Pakistani dhe Afganistani vazhdojnë armëpushimin pas bisedimeve në Stamboll

0

Pakistani dhe Afganistani ranë dakord të vazhdojnë armëpushimin pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari në Stamboll, sipas një kumtese të përbashkët të publikuar mbrëmë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.

“Të gjitha palët u dakorduan të krijojnë një mekanizëm monitorimi dhe verifikimi që do të sigurojë ruajtjen e paqes dhe do të vendosë ndëshkime ndaj palës që shkel marrëveshjen,” thuhet në kumtesë, duke iu referuar bisedimeve të zhvilluara midis 25 dhe 30 tetorit, raporton media britanike.

Afganistani dhe Pakistani gjithashtu ranë dakord të vazhdojnë bisedimet e paqes më 6 nëntor në Stamboll, duke ruajtur armëpushimin deri atëherë, sipas deklaratës së Ministrisë turke të Jashtme për TRT World.

“Të gjitha palët ranë dakord të vazhdojnë armëpushimin. Modalitetet e zbatimit do të shqyrtohen dhe vendosen në një takim të nivelit të lartë më 6 nëntor 2025 në Stamboll,” njoftoi ministria turke.

Në ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë afgane i tha Al Jazeera se negociatat “u zhvilluan në atmosferë pozitive”.

Përleshjet shpërthyen pas sulmeve ajrore pakistaneze ndaj Kabulit në fillim të këtij muaji, duke bërë që Afganistani të përgjigjej me sulme ndaj pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit të gjatë 2.600 kilometra.

Armata pakistaneze publikoi javën e kaluar se pesë ushtarë dhe 25 anëtarë të lëvizjes talebane pakistaneze humbën jetën në përleshjet në zonën kufitare.

Buxheti i Kosovës 4 miliardë euro, paralajmërohet edhe paga e 13-të për sektorin publik

0

Buxheti i Kosovës për vitin 2026 do të jetë 4 miliardë euro, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai në mbledhjen e sotme të qeverisë, tha se qeveria do të ndajë edhe pagën e 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik në fund të vitit.

“Është buxhet në vlerë 4 miliardë euro. Ku një miliard euro janë buxhetor janë buxhetuar për investime kapitale. Një risi me këtë buxhet do të jetë dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik me qeverinë tonë në fund të vitit do të mund të përfitojë edhe pagën e 13-të”, tha ai.

Manchester United gati të ofrojë 200 milionë euro për Vinícius Júnior

0

Manchester United është i gatshëm të bëjë një ofertë rekord prej 200 milionë eurosh për të transferuar Vinícius Júnior nga Real Madridi në verën e vitit 2026.

Sulmuesi brazilian po kalon një periudhë të tensionuar në Madrid, ku marrëdhëniet e tij me trajnerin Xabi Alonso nuk janë të mira dhe rinovimi i kontratës së tij është pezulluar. Kontrata aktuale e Vinícius skadon në vitin 2027, ndaj kjo mund të jetë një nga mundësitë e fundit që Real Madridi të përfitojë financiarisht nga ai.

Sipas raportimeve, edhe pse klubi spanjoll nuk e ka vënë në shitje lojtarin, një ofertë e tillë e lartë mund t’i detyrojë drejtuesit të marrin në konsideratë negociatat.

Nga ana tjetër, Manchester United e sheh brazilianin si lojtarin ideal për të forcuar repartin ofensiv dhe për t’i dhënë skuadrës energji të re. Për ta bërë marrëveshjen të mundur, klubi anglez duhet të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe t’i garantojë Viníciusit një rol kryesor në ekip.

Nëse transferimi realizohet, ai do të ishte një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit dhe do të sillte ndryshime të mëdha si për United ashtu edhe për Real Madridin.

Më pak PlayStation, më shumë përqendrim! Spalletti vendos rregulla të forta në Juventus për ringjalljen e ekipit

0

Me Luciano Spalletti në krye të pankinës së Juventusit, pritet një ndryshim vendimtar në disiplinë dhe kodin e sjelljes brenda ekipit. Trajneri njihet për vëmendjen e tij të jashtëzakonshme ndaj integritetit dhe bashkëpunimit në ekip, dhe rregullat e reja synojnë të rivendosin një mjedis profesional dhe të fokusuar.

