16-vjeçari nga Gostivari helmohet me alkool, përfundon në spital!

0

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka njoftuar për një rast helmimi të një të mituri nga Gostivari, i cili si pasojë ka përfunduar në Qendrën Urgjente të Gostivarit.

Sipas nënës së tij, alkoolin 16-vjeçari e ka konsumuar në objekt hotelerik në Gostivar.

“Më datë 01.11.2025 në orën 02:45 në DPB Gostivar, nga Qendra Urgjente Gostivar është denoncuar se tek ata është sjellë një i mitur i helmuar nga konsumimi i alkoolit. Menjëherë është vepruar sipas denoncimit dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një 16-vjeçar nga Gostivari, dhe sipas dëshmisë së nënës së tij, alkoolin e ka konsumuar në një objekt hotelierik në Gostivar. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë, përcjell TV21.

Skandal në “Ekonominë e Ujërave”, filiali Gostivar! Drejtoresha e rrahu punëtoren!

0

Një skandal ka ndodhur në filialin e Ekonomisë së Ujërave në Gostivar. Punëtorja ka denoncuar në Polici se është rrahur nga drejtoresha.

“Më datë 31.10.2025 në orën 12:45 në DPB Gostivar, N.J. (48) nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 11:20 në vendin e saj të punës në filialin e Ekonomisë së Ujërave, filiali në Gostivar, është sulmuar fizikisht nga drejtoresha J.N. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thuhet në raportin e Sektorit të Punëve të Brendshme Tetovë, njofton TV21.

Izraeli akuzon Hamasin për mashtrim: Trupat e kthyer nuk janë të pengjeve izraelite

0

Mbetjet më të fundit mortore të dorëzuara nga Hamasi në Izrael nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve të zhdukura, njoftoi ushtria izraelite të shtunën.

Hamasi është grup militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Sipas ushtrisë izraelite, mbetjet e tre trupave, të cilat u transferuan tek Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) të premten në mbrëmje, u ekzaminuan nga një institut mjekoligjor në Izrael.

Në të kaluarën, dorëzimi i mbetjeve mortore që më vonë rezultonte se nuk i përkisnin pengjeve, ka shkaktuar zemërim në Izrael. Qeveria izraelite nuk ka folur për pasojat e mundshme.

Maldivet ndalojnë duhanin për këtë gjeneratë turistësh

0

Maldivet kanë nisur zbatimin e ndalimit të pirjes së duhanit për këdo të lindur pas janarit 2007, duke u bërë i vetmi vend që ndalon një gjeneratë nga duhani.

Lëvizja u iniciua nga presidenti Mohamed Muizzu në fillim të vitit dhe hyrë në fuqi më 1 nëntor, që synon “mbrojtjen e shëndetit