, kandidati i propozuar nga Erdogan për sekretar të përgjithshëm të OKB-së?

0

Turqia ka propozuar kandidaturën e Feridun Sinirlioglu, sekretarit të përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për postin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi agjencia Anadolu, duke iu referuar burimeve nga Ministria e Jashtme turke.

Në letrën e dërguar dje presidentëve të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në OKB, Ahmet Yildiz, bëri të ditur nominimin e propozuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Procedura është në përputhje me Kartën e OKB-së dhe rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme.

Sipas burimeve të cituara, vendimi është marrë pasi procesi i zgjedhjes së sekretarit të ri të përgjithshëm ka ngecur. Votimi i fundit jozyrtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i mbajtur dje, përfundoi pa një rezultat përfundimtar.

Pas raundit të shtatë të votimit jozyrtar, Rebecca Grynspan, ish-zëvendëspresidente e Kosta Rikës, sërish u rendit e para.

Në këtë votim të fshehtë, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit vlerësuan në mënyrë anonime secilin kandidat me njërën nga tri alternativat: “inkurajon”, “dekurajon” ose “nuk ka opinion”.

Ndryshe nga votimi paraprak, këtë herë fletëvotimet e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë dhe Kinës – nuk u dalluan përmes ngjyrave të ndryshme.

Asnjëri nga shtatë kandidatët që deri më tani kanë qenë në garë nuk ka arritur të shmangë një votë negative nga të paktën njëra prej pesë fuqive me të drejtë vetoje: SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë dhe Kinës.

Pasi të arrihet konsensusi, emri i kandidatit të përzgjedhur do t’i propozohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila në praktikë ndjek rekomandimin e Këshillit të Sigurimit.

Vjedhja e 6,3 miliardë dollarëve në Binance, si e ndërtoi Kim Jong-un grupin më të frikshëm të hakerave në botë?

0

Koreja e Veriut dyshohet se qëndron pas grabitjes më të madhe kibernetike të regjistruar ndonjëherë, ku rreth 6.3 miliardë dollarë në kriptomonedha janë vjedhur nga Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë.

Sipas analizave të kompanive amerikane të sigurisë kibernetike, sulmi ka ngjashmëri me operacionet e mëparshme të grupit Lazarus dhe organizatave të tjera të lidhura me Phenianin. Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur nga komprometimi i laptopit të një inxhinieri të Binance, ndërsa pjesa më e madhe e vjedhjes u realizua brenda vetëm 20 minutash.

Koreja e Veriut ka ndërtuar prej vitesh një strukturë të specializuar për luftën kibernetike, duke përzgjedhur dhe trajnuar që në adoleshencë të rinj me aftësi të larta në matematikë dhe teknologji. Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut, rreth 8,400 persona vlerësohet të jenë të përfshirë në operacionet kibernetike të vendit.

Vetëm gjatë vitit 2025, hakerët e lidhur me Phenianin dyshohet se vodhën rreth 2 miliardë dollarë në kriptomonedha, ose afërsisht 60% të totalit global. Sulmet e mëparshme përfshijnë vjedhjen e 620 milionë dollarëve nga rrjeti Ronin në vitin 2022, 308 milionë dollarëve nga DMM Bitcoin në vitin 2024 dhe rreth 1.5 miliardë dollarëve nga Bybit në vitin 2025.

Sipas ekspertëve, të ardhurat nga këto operacione përdoren për të financuar regjimin dhe programet e tij ushtarake e bërthamore. Ndërkohë, zhvillimi i inteligjencës artificiale pritet të rrisë më tej aftësitë e hakerëve për të identifikuar dobësitë dhe për të realizuar sulme të sofistikuara.

Pas sulmit, Binance pezulloi përkohësisht depozitat dhe tërheqjet, ndërsa deklaroi se do të mbulonte humbjet me fondet e veta. Pheniani ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në krime kibernetike.

Banka Popullore e Serbisë ia mori licencën e punës ALTA Bankës

0

Banka Popullore e Serbisë ka marrë vendim për t’ia hequr licencën e funksionimit ALTA Bankës SHA Beograd, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet e kryera kanë konstatuar probleme serioze me likuiditetin dhe rrezik për përkeqësim të mëtejshëm të situatës financiare, duke cenuar interesat e depozituesve.

Banka Popullore thekson se vendimi është marrë për të mbrojtur depozituesit dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar.

Ndërkohë, Agjencia për Sigurimin e Depozitave pritet që brenda shtatë ditëve të punës të mundësojë pagesën e depozitave të siguruara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Berisha: Nuk bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet

0

“Nuk bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet”.Këtë deklaroi kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në “Çdo kënd” me Merita Haklajn në A2 CNN. Sipas tij për kryeministrin do të vendosë referendumi dhe për këtë nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese.

“Një gjë kam deklaruar se unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjehdjet. Jo. Bëhem kryeminsitër me referendum. Po fitova zgjedhjet do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin.

Kushtetuta nuk e pengon se ti u jep mundësi me 3-4 kandidatura me referendum popullor. Absolutisht asnjë ambicie, por respekt. Se nëse ti udhëheq fushatën dhe fiton të gjitha ato që u ke thënë qytetarëve ata kanë të drejtë.

Atëherë del problemi që ata duhet të vendosin veças për kandidaturat e kryeministrit”, tha Berisha.

Berisha shprehu bindjen opozita fiton zgjedhjet brenda një muaji pa Edi Ramën. 

“Në kushte të lira, sot opozita fiton zgjedhjet nëse zgjedhjet bëhen brenda një muaji pa Edi Ramën”, tha ai.

Kreu demokrat i qëndroi deklaratave të tij për kufizimin në dy mandate të kryeministrit.

“Jam, sepse nga viti 1990-2013 ka ndodhur 4 rrotacione. Nga 2013 deri më sot asnjë rrotacion sepse në Shqipëri rrotacionin e lejon krimi i organizuar me Edi Ramën”.

SHBA miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën, marrëveshja kap vlerën e 2.1 miliardë dollarëve

0

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e 500 raketave interceptuese Patriot PAC-3 për Ukrainën, në një marrëveshje me vlerë 2.1 miliardë dollarë. Municionet janë thelbësore për forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit ndaj sulmeve gjithnjë e më intensive ruse.

Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se dërgesat mund të kërkojnë “disa vite” për të mbërritur, duke përsëritur thirrjen ndaj Uashingtonit për përshpejtimin e furnizimit me këto sisteme mbrojtëse.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, blerja do të financohet tërësisht nga aleatët evropianë të Ukrainës dhe Kanadaja, përmes kontributeve financiare dhe programeve mbështetëse. Në deklaratë theksohet se në këtë marrëveshje nuk do të përdoren fonde amerikane, ndërsa kontraktori kryesor do të jetë kompania Lockheed Martin.

Raketat PAC-3 konsiderohen ndër armët më efektive për interceptimin e raketave balistike ruse, të cilat kanë qenë pjesë e sulmeve të vazhdueshme ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.

Miratimi i shitjes vjen në një moment tensionesh mes Kievit dhe Uashingtonit, pas përplasjeve të fundit mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me mënyrën e përfundimit të luftës me Rusinë. Marrëdhëniet u përmirësuan pas bisedimeve që presidenti ukrainas zhvilloi me përfaqësuesit amerikanë në Oslo.