Siljanovska: Pres legjitimitet më të madh se në zgjedhjet e fundit

0

Pres zgjedhje demokratike. Pak është më e ndërlikuar në shikim të parë, ka më shumë lista, por sipas meje kjo u jep legjitimitet më të madh demokratik në zgjedhje, porositi presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila e realizoi të drejtën e saj zgjedhore në zgjedhjet lokale në SHF “Kole Nedellkovski” në Shkup.

Ajo theksoi se edhe krahas asaj se deputetët nuk e kanë plotësuar zbrazëtirën juridike pas vendimit të Gjykatës kushtetuese, druaja nga pasiguria juridike ka qenl e pabazuar.

“U tregua se edhe pse deputetët kanë lëshuar mundësinë ta bëjnë këtë, gjë që kanë pasur obligim juridik ta plotësojnë zbrazëtirën pas vendimit të Gjykatës kushtetuese, se druaja ka qenë e pabazuar. Ka shumë kandidatë, sa shoh, por qytetarët kanë edhe më shumë zgjedhje”, tha presidentja.

Mexhiti: Kur do t’i shohin rezultatet, të parët do të ikin nga zgjedhjet e parakohshme

0

Kryetar i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti u pyet nëse do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve lokale edhe në nivelin qendror. Siç tha Mexhiti për opozitën, do të ikin nga zgjedhjet e parakohshme sa t’i shohin rezultatet e lokaleve.

“Kur do t’i shohin rezultatet, me ua përmend zgjedhjet e parakohshme, do të ikin të parët”, tha Izet Mexhiti./tv21.tv

Lokalet a do të sjellin zgjedhje parlamentare? Ahmeti: Sigurisht se po

0

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se rezultatet e zgjedhjeve lokalet do të ndikojnë edhe në nivelin qendror, transmeton Tv21. Siç tha Ahmeti, këto zgjedhje kanë peshë të madhe politike.

“Sigurisht, unë e thash edhe në fillim, këto janë zgjedhje të karakterit sa lokal po aq rëndësi kanë edhe politike”, tha Ali Ahmeti.

Gashi: Kjo fushatë ishte një nga shembujt më të mirë se si praktikohej demokracia në shtetin tonë

0

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili e realizoi të drejtën e tij në zgjedhjet lokale në SHF “Kërste Petkov Misirkov” në Shkup, në deklaratë për media tha se sot është ditë e madhe për demokracinë dhe u uroi faktorëve politikë në shtet për, siç tha, fushatën dinjitoze.

“Sot është ditë e madhe për demokracinë. I përshëndes të gjithë qytetarët. U uroj faktorëve politikë në shtet për fushatë dinjitoze. Mendoj se kjo fushatë ishte një nga shembujt më të mirë se si praktikohej demokracia në shtetin tonë. Deri tani nuk ka pasur asnjë incident gjatë këtyre ngjarjeve. Mendoj se fushatë të tillë nuk kemi pasur deri tani. U uroj të gjithë qytetarëve, por edhe të gjithë faktorëve politikë në shtet për këtë fushatë, të realizuar në mënyrë të tillë”, porositi Gashi. 

Gashi bëri thirrje deri te faktorët politikë, institucionet dhe qytetarët ta mbajnë nivelin e deritanishëm të fushatës dinjitoze deri në fund të ditës. U bëri thirrje të gjitha institucioneve në shtet – Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, monitoring misioneve në shtet, të jenë në vendin e tyre, ta kryejnë punën e tyre në mënyrë më të ndershme dhe me përgjegjësi. Shpreson se kjo ditë do të finalizohet në mënyrën më të mirë të mundur.

U bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë qetë, me bindje të tyre dhe ta shprehin mendimin e tyre për subjektin politik, kandidatin për të cilin mendojnë se më së miri do t’i përfaqësojë gjatë katër viteve të ardhshme.

Mickoski: Pres të shpallim edhe një fitore të madhe historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin

0

Nga informatat që kam deri më tani, mund të them se dita po kalon qetë, me dinjitet, ashtu siç pritet, ashtu si edhe qytetarët e Maqedonisë. Pres që dita të përfundojë kështu sot, ndërsa me rezultatet të shpallim edhe një fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat, pasi votoi në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në komunën e Karposhit në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2025.

