Princi Andrew humb titujt dhe dëbohet nga shtëpia mbretërore

0

Princi Andrew do të largohet nga shtëpia e tij në Royal Lodge në Windsor pasi iu dorëzua një njoftim zyrtar për të hequr dorë nga kontrata e qirasë, tha Pallati Buckingham.

“Mbreti Charles ka nisur një proces formal për të hequr stilin, titujt dhe nderimet e Princit Andrew”, i cili tani do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor”, ka njoftuar pallati.

Andrew nuk e ka kundërshtuar procesin, raportoi PA.

Lidhjet e Andrewit me abuzuesin seksual të fëmijëve dhe financuesin Jeffrey Epstein vazhdojnë të shkaktojnë polemika. Kuptohet që, megjithëse ai i mohon akuzat, Pallati i Buckingham konsideron se ka pasur gabime nga ana e tij.

“Tani është dërguar një njoftim zyrtar për të hequr dorë nga kontrata e qirasë dhe ai do të zhvendoset në një banesë private alternative. Këto qortime konsiderohen të nevojshme, pavarësisht faktit se ai vazhdon të mohojë akuzat kundër tij. Madhëritë e tyre dëshirojnë ta bëjnë të qartë se mendimet e tyre më të thella kanë qenë dhe do të mbeten me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme abuzimi”, është thënë tutje në njoftim.

Princi Andrew do të zhvendoset në një pronë në pasurinë private Sandringham në Norfolk, që do të financohet privatisht nga mbreti.

Ish-gruaja e tij, Sarah Ferguson, do të largohet gjithashtu nga Royal Lodge dhe do të rregullojë vetë jetën e saj.

Zhvendosja do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Mbreti ka pasur mbështetjen e Princit të Uellsit në vendimin e tij.

Trump merr goditje të rëndë nga bashkëpartiakët! Senati miraton përfundimin e tarifave ndaj më shumë se 100 shteteve

0

Senati amerikan votoi për të përfunduar tarifat globale të Donald Trumpit për më shumë se 100 vende.

Votimi u miratua me 51 ndaj 47, në përpjekjen më të fundit dypartiake për të sfiduar tarifat, por është e pamundur që Dhoma e Përfaqësuesve të ndërmarrë një veprim të ngjashëm.

Senati amerikan mori një qëndrim kundër tarifave globale të Trumpit, që përfshinin mbi 100 vende, duke votuar të enjten për të anuluar tarifat e ashtuquajtura “reciproke”.

Katër republikanë bashkëpunuan me të gjithë demokratët për të votuar 51-47 një rezolutë për të përfunduar tarifat themelore që presidenti vendosi me urdhër ekzekutiv.

Ishte hera e tretë që republikanët votuan së bashku me demokratët për një rezolutë për tarifat këtë javë; më parë kishin bashkuar forcat për të përfunduar tarifat që synonin Brazilin dhe Kanadanë.

Shumë rrallë ndodh që republikanët të shkojnë kundër Trumpit në mandat të tij të dytë. Por, senatorët republikanë Susan Collins (Maine), Mitch McConnell dhe Rand Paul (Kentucky), dhe Lisa Murkowski (Alaska) iu bashkuan partisë opozite.

Vota erdhi ndërsa Trumpi po përfundonte një javë në Azi, ku ai arriti një marrëveshje me Kinën për të ulur tarifat mbi mallrat kineze dhe për ta bërë Kinën të blejë soja ameri­kane, një pikë shqetësuese nga lufta tregtare që kishte bërë bujqit të pasigurt.

Me gjithë opozitën në Senat, Dhoma e Përfaqësuesve me gjasë nuk do t’i nënshtrohet veprimit të ngjashëm. Republikanët në Dhomë krijuan një rregull më herët këtë vit që bllokon rezolutat mbi tarifat nga marrja e votës në sallë.

Rezolutat për tarifat tani nuk janë vetëm kritikë ndaj vetë tarifave, por edhe ndaj Trumpit për tejkalimin e autoritetit të Kongresit.

Bajram Rexhepi njofton për “mobilizim të shkallës së lartë”

0

Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi ka vazhduar fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 nëntor.

Ka paralajmëruar “mobilizim të shkallës së lartë”.

Mexhiti dhe Kasami trokasin në dyert e tetovarëve: Më 2 nëntor, konfirmojmë fitoren e madhe

0

Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë zhvilluar fushatë bashkërisht në Tetovë dhe kanë trokitur në dyer të tetovarëve.

