Aliu: Shqyrtohet mundësia që të vendosim testime toksikologjike për punonjësit shëndetësore

0

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se po shqyrtohet mundësia e futjes së testeve toksikologjike për punonjësit e shëndetësisë, pasi në publik u shfaq një video me tani ish-drejtorin e Klinikës së Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, ku ai shihej duke konsumuar treguar për përdorimin e kokainës.

“Një nga mundësitë që do ta shqyrtojmë është nëse në disa nga ligjet mund të përfshihet edhe ky nen,” deklaroi Aliu.

Ai tha se brenda Ministrisë funksionojnë 12 grupe pune që punojnë për harmonizimin dhe ndryshimin e ligjeve që lidhen me sistemin shëndetësor, me qëllim shmangien e konflikteve ndërmjet dispozitave.

Në lidhje me mundësitë e sanksioneve për raste të ngjashme, Aliu theksoi se kjo do të jetë pjesë e punës së juristëve që përgatitin zgjidhjet ligjore, duke shtuar se “në raste të tilla ekzistojnë indikatorë, dhe nëse devijohet nga ata, duhet të parashikohen masa dhe sanksione përkatëse.”

Për 5-6 vjet do të rindërtohet Stacioni Hekurudhor në Shkup, paralel me ndërtimin e hekurudhën së shpejtë të Korridorit 10

0

Ka filluar projektimi për rikonstruimin e plotë të Stacionit hekurudhor në Shkup, riparimin e hekurudhës Zelenikovë–Veles, si dhe rehabilitimin e disa rrëshqitjeve të dheut dhe të urës mbi “Cërnarekë”, e cila u shemb pjesërisht në vitin 2022. Aktivitetet do të realizohen nga NP Hekurudhat e Maqedonisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Fakultetin e Arkitekturës.

Sinisha Ivanovski deklaroi se rindërtimi i Stacionit hekurudhor, për të cilin projekti pritet të zhvillohet gjatë një viti, do të ndiqet nga sigurimi i financimit dhe fillimi i punimeve. Ai shtoi se punimet duhet të përfundojnë brenda pesë deri gjashtë viteve, njëkohësisht me fillimin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 dhe degës hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

“Nëse projekti përfundohet brenda një viti, financimi do të sigurohet ose nga Buxheti i Shtetit, ose nga një kredi nga huadhënës klasikë si BERZH, BEI dhe bankat komerciale. Nuk përjashtohet mundësia e partneritetit strategjik me Britaninë e Madhe, me të cilën do të realizojmë projekte kapitale infrastrukturore. Brenda pesë deri gjashtë viteve, hekurudha me shpejtësi të lartë dhe dega drejt aeroportit duhet të jenë gati njëkohësisht. Mund të duket abstrakte, por po punojmë me të gjitha forcat tona në të gjitha projektet paralelisht,” tha Ivanovski.

Ai paralajmëroi se do të kryhet rindërtim i plotë i stacionit, duke ruajtur pamjen bazë të projektuar fillimisht në vitin 1981 nga Kenzo Tange, por me elementë bashkëkohorë.

“Do të përmirësohen instalimet, ngrohja dhe ftohja. Stacioni, që tani duket si një ‘pitstop’ i Formulës 1, nuk do të jetë më i tillë. Do të ketë ndalesa për reklama të kontrolluara dhe përmbajtje komerciale të autorizuar, si farmaci, por dyqanet lokale pa leje, si p.sh. dyqane qebapësh, nuk do të lejohen. Shtyllat që aktualisht shfrytëzohen si tabela për reklama koncertesh, gjithashtu do të hiqen,” shtoi Ivanovski.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Josif Josifovski, theksoi se ky projekt i vonuar do të fillojë së shpejti dhe se detyra e fakultetit është të kryejë rindërtimin dhe rehabilitimin e plotë të elementëve të hekurudhës, duke përfshirë riparimin dhe zëvendësimin e konstruksioneve të urave, rrëshqitjeve të dheut dhe mureve mbajtëse.

“Ky fillim është shumë i rëndësishëm, sepse duam të jemi pjesë e rrjetit panevropian të hekurudhave. Me këtë projekt do të sigurojmë kushte dhe standarde që vlejnë në të gjitha vendet evropiane,” tha Josifovski, duke shtuar se fakulteti ka kapacitet për t’iu përgjigjur sfidës.