Sipas përmbledhjes së Corriere della Sera, udhëzimet e Spallettit për lojtarët janë të qarta:

  • Më pak telefona celularë: Përdorimi i telefonave inteligjentë do të ndalohet në tryezë dhe gjatë takimeve teknike.
  • Tolerancë zero për vonesat: Pjesëmarrja dhe saktësia në oraret e trajnimeve janë të detyrueshme.
  • Rregull dhe përqendrim: Ndalohet abuzimi me kufjet dhe përdorimi i PlayStation-it do të jetë i moderuar, për të siguruar që lojtarët të jenë të përqendruar në punën dhe identitetin e ekipit.

Qëllimi i trajnerit të ri është të ngjallë shpejt një ndjenjë serioziteti dhe profesionalizmi, thelbësore për ringjalljen e menjëhershme të Juventusit drejt objektivit të Ligës së Kampionëve.

Kim Kardashian trondit opinionin: Njeriu nuk ka zbritur kurrë në Hënë, gjithçka është e sajuar

0

Ylli i njohur televiziv Kim Kardashian ka shkaktuar debat të madh në rrjetet sociale me deklaratën e saj të fundit, ku shprehu hapur mosbesimin ndaj një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e njerëzimit – zbritjes së njeriut në Hënë në vitin 1969.

Në një episod të ri të serialit të saj “The Kardashians”, Kim u shpreh se misioni “Apollo 11” dhe momenti kur Neil Armstrong vendosi këmbën e parë në sipërfaqen hënore ishin, sipas saj, “të inskenuara”.

“Mendoj se nuk ka ndodhur,” – tha Kardashian, duke u bashkuar kështu me një listë të personazheve publikë që besojnë në teorinë konspirative të zbritjes së rreme në Hënë.

Debati me Sarah Paulson

Gjatë xhirimeve të serialit dramatik “All’s Fair”, Kim përpiqej të bindte aktoren Sarah Paulson që të dyshonte për vërtetësinë e këtij momenti historik.

“Do të të dërgoj miliona artikuj për Buzz Aldrin dhe… atë tjetrin,” – tha Kim me humor, duke iu referuar Neil Armstrong. Paulson iu përgjigj me një të qeshur: “Po, bëje.”

Kim më pas përmendi një video që, sipas saj, tregon momentin kur Buzz Aldrin pranon se zbritja në Hënë nuk ka ndodhur.

“Ai është 95 vjeç tani dhe thotë të vërtetën, sepse nuk i intereson më çfarë mendojnë të tjerët,” – shtoi Kardashian.

Argumentet e saj

Kim renditi disa “prova” që, sipas saj, tregojnë se gjithçka ishte një skenar i sajuar nga NASA për të fituar garën hapësinore ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë:

Flamuri amerikan që valëvitet, ndonëse në Hënë nuk ka atmosferë apo erë;

Gjurmët e këpucëve të astronautëve, të cilat sipas saj nuk përputhen me ato të ekspozuara në muze;

Mungesa e yjeve në sfondin e fotografive të bërë në sipërfaqen hënore.

“Mendoj se nuk kemi qenë kurrë atje. Ishte e rreme. Kam parë disa video ku Buzz Aldrin e pranon vetë dhe e përsërit shpesh,” – shtoi Kim.

Reagimet dhe kritikat

Deklarata e Kim Kardashian ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa e akuzuan për përhapje dezinformatash dhe nxitje të teorive konspirative, ndërsa të tjerë e mbrojtën, duke thënë se “ka të drejtë të mendojë ndryshe”.

Ekspertët e hapësirës dhe historianët e NASA-s kanë përsëritur se zbritja në Hënë në vitin 1969 është dokumentuar me mbi 382 kilogramë mostra shkëmbinjsh hënorë, mijëra orë transmetimesh, dhe dëshmi nga qindra inxhinierë e astronautë që morën pjesë në programin “Apollo”.

Megjithatë, deklarata e Kardashian ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga teoritë më të diskutueshme të shekullit të kaluar – pyetjen e famshme: A ishte zbritja në Hënë një realitet historik apo një mashtrim monumental?

Paraburgim për tetovarin, i cili në Facebook kërcënoi me vrasje një grua dhe zyrtarët e një partie politike

0
Focus on man hands typing message

Nga Prokuroria Themelore e Tetovës thonë gjykata në Tetovë ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për një një 49-vjeçari nga Tetova, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Kërcënim i sigurisë”. Nga Prokuroria thonë se me postimin e tij në rrjete sociale, i cili kishte përmbajtje fyese, nënçmuese dhe kërcënuese, ka shkaktuar ndjenjë shqetësimi dhe frike tek një grua.