Në njoftimin e tij në Facebook, Kasami tha se qytetarët janë duke e “përqafuar vizionin e tyre çdo ditë e më shumë” dhe se më 2 nëntor do të “konfirmohet fitorja e madhe”.

“Bashkë me zv/kryeministrin Izet Mexhiti, trokitëm derë më derë në Tetovë për ta kërkuar mbështetjen për të mirën e Tetovës, për Tetovën që ecë përpara me infrastrukturë moderne, pastërti, mirëqenie dhe zhvillim.
Qytetarët po e përqafojnë vizionin tonë çdo ditë e më shumë. Më 2 nëntor konfirmojmë Fitoren e Madhe dhe vazhdojmë transformimin e qytetit”, shkruan Kasami.

“Maqedonia do të jetë pjesë e BE-së” – Mickoski fton për unitet të të gjitha partive

0

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski tha se rruga e Maqedonisë drejtë BE-së nuk do të jetë poshtëruese dhe ofenduese, por dinjitoze dhe shtoi se nuk do të lejojnë që të kushtëzohet identiteti maqedonas. Mickoski shtoi se dëshiron dialog me fqinjët, por jo diktat. Ndërkohë shtoi se, dialogu duhet të jetë bazuar në respekt dhe vlera evropiane.

E për këtë, kryeministri Mickoski bëri thirrje për unitet të të gjitha partive, që të ketë strategji të përbashkët.

“Dhe kur do të ulemi tryezë me Brukselin, nuk do të ulemi në gjunjë dhe të gjunjëzohemi, por do të qëndrojmë të drejtë me fakte, me argumente dhe me respekt. Maqedonia do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por me kurriz të drejtë dhe me shenjë të qartë se çfarë do të thotë identiteti maqedonas dhe aftësi. Për këtë, duhet bashkimi i të gjithë, në baza partiake dhe në linjë etnike. Të mos ketë dallime, por të ketë strategji të përbashkët”, tha Hristijan Mickoski.

Musk bëhet personi i parë në histori me pasuri prej 500 miliardë dollarësh

0

Shefi i Teslas dhe pronari i X, Elon Musk është bërë personi i parë në histori që ka pasuri prej 500 miliardë dollarësh.

Kjo vjen pasi aksionet e Teslas u rritën me rreth 14 për qind këtë vit dhe Musk, i cili zotëron 12 për qind të aksioneve në kompani, po korr përfitimet.

Vlera e aksioneve të kompanisë së makinave është rritur me më shumë se 20 për qind gjatë vitit të kaluar, raporton Metro.uk, transmeton Klankosova.tv.

Aksionet në prodhuesin e makinave elektrike ishin 427.90 dollarë për aksion në janar, por ranë në 220.67 dollarë kur Musk u kritikua ndërsa punonte për Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë së Donald Trump.

Në trajektoren e tij aktuale, Musk së shpejti mund të bëhet trilioneri i parë në botë.

E djathta ekstreme holandeze humb zgjedhjet

0

Qeveria e ardhshme e Holandës nuk do të ketë në gjirin e saj të djathtën ekstreme dhe mund të udhëhiqet nga një kryeministër homoseksual. Në zgjedhjet e fundit humbi terren forca anti-islame “Partia e Lirisë” e drejtuar nga Geert Wilders, ndërsa u rrit mbështetja për partinë e qendrës D66.

Me shumicën e votave të numëruara nga zgjedhjet e së mërkurës, D66 e Rob Jetten dhe PVV e Wilders u barazuan herët të enjten, ku të dyja pritet të marrin 26 vende në dhomën e ulët prej 150 vendesh të parlamentit.

Ky rezultat shënon një rënie të ndjeshme për të djathtën ekstreme, ndërsa D66 trefishoi rezultatin. Zgjedhjet holandeze u panë si një provë nëse e djathta ekstreme mund të zgjerojë shtrirjen apo nëse ka arritur kulmin në këtë pjesë të Europës.

Të gjitha partitë kryesore e kanë përjashtuar qeverisjen me Wilders. Kjo nuk i lë atij një rrugë të qëndrueshme drejt shumicës, ndryshe nga udhëheqësi i ri i D66, Jetten.

