Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor kumtuan se deri në ora 15:00 të drejtën e votës në të gjithë territorin e vendit e kanë shfrytëzuar 515.069 votues, përcjell TV21. Zëdhënësi Admir Shabani tha se jehona e votuesve është 31,16%, që paraqet përqindje përafërsisht të njëjtë me zgjedhjet e vitit 2021.
Qeveria izraelite miraton emrin “Lufta e Ringjalljes” për veprimet ushtarake në Gaza
Qeveria miraton me shumicë dërrmuese propozimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta riemëruar luftën në Gaza si “Lufta e Ringjalljes”, pavarësisht kundërshtimit nga disa familje të pengjeve dhe disa anëtarë të kabinetit.
Ministri i Çështjeve të Diasporës Amichai Chikli (Likud) abstenon, ndërsa Ministrja e Vendbanimeve dhe Projekteve Kombëtare Orit Strock (Sionizmi Fetar) voton kundër saj.
Gazetari i Walla-s, Yehuda Schlesinger, citon Chikli-n të ketë thënë se termi “ringjallje” “i përket themelimit të shtetit dhe brezit themelues”.
Strock thotë se është “shumë herët” për të përcaktuar rezultatin e luftës dhe për t’i dhënë asaj një emër zyrtar, duke pohuar se është e nevojshme “të presim dhe të shohim nëse i arrijmë të gjitha qëllimet e luftës”.
Sot Netanyahu tha se emri i ri tregon se si “u ngritëm nga katastrofa e tmerrshme e 7 tetorit”.
ODIHR: Vëzhguesit ndërkombëtarë monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor, jo vetëm ditën e votimit
Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale në vend, Mateo Mekaci, deklaroi sot se vëzhguesit po monitorojnë të gjithë aspektet e lidhura me procesin zgjedhor. Ai theksoi se nuk është i rëndësishëm vetëm dita e zgjedhjeve, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së votimit.
Gjatë vizitës në vendvotimin e Shkollës Fillore “Liria” në komunën e Çairit, Mekaci theksoi se Misioni përbëhet nga 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët mbikëqyrin procesin në të gjithë territorin e vendit.
“Ne jemi këtu si një mision ndërkombëtar vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar nëse gjithçka po zhvillohet sipas standardeve. Ky vendvotim që shihni pas nesh është një nga shumë vendvotime që po monitorojmë. Misioni ynë përbëhet nga rreth 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të shpërndarë në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Mekaci.
Ai shtoi se misioni është vendosur shumë para ditës së zgjedhjeve, me 24 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në gjithë vendin, të cilët monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor.
“Siç thamë, nuk është i rëndësishëm vetëm dita e votimit, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së zgjedhjeve. Ne monitorojmë të gjithë aspektet që lidhen me zgjedhjet: regjistrimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e fushatës, qasjen në media, votimin gjatë ditës së zgjedhjeve, numërimin e votave dhe të tjera”, përfundoi Mekaci.
Izraeli konfirmon sulmet në Gazë, akuzon Hamasin për “shkelje flagrante” të armëpushimit
Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë lëshuar një deklaratë, përmes së cilës kanë konfirmuar sulmet në Gazën jugore.
“Më herët sot, terroristët lëshuan një raketë antitank dhe të shtëna me armë zjarri drejt trupave të IDF-së që operonin për të çmontuar infrastrukturën terroriste në zonën e Rafahut, në Gazën jugore, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.Në përgjigje, IDF-ja ka filluar sulmet në zonë për të eliminuar kërcënimin dhe për të çmontuar boshtet e tuneleve dhe strukturat ushtarake të përdorura për aktivitet terrorist”, thuhet në deklaratë.
IDF-ja ka thënë më tutje se “këto veprime terroriste përbëjnë një shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit dhe IDF-ja do të përgjigjet me vendosmëri”.
Në përgjigje, Hamasi ka thënë se “mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit”, duke akuzuar Izraelin për “shkelje të marrëveshjes dhe fabrikim pretekstesh për të justifikuar krimet e tij”.
MPB: Në Prilep janë ndaluar dy persona për “blerje votash dhe ndikim në votime”
Zgjedhjet lokale 2025 po zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike në gjithë territorin e vendit, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të cilët shtojnë se po ndërmerren masa dhe veprime brenda kompetencave të për të siguruar zhvillimin e pandërprerë dhe të sigurt të procesit zgjedhor.
“Deri tani nuk janë regjistruar shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike, deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Në orën 09:00, në rrugën “Dabniçka” në Prilep, policët nga Stacioni Policor i Prilepit ndaluan për veprën penale të “blerjes së votës dhe ndikimit mbi votimin” dy persona nga Krusheva: B.H. (72) dhe D.S. (36). Në lidhje me të njëjtin rast, në stacionin policor të Prilepit janë thirrur edhe: S.A. (28), M.A. (31), Sh.A. (40), D.A. (22) dhe Xh.A. (36), gjithashtu nga Krusheva, që qëndrojnë në Prilep. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të parashtrohet denoncimi i duhur ligjor.
Janë regjistruar disa denoncime për agitacion gjatë votimit në disa vende, por pas ndërmarrjes së masave të nevojshme, deri tani nuk janë konfirmuar pretendimet e paraqitura.
MPB apelon te të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe demokratike. Çdo shkelje e procesit zgjedhor mund të raportohet në stacionin policor më të afërt ose në numrat e telefonit 192 ose 112.
KSHZ: Deri në ora 13:00 kanë votuar 335.244 qytetarë! Jehona e votuesve është 20,12%
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton rezultatin e pjesëmarrjes deri në orën 13:00
“Deri në orën 13:00 janë pranuar të dhëna për pjesëmarrjen nga 3.207 vendvotime. Kanë votuar 335.244 qytetarë, që përbën 20,12% të votuesve”, thonë nga KSHZ.
Mbyllet Muzeu i Luvrit pas një grabitjeje
Ministrja e Kulturës në Francë, Rachida Dati, tha se më 19 tetor është raportuar për grabitje në Muzeun e Luvrit në Paris, duke njoftuar se muzeu me famë botërore është mbyllur.
“Hyrja e paligjshme ndodhi mëngjesin e sotëm gjatë hapjes së Muzeut të Luvrit”, shkroi ajo në X, duke përdorur shprehjen “hyrje të paligjshme” që në gjuhën frënge mund të nënkuptojë edhe “grabitje”.
“Nuk është raportuar për të lënduar. Unë jam në vendin e ngjarjes së bashku me stafin e muzeut dhe policinë”, shtoi ajo.
Të paktën një person kishte hyrë në muze, thanë për AFP-në zyrtarë të muzeut, por nuk dhanë detaje nëse ishte vjedhur ndonjë gjë nga muzeu.
Muzeu i Luvrit vetëm tha se do të mbyllet sot “për arsye të jashtëzakonshme” dhe nuk dha detaje të tjera.
Prokuroria: Deri tani, nuk ka shkelje të rënda në procesin zgjedhor
Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e sotme e zgjedhjeve lokale 2025 po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa shkelje të mëdha të procesit zgjedhor, njofton Prokuroria Publike e Shtetit.
Që nga hapja e vendvotimeve në mëngjes, në prokuroritë publike dhe në adresën elektronike zyrtare izbori@jorm.mk nuk janë raportuar incidente apo parregullsi në vendvotime që do të kishin elemente të veprës penale.
“Një prokuror nga Prokuroria Publike e Strumicës është njoftuar gojarisht për fletëvotime të shtypura gabimisht në komunën e Novo Sellës dhe është zhvilluar bisedë lidhur me rastin. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është informuar që ta zëvendësojë materialin, por është konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale. Gjatë ditës së djeshme janë evidentuar disa raste të izoluara me dyshime për blerje votash në Veles, Prilep, Kriva Pallankë dhe Sveti Nikole. Në të gjitha këto raste po ndërmerren veprime hetimore nën drejtimin e prokurorëve publikë për të verifikuar pretendimet. Gjithashtu janë pranuar disa informacione për shkelje të mundshme të heshtjes zgjedhore, por deri tani numri i ngjarjeve që mund të kenë elemente penale është shumë i vogël. Në bazë të këtyre të dhënave, procesi zgjedhor po zhvillohet pa pengesa të mëdha nga aspekti i ndjekjes prokuroriale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Prokuroria shton se Komisioni i përkohshëm për ndjekjen e parregullsive zgjedhore vazhdon ta monitorojë tërësisht procesin e votimit edhe sot, ndërsa adresa elektronike izbori@jorm.mk mbetet e hapur për çdo denoncim të dyshimeve për vepra penale që mund të ndikojnë në rrjedhën e zgjedhjeve.
“Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund ta cenojnë procesin zgjedhor do të hetohen, dhe rastet do të trajtohen me prioritet,” – thekson Prokuroria.
Komuna e Bërvenicës me jehonën më të madhe të votuesve deri në orën 11 në rajonin e Tetovës
Në rajonin e Tetovës jehona më e madhe për zgjedhjet lokale deri në orën 11 është verejtur në komunën e Bërvenicës. Atje prej 16.150 qytetarë kanë votuar 1.346 ose 8,34 për qind. E njejta është edhe në komunën e Jegunovcës, ku kanë votuar 825 persona prej gjithsej 9.981 votuesve ose 8,27 për qind.
Komuna Zhelinës numëron gjithsej 25.731 votues, ndërsa deri në orën 11 kanë votuar 1.855 ose 7,21 për qind. Në kuadër të komunës së Tetovës, nga 87.878 qytetarë, kanë votuar 5.912 ose 6,73 për qind. Në komunën e Tearcës deri në orën 11 kanë votuar 6,44 për qind prej gjithsej 22.688 votues.
Përqindje më e vogël e votuesve ka në komunën e Bogovinjës. Deri në orën 11 atje kanë votuar 4,48 për qind e votuesve ose 1.301 prej gjithsej 29.088 e qytetarëve me të drejtë vote.
Deri në orën 11:00 në Tetovë kanë votuar 5,912 qytetarë! Dauti: Nuk pa pasur parregullsi
6,37 për qind e qytetarëve të Tetovë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 11:00. Nazmi Dauti nga KKZ tha se nuk kanë hasur në ndonjë parregullsi, ndërkohë që presin që numri i votuesve të rritet në orët në vijim.
“I gjithë procesi zgjedhor deri në këta momente që po flasim, zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk kemi asnjë pengesë apo ndonjë problematikë në asnjërin nga 117 vendvotimeve. Sa i përket daljes së zgjedhjeve deri në orën 11:00, ashtu siç e kemi mbledhur të dhënat, kanë votuar 5,912, që në përqindje i bije 6,37 për qind”, tha Nazmi Dauti.