“I dyshuari, më 28 tetor, nga një profil në rrjetin social Facebook, ka publikuar një video dhe tekst në gjuhën shqipe, në të cilat ka kërcënuar hapur me vrasje dhe vepra të tjera të rënda penale ndaj një gruaje, si dhe ndaj zyrtarëve të një partie politike dhe personave me bindje politike të caktuara. Prokurori publik, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Tetovës. Gjykata ka pranuar kërkesën dhe ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarin”, thonë nga Prokuroria.

Takim i rrallë SHBA–Kinë në Kuala Lumpur, Hegseth për Tajvanin: S’kërkojmë konflikt, por do mbrojmë interesat tona

0

Shtetet e Bashkuara do t’i “mbrojnë me vendosmëri interesat e veta”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një takimi të premten në Kuala Lumpur me ministrin e Mbrojtjes së Kinës, Dong Jun.

Takimi, që pasoi një telekonferencë në shtator, ishte një tjetër shenjë e përmirësimit gradual të komunikimit ushtarak midis dy palëve, në një periudhë tensionesh të larta rajonale dhe rritjes së pranisë ushtarake në gjithë Azinë Lindore.

Hegseth i tha ministrit kinez të Mbrojtjes Kombëtare se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për veprimtarinë e Kinës në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore dhe përreth Tajvanit.

Në një postim në X, ai e përshkroi takimin si “të mirë dhe konstruktiv”.

“Ne do t’i vazhdojmë bisedimet me Ushtrinë Çlirimtare Popullore për çështje me rëndësi të përbashkët”, shkroi ai pas takimit, i cili u zhvillua në kuadër të mbledhjes së ministrave të mbrojtjes të ASEAN-it në kryeqytetin e Malajzisë.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt, por do të vazhdojnë t’i mbrojnë me vendosmëri interesat e veta dhe të sigurohen se i kanë kapacitetet e nevojshme në rajon për ta bërë këtë”, shtoi ai.

Ministria kineze e Mbrojtjes tha se Dong i kishte kërkuar Hegsethut që Shtetet e Bashkuara të jenë të kujdesshme në fjalë dhe veprime lidhur me Tajvanin dhe të mbajnë një qëndrim të qartë kundër “pavarësisë” së tij.

Ministria citoi Dongun të ketë thënë se Kina është e përkushtuar ndaj zhvillimit paqësor, ndërkohë që mbron me vendosmëri interesat e sigurisë kombëtare të vendit.

“Ajo ka aftësinë e plotë për t’iu përgjigjur me qetësi çdo shkeljeje apo provokimi”, thuhet në deklaratë.

Këto deklarata vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha të enjten se çështja e Tajvanit nuk ishte përfshirë në takimin e tij me presidentin kinez, Xi Jinping, në Busan të Koresë së Jugut, ndërsa deklarata zyrtare kineze gjithashtu nuk e përmendi Tajvanin.

Kina i ka rritur vazhdimisht dislokimet ajrore, detare dhe të rojeve bregdetare rreth Tajvanit, të cilin e konsideron pjesë të veten. Ajo e cilëson presidentin e Tajvanit, Lai Ching-te, si “separatist”.

Lai i kundërshton pretendimet e sovranitetit të Pekinit, duke thënë se vetëm populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij.

Pentagoni ka kërkuar përmirësim të komunikimit me Kinën në lidhje me modernizimin e ushtrisë së saj dhe qëndrimin rajonal, duke përfshirë transparencë më të madhe mbi ndërtimin e arsenalit bërthamor dhe më shumë diskutime në nivel komandash ushtarake.

Ministria kineze e Mbrojtjes tha se Dong i kishte thënë Hegsethut se takimi Trump–Xi kishte ofruar “udhëzim strategjik” për përmirësimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes dhe se tani duhet të merren “masa praktike”.

Shkup, privohet nga liria shoferi që goditi me veturë vajzën 11 vjeçe dhe u largua nga vendi i ngjarjes

0

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se është privuar nga liria shoferi që para katër ditëve goditi një vajzë 11 vjeçe nga Shkupi me veturë dhe u largua nga vendi i ngjarjes, përcjell TV21. Nga MPB thonë se gjithashtu është gjetur edhe vetura.

“Më 30.10.2025, rreth orës 19:30, pas masave operative të ndërmarra, zyrtarët policorë të Njësisë së Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup e privuan nga liria B.R. (59) nga Shkupi. Ai, më 28.10.2025 rreth orës 20:30, në rrugën “Pero Nakov” në Shkup, me një automjet pasagjerësh “Fiat Seicento”, kishte goditur një vajzë 11-vjeçare nga Shkupi, pas së cilës ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident, e mitura kishte pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë”. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, janë ndërmarrë masat përkatëse dhe shoferi dhe automjeti janë gjetur. Me urdhër të prokurorit publik, B.R. është ndaluar në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal përkatës”, thonë nga MPB./tv21.tv

Kapen rreth 130 kg marihuanë në një kamion në “Tabanoc”, në pranga shtetasi i Serbisë

0

Nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë kërkojnë paraburgim për një shtetas të Serbisë, pasi i njëjti është kapur duke transportuar rreth 13 kilogramë marihuanë, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Prokurorisë, shetasi i Serbisë po voziste një kamion me targa të Sllovenisë, ndërsa droga ishte fshehur në 14 çanta.

“Më 29 tetor, në pikën kufitare Tabanoc, në një kamion me gjysmë rimorkio (frigorifer) me targa sllovene, ai është përpjekur të kalojë 129.7 kilogramë drogë narkotike – marihuanë. Droga, e vendosur në 14 çanta të fshehura në kamionin në pronësi të një kompanie transporti nga Sllovenia, është zbuluar nga doganierët gjatë kontrollit të automjetit, thonë mes tjerash nga Prokuroria./tv21.tv

Mbretëria e Bashkuar: Dodik dhe Cvijanoviq mbeten nën sanksione

0

Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq mbeten nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar.

Kështu thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme britanike dërguar Radios Evropa e Lirë, në pyetjen nëse ky shtet do t’i heqë sanksionet ndaj kryetarit të Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur dhe anëtares Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Përgjigja e Mbretërisë së Bashkuar vjen një ditë pasi Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit (OFAC), i hoqi nga lista e sanksioneve Dodikun, Cvijanoviqin, si dhe 48 anëtarë të tjerë të familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e afërt.

Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme thuhet se regjimi i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar mundëson vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që minojnë ose rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, subjektivitetin ndërkombëtar ose rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq vazhdojnë të jenë nën sanksione për shkak të veprimeve të tilla. Sanksionet kanë qëllimin e tyre. Shpresojmë që Dodik dhe Cvijanoviq do të ndryshojnë kursin e tyre të deritanishëm dhe do të tregojnë përkushtim thelbësor ndaj respektimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në përgjigjen për REL-in.

Më 11 prill 2022, Mbretëria e Bashkuar njoftoi për vendosjen e sanksioneve ndaj Millorad Dodikut dhe Zhelka Cvijanoviqit për shkak të, siç u tha, përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Sanksionet, që përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e pasurive, ishin të parat në kuadër të regjimit britanik të sanksioneve për Bosnjë dhe Hercegovinën, u tha atëbotë nga Qeveria britanike, ku u theksua se ato “nuk janë sanksione kundër Republikës Sërpska dhe as kundër qytetarëve të saj”.

Sanksionet britanike nënkuptojnë se Dodik dhe Cvijanoviq nuk mund të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe as të përdorin apo të kenë qasje në ndonjë pasuri që mund të zotërojnë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.

Siç thuhet në vendimin e autoriteteve britanike, “të inkurajuar nga përpjekjet ruse për të minuar sistemin ndërkombëtar”, Dodik dhe Cvijanoviq kanë shfrytëzuar pozitat e tyre të pushtetit për të shtyrë përpara një shkëputje de facto të Republikës Sërpska – njërës prej dy njësive përbërëse të Bosnjë dhe Hercegovinës – gjë që është drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit.

“Millorad Dodik ka ndërmarrë veprime për ta shkëputur Republikën Sërpska nga institucionet kyç shtetërore, duke përdorur retorikë përçarëse, të rrezikshme dhe nacionaliste, duke cenuar paqen e brendshme dhe rajonale dhe duke nxitur urrejtje etnike e mohimin e gjenocidit”.

“Ndërkaq, në tetor të vitit 2021, Zhelka Cvijanoviq e ka përdorur postin e saj për të paraqitur në Republikën Sërpska projektligje që synonin të transferonin kompetencat shtetërore në nivelin e entitetit. Cvijanoviq ka lavdëruar publikisht kriminelë lufte dhe ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë”, thuhet në dokumentin e Qeverisë britanike.

Në kohën kur u vendosën sanksionet, Dodik ishte anëtar i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, ndërsa Cvijanoviq presidente e Republikës Sërpska.