“Ne i kemi treguar jo vetëm Holandës, por edhe botës se është e mundur të mposhten lëvizjet populiste dhe të ekstremit të djathtë”, i tha Jetten turmës gjatë festimeve natën e zgjedhjeve.

Për Wilders, rezultati i së mërkurës është shumë më poshtë se 37 vendet që partia anti-emigracion mori në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2023.

Por gjithashtu kjo është hera e parë që pati barazim midis dy partive kryesore dhe kjo mund të vonojë dhe ndërlikojë më tej bisedimet për formimin e koalicionit, të cilat zakonisht zgjasin me muaj në Holandë.

Tradicionalisht, partia me më shumë vota ngarkohet së pari nga parlamenti me detyrën për të formuar një qeveri. Meqenëse partitë kryesore kanë përjashtuar një koalicion me Wilders, kjo e vendos Jetten në pozicionin kryesor për të formuar një qeveri dhe për t’u bërë kryeministri më i ri i vendit.

Popullariteti i 38-vjeçarit Rob Jetten u rrit ndjeshëm muajin e kaluar, ndërsa ai bëri fushatë me premtimin për të zgjidhur mungesën e strehimit, për të investuar në arsim dhe për të trajtuar shqetësimet e imigracionit.

Apple bëhet kompania e tretë që kalon vlerën 4 trilionë dollarë

0

Apple është bërë kompania e tretë në histori që ka kaluar vlerën e 4 trilionë dollarëve në treg, duke iu bashkuar gjigantëve të tjerë të teknologjisë Nvidia dhe Microsoft, të cilët arritën këtë moment historik në fillim të këtij viti.

Aksionet e Apple janë rritur me 0.1% të martën, duke vazhduar një rimëkëmbje të ndjeshme, të mbështetur nga shitjet e forta të iPhone 17, përfshirë në Kinë, një treg kyç ku kompania më parë ka pasur performancë të dobët.

Trendi është një përmbysje e fatit të Apple nga fillimi i këtij viti, kur aksionet e kompanisë kishin rënë ndërsa ajo përballonte një mori sfidash, duke nisur nga tarifat e presidentit, Donald Trump deri te vonesat e produkteve të inteligjencës artificiale dhe presioni për të prodhuar telefonat e saj inteligjentë në ven

Izraeli kryen sërish sulme në Gaza

0

Avionët dhe tanket izraelite kanë bombarduar zona në Gazën lindore të enjten, kanë thënë banorët dhe dëshmitarët palestinezë, një ditë pasi Izraeli tha se mbetej i përkushtuar ndaj armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja, pavarësisht nisjes së bombardimeve më vdekjeprurëse në territor.

Dëshmitarët kanë thënë se aeroplanët izraelitë kanë kryer 10 sulme ajrore në zonat në lindje të Khan Younis në Rripin jugor të Gazës, ndërsa tanket kanë bombarduar zonat në lindje të qytetit të Gazës në veri. Nuk u raportuan të lënduar ose të vdekur.

Ushtria izraelite ka thënë se ka kryer sulme “të sakta” kundër “infrastrukturës terroriste që përbënte një kërcënim për trupat” në zonat, të cilat Izraeli ende i pushton.

Sulmet e së enjtes janë prova më e fundit e armëpushimit të brishtë që ka hyrë në fuqi më 10 tetor në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

Dëshmitarët në Gaza kanë thënë se nuk kanë parë sulme jashtë zonës që kontrollon Izraeli.

Nga e marta deri të mërkurën, Izraeli është hakmarrë për vdekjen e një ushtari izraelit me bombardime për të cilat autoritetet shëndetësore të Gazës thanë se vranë 104 persona.

Izraeli thotë se ushtari u vra në një sulm nga persona të armatosur në territorin brenda të ashtuquajturës “vijë e verdhë” në të cilën trupat e tij u tërhoqën sipas armëpushimit. Hamasi e ka hedhur poshtë akuzën.

Futbollisti Naser Aliji përjeton ditën më të rëndë – humb nënën e tij

0

Dita e sotme ka qenë tepër e dhimbshme për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Naser Aliji. Nëna e tij ka ndërruar jetë, duke e zhytur futbollistin e Dinamos në pikëllim të thellë.

Aliji ka ndarë një postim prekës në rrjetet sociale, ku shpreh dhimbjen për humbjen e nënës.

“Ah moj nanë… Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, shkruan Aliji dhe publikoi fotografi me nënën e tij.