E mori të miturën si grua të katërt, mjeku nga Tirana dënohet me mbi 1 vjet burgim

0

Mjeku nga Tirana, Dervish Hasi, i cili u arrestua pasi rezultoi se ka kryer marrëdhënie me të mitur, është dënuar me 15 muaj burg.

Atij i është bërë rikualifikim i veprës penale nga pornografi në dhunë në familje.

42-vjeçari ra në pranga pasi u akuzua se ka shfrytëzuar seksualisht për dy vite me radhë një të mitur.

I njëjti, asokohe deklaroi se është besimtar, madje kishte edhe tre partnere të tjera.

Hasi kryente marrëdhënie seksuale në grup dhe krijonte video intime.

Nga sekuestrimi i telefonit, policia kishte zbuluar se të pesë personat kishin hapur një ‘chat’ grup, ku shkëmbenin mesazhet dhe videot që prodhonin së bashku.

E mitura kishte 2 vite që frekuentonte banesën e tij, ku kalonte 2-3 ditë.

Nga Prishtina në Hollywood! Muzika e Taynas në vëmendje globale

0

Këngët e artistes Tayna po marrin vëmendje ndërkombëtare.

Pas këngës “Si ai”  e cila u pëlqye shumë duke u përdorur kështu nga influencues të njohur botëror , tani edhe kënga “Obsesion” ka marrë vëmendjen e Kylie Jenner, e cila ka ndarë një video me këtë këngë.

Kjo nuk është hera e parë që Kylie përdor muzikën e Taynës.

Këngët e Taynes janë  dëgjuar në festivale të mëdha si Ultra Europe, Tomorrowland dhe Rolling Loud, duke treguar se muzika shqiptare po fiton terren nga Prishtina deri në Hollywood./21Media

NISMA e interesuar për qeveri me LVV-në, kërkojnë që Limaj të jetë kryeparlamentar

0

Deputetja e Nismës Socialdemokrate në Kosovë, Xhevahire Izmaku ka konfirmuar se ky subjekt politik është i gatshëm që të ulët të bisedoj me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re, nëse një mundësi e tillë do t’i ofrohet. Sipas saj, pjesëmarrja në bisedime është mundësi e mirë për të parë se cili do të ishte kontributi që mund ta jap Nisma. Por, deputetja Izmaku është e bindur se kontributi i Nismës do të ishte që Limaj të jetë kryetar i Kuvendit.  Dje kryeministri në detyrë,  Albin Kurti, tha se gjatë kësaj jave do të zhvillojë takime me subjektet politike për formimin e Qeverisë.

‘’Ne e kemi marrë informacionin përmes mediave deklaratën e kryeministrit në detyrë. Nisma e konsideron si të mirëqenë faktin se ka një përgjegjshmëri politike dhe Nisma në çdo rrethanë ka me qenë në tavolinë për të vazhduar bisedimet për një zgjidhje politike. Presim që të jetë një rrethanë e re politike dhe të jetë një vendimmarrje e re politike. Gjithmonë jemi të gatshëm për bisedime  dhe nuk ka të bëjë me emër të përveçshëm të zotit Kurtit, mirëpo në raport  me të mirën e vendit dhe në raport në zgjidhjen e problemeve, Nisma do të ishte me secilin kryeministër të vendit  në tavolinë. Tavolina  është ajo që duhet të zgjidhen problemet politike  dhe në këto rrethana ne besojmë plotësisht se duhet të ketë një zgjidhje. Duhet të shfrytëzohet një mundësi që të mos lejohet të shpenzohen miliona euro që vendi të shkoj edhe një herë në një proces zgjedhor, sepse sapo e kaluam një proces zgjedhor po presim që të konstituohet niveli lokal me një lidership të ri. Pa marrë parasysh a do të jetë Nisma apo nuk do të jetë, kushdo si subjekt politik do të ndihmojmë në krijimin e institucioneve. Kur Nismës i ofrohet sigurisht se ne do të ulemi në tavolinë me i shiku mundësitë se çka mundemi me kontribu. Ne mendojmë se kontributi jonë kish qenë më i miri në pozicionin e Kuvendit dhe besojmë se kjo është dashur që të ndodh sepse vendi dhe institucioni ligjvënës ka nevojë me pas një pesronalitet me kredibilitet të lartë siç është zoti Limaj. Por, edhe në rrethana të tjera prapë do të ulemi që ti dëgjojmë edhe ofertat e reja edhe mundësitë e reja të vendit. Edhe nëse zgjedh një partner tjetër Nisma do ta ndihmoj për formimin e institucioneve të reja të vendit”, tha Izmaku për RTV21.

Trump aktivizoi planin e paqes, po a do të mund të rindërtohet Gaza?

0

Plani i paqes për Gazën, i ndërmjetësuar nga presidenti Donald Trump, arriti një përparim të rëndësishëm të hënën, 13 tetor, pasi Hamas liroi 20 pengjet izraelitë të gjallë në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë. Në të njëjtën kohë, ndihmat humanitare nisën të vinin në territorin palestinez pas 2 vitesh lufte.

Ky hap është pjesë kyçe e planit 20-pikësh të presidentit Trump, 3 ditë pasi armëpushimi hyri në fuqi dhe trupat izraelite u tërhoqën në vijën e caktuar paraprakisht.

Takime ndërkombëtare për të ardhmen e Gazës

Washingtoni dhe udhëheqësit botërorë, përfshirë Trump, u takuan të hënën në Egjipt për një samit mbi të ardhmen e Gazës dhe Lindjes së Mesme. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me pyetje të shumta për hapat e ardhshëm ende pa u përgjigjur.

Negociatat për fazat e ardhshme
Besimi mes Izraelit dhe Hamas është i ulët. Para armëpushimit, negociatat indirekte në Doha, Katar, dështuan disa herë, ndërsa Egjipti dhe Katari vepruan si ndërmjetësues.

Fazat fillestare të marrëveshjes përfshinin:

Lirimin e pengjeve të fundit nga Hamas, gjallë dhe të vdekur

Lirimin e qindra të burgosurve palestinezë nga Izraeli

Rritjen e ndihmave humanitare për Gaza

Tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite nga qytetet kryesore të Gazës

Ministri egjiptian i Jashtëm theksoi rëndësinë që Izraeli dhe Hamas të zbatojnë plotësisht fazën e parë në mënyrë që të fillojnë negociatat për fazën e dytë. Sipas zyrtarëve izraelitë, të gjithë pengjet e gjallë janë kthyer, por trupat e pengjeve të vrarë mbeten ende në Gaza.

Fazat e ardhshme duhet të adresojnë qeverisjen post-luftë të Gazës, kërkesën e Izraelit që Hamas të çarmatoset, e cila është refuzuar, dhe kërkesat palestineze për një shtet, të cilat Izraeli nuk i pranon.

Nëse kërkesat e Izraelit nuk përmbushen, vendi ka paralajmëruar rivendosje të veprimeve ushtarake.

Plani i Trump përfundimisht parashikon që partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë të ndihmojnë në formimin e një force të re sigurie palestineze, ndërsa rindërtimi do të kërkojë të paktën 53 miliardë dollarë, sipas Bankës Botërore dhe një plani egjiptian.

Çarmatimi i Hamas?
Një nga çështjet më të vështira është insistimi i Izraelit që Hamas të çarmatoset plotësisht. Hamas refuzon dhe kërkon që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza.

Aktualisht, trupat izraelite janë të tërhequr nga Gaza, Khan Younis dhe disa zona të tjera, por kontrollojnë ende rreth 53% të enklavës, përfshirë qytetin Rafah dhe veri të Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha:

Hamas do të çarmatoset dhe Gaza do të demilitarizohet. Nëse arrihet lehtë, aq më mirë; nëse jo, do të arrihet me forcë.

Kush do të qeverisë Gazën?
Izraeli dhe Hamas nuk kanë rënë dakord mbi qeverisjen post-luftë të Gazës.

Plani amerikan parashikon që një strukturë ndërkombëtare të mbikëqyrë teknokratët palestinezë që do të menaxhojnë punët e përditshme. Hamas dhe fraksione të tjera nuk do të kenë rol në qeverisje.

Plani gjithashtu përfshin një rol të ardhshëm për Autoritetin Palestinez, por me kusht reformash të mëdha, pa një afat të caktuar. Hamas insiston që qeveria të caktohet brenda palestinezëve.

Një shtet palestinez njihet si “aspirata e popullit palestinez”, por diskutimet mbi krijimin e tij mbeten të paqarta, ndërsa Netanyahu ka thënë se nuk do ta lejojë krijimin e një shteti të tillë.

Forca ndërkombëtare e sigurisë
Plani parashikon një forcë sigurie ndërkombëtare e udhëhequr nga vendet arabe, së bashku me policinë palestineze të trajnuar nga Egjipti dhe Jordania. Forcat izraelite do të largohen gradualisht ndërsa vendosen forcat e reja.

Ministri i Jashtëm egjiptian tha se forca ndërkombëtare duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Rreth 200 trupa amerikane janë aktualisht në Izrael, duke monitoruar armëpushimin dhe fazat e hershme të planit të paqes, në bashkëpunim me vende partnere, organizata joqeveritare dhe sektorin privat.

Studimi thotë se prindërit mund t’i djegin 3 mijë kalori duke lutur fëmijët të vishen për shkollë

0

Një studim i kohëve të fundit i kryer nga eskpertë kryesorë në shkencën e sportit ka zbuluar se prindërit mund t’i djegin deri në 3 mijë kalori ndërsa luten dhe bërtasin duke i inkurajuar butësisht fëmijët e tyre në një përpjekje për t’i bindur ata të vishen dhe të jenë gati për shkollë.

Kolegji Amerikan i Mjekësisë Sportive ka konfirmuar se veprimet e ndryshme të kryera nga prindërit ndërsa përpiqen t’i veshin fëmijët e tyre dhe t’i bëjnë gati për shkollë, mund të arrijnë në një sasi të ngjashme energjie të shpenzuar kur vrapojnë një maratonë.

“Po, në të vërtetë është ekuivalente me vrapimin e një maratone dhe më pas luftimin e një ariu të zemëruar”, shpjegoi profesor Olan Wyche, kreu i studimit i cili vëzhgoi mbi 1,000 familje dhe rutinat e tyre të vrapimit në shkollë në mëngjes.

“Tani, nëse keni më shumë se tre fëmijë, kjo mund të jetë më shumë se 4,000 kalori”, shtoi Wyche.

Në studim u morën në konsideratë shkallë të ndryshme kundërshtimi nga fëmijët ndaj veshjes për në shkollë, dhe ndërsa disa fëmijë nuk kanë probleme të shkojnë në shkollë, të tjerë, ngjashëm me prindërit e tyre, djegin gjithashtu shumë kalori.

Këshilla për prindërit përfshin pushimin për pjesën tjetër të ditës dhe një masazh intensiv të indeve të thella pasi më në fund i bindin fëmijët e tyre të bien dakord të vishen.

Sukseset e Kosovës dhe Shqipërisë në futboll, dy ambasadorët shqiptarë në Shkup festojnë së bashku

0

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani ka ndarë një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet bashkë me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, duke bërë shqiponjën, përcjell TV21. Meidani thotë se me Qehajajn po festojnë arritjet e dy shteteve shqiptare në futboll.

“Një kafe e këndshme këtë mëngjes me Ambasadorin e Kosovës, mikun tim Florian Qehaja, për të ndarë një moment miqësie dhe për të festuar së bashku fitoret tona të përbashkëta. Dy flamuj, dy zëra, një shqipe. Diplomacia është më e bukur kur buron nga zemra”,ka shkruar Meidani.

Kujtojmë se mbrëmë, Kombëtarja e Kosovës në futboll ka fituar tre pikë duke e mposhtur Suedinë 0-1 si mysafire. Ndeshja e vlefshme për Kupën e Botës 2026 u zhvillua në Goteborg të Suedisë, ku Kosova mori mbështetje nga mijëra shqiptarë në stadiumin “Ullevi”. Golin e fitores për Kosovën e shënoi Fisnik Asllani në minutën e 32-të. Kosova tani ka gjithsej 7 pikë dhe vazhdon të mbajë pozitën e dytë në Grupin B, të cilit i prin Zvicra me 10 pikë. Në vendin e tretë është Sllovenia me 3 pikë, ndërsa Suedia e fundit me vetëm 1 pikë.

Ndrësa, Kombëtarja shqiptare arriti një fitore të madhe dhe historike ndaj Serbisë në stadiumin “Dubocica” në Leskovac, ku mposhti Serbinë me rezultat 0:1. Ky rezultat blindon vendin e dytë për Shqipërinë në Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, pasi kuqezinjtë kanë 11 pikë, 4 më shumë se Serbia e vendit të tretë.


Vendet evropiane kundër burkës: Të ndalohet sa e kemi ende të mundur

0

“Islami në Suedi duhet të përshtatet. Ne nuk mund të kontrollojmë çfarë njerëzit bëjnë në shtëpi, por ne nuk duam t’i shohim burkat dhe niqabin në hapësirat publike suedeze. Kjo duhet të ndalet sa ta kemi ende të mundur t’i ndalim”, ka thënë Ebba Busch, zëvendëskryeministrja suedeze dy ditë më parë, duke e rikthyer debatin që ka qarkulluar tash e disa vjet nëpër shtete të Bashkimit Evropian.

Busch beson që niqabi dhe burka, mbulesa tradicionale fetare që mbulojnë edhe fytyrën, janë simbole praktike të interpretimit të islamit në disa shtete totalitare, si Irani e Afganistani. Sipas saj, kjo është e papranueshme në vlerat suedeze. Busch ka thënë se dëshiron ta ndalojë këto veshje në publik, në rrugë, në qendrat tregtare dhe në institucionet shëndetësore.

Numri i besimtarëve myslimanë në Suedi është rritur gjatë valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme një dekadë më herët. Por në përgjithësi, nuk besohet se e tejkalon 5-përqindëshin e popullatës. Si rezultat, burka e as niqabi nuk janë të zakonshme nëpër rrugët e Suedisë.

Burka është veshja e cila mbulon çdo pjesë të trupit – përfshirë sytë që mbulohen me një rrjetë. Është karakteristikë për disa zona përfshirë Afganistanin dhe Pakistanin. Niqabi është mbulesë që i lë të hapur vetëm sytë. Është më shumë e zakonshme në Gadishullin Arabik.

Sipas disa shteteve perëndimore, burka dhe niqabi shfaqin pabarazi gjinore dhe cenojnë lirinë e gruas. Bazuar në këtë interpretim dhe përfshirë ato të sigurisë, në 15 vjetët e fundit një numër shtetesh evropiane kanë ndalur tërësisht ose pjesërisht mbulimin e fytyrës në publik, transmeton index.hr.

Franca, shteti me më së shumti myslimanë në Evropë, e ka bërë e para më 2010. Ajo e ndaloi përgjithësisht mbulimin e fytyrës në hapësira publike. Belgjika, Danimarka, Austria dhe Zvicra kanë marrë iniciativa të ngjashme më pas. Një projektligj i ngjashëm po diskutohet edhe në Parlamentin e Italisë.

Në disa shtete të tjera mbulesa e plotë ndalohet në institucione arsimore e shëndetësore dhe te ushtarët apo shërbyesit civilë.

Edhe pse e ka pranuar se ligji i Francës që ndalon mbulesat e fytyrës mund të përforcojë stereotipet, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut më 2011 konfirmoi se ndalimi nuk shkel liritë fetare dhe se synon të sigurojë “respekt për minimumin e vlerave të një shoqërie të hapur demokratike”.

Hapja e qendrës për zhvillim të Inteligjencës Artificiale në Maqedoni, Mickoski: Është diçka për të cilën jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur

0

Kryeministri Hristijan Mickoski ka përshëndetur deklaratën e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila dje njoftoi se Bashkimi Evropian do të hapë dy ‘fabrika AI’ (qendra për zhvillimin e inteligjencës artificiale) në Ballkanin Perëndimor, njëra në Maqedoninë e Veriut dhe tjetra në Serbi, përcjell TV21. Mickoski tha se qeveria vazhdimisht ka punuar që të realizohet ky projekt.

“Është projekt që e udhëhoqi qeveria, respektivisht Ministria për Transformim Digjital. Është diçka super për qytetarët e Maqedonisë. Sepse për herë të parë ne do të shfrytëzojmë resurset e tona vendore, këtë e kemi bërë me fakultetet FEIT dhe FINKI, me kolegët prej atje. Dhe kjo është diçka për të cilën jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur. Rreth 5 milionë euro bashkëfinancim, praktikisht ekspertët tanë, studentët tanë, profesionistët do të mund t’i shfrytëzojnë dhe thithin resurset që i ka vetë BE-ja dhe është mirë që presidentja Von der Leyen e paralajmëroi këtë, sepse bëhet fjalë për dy projekte, njëri është projekt që e ka fituar Maqedonia, ndërsa tjetri është projekt që e ka fituar Serbia. Deri tani i kemi shfrytëzuar përvojat dhe resurset e vendeve fqinje, tani do të kemi qendrën tonë që do të merret me inteligjencë artificiale”, tha mes tjerash Mickoski.