“Populli gjatë fushatës, por edhe në periudhën e kaluar mund të bëj një dallim të qartë dhe mendoj se qytetarët do të vendosin të shkojmë vetëm përpara, në zhvillim, ndërsa jo të kthehemi prapa në ato kohë kur Maqedonia plaçkitej dhe shitej. Maqedonia meriton më mirë dhe pres që sot kjo të jetë edhe zgjedhja e qytetarëve”, shtoi kryeministri. 

Në cilat komuna ekziston rreziku që zgjedhjet për kryetar komune të dështojnë?

0

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale deri në orën 17:00, në disa komuna është vërejtur një pjesëmarrje shumë e ulët, gjë që krijon rrezik që në këto komuna të mos zgjidhet kryetar komune.

Sipas nenit 132 të Kodit Zgjedhor, që të ketë fitues që në raundin e parë, ose që të zhvillohet raundi i dytë pas dy javësh, sot duhet të kenë votuar të paktën 33,33% e votuesve të regjistruar në komunën përkatëse.

Në Kodin Zgjedhor thuhet:

“Në raundin e parë për zgjedhjen e kryetarit të komunës zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave nga votuesit që kanë votuar, nëse në zgjedhje kanë dalë së paku një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse. Nëse në raundin e parë për zgjedhjen e kryetarit të komunës ose të kryetarit të Qytetit të Shkupit nuk del të paktën një e treta e votuesve të regjistruar, atëherë i gjithë procesi zgjedhor përsëritet për komunën përkatëse.”

Në vijim, deklarata e zëdhënësit të KSHZ-së për daljen e votuesve deri në ora 17:00

KSHZ: Jehona e votuesve deri në ora 17:00, 39.61%!

0

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale deri në orën 17:00 ka arritur në 39,61 për qind, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani tha se 673.052 votues e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Shabani tha se krahasuar me të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale të vitit 2021, jehona e votuesve para katër viteve ka qenë 41,38 për qind.

“Nuk kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor, por janë paraqitur si vëzhgues”, MPB me detaje rreth ndalimit të dy personave në Çair

0

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar ndalimin e dy personave në një shkollë në Çair, përcjell TV21. Sipas MPB-së, dy personat ishin paraqitur si vëzhgues, edhe pse nuk ishin të autorizuar për përfshirje në procesin zgjedhor. Policia thotë se personat në fjalë kishin refuzuar identifikimin.

“Për shkak të mosrespektimit të urdhrave të zyrtarëve të autorizuar dhe për verifikimin e identitetit, janë ndaluar dy persona në oborrin e një shkolle fillore në territorin e Çairit, në Shkup. Bëhet fjalë për F.E. (35) dhe N.E. (44). Respektivisht, personat nuk kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor, por janë paraqitur si vëzhgues të zgjedhjeve. Ata ndodheshin në oborrin e shkollës dhe kanë refuzuar të identifikohen. Po merren masa për sqarimin e rastit”, thonë nga MPB.

Votuesi më i vjetër në Maqedoni, 107-vjeçari Ibush Ademi shfrytëzoi të drejtën e tij për të votuar

0

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Ibush Ademi, 107 vjeç, është votuesi më i vjetër në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Ndonëse në gjendje shëndetësore të rënduar, ai sot shfrytëzoi të drejtën për të votuar në vendvotimin e tij në Çair. Në pamundësi për të folur para kamerave, në vend të tij foli fqinji i tij, i cili kujdesët për 107-vjeçarin.

“E ka mbajtur shumë veten, nuk ka konsumuar çfarëdo ushqimi, me bulmete, me kos, ujë të thjesht nuk ka pirë, me ujë të gazuar. Shumë ka qenë pedant. Edhe jetën edhe familjen e ka ashtu. Në këmbë ka dhimbje, ndonjëherë i dhemb koka “, tha Muzafer Mustafa, fqinji i 107-vjeçarit Ibush Ademi.

Jehona e votuesve deri në orën 15:00 në Kumanovë dhe Likovë

0

Nga 94,041 qytetarë që kanë të drejtë të votës në Kumanovë, 29,285 ose 31,14% e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 15:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Procesi i votimit është duke u zhvilluar në 164 qendra.

Ndërsa në Likovë, të drejtë vote kanë 26,362 qytetarë. deri në orën 15:00 të drejtën e votës e shfrytëzuan 6,997 apo 26,57% e votuesve. Votimi është duke u zhvilluar në 36 qendra./tv21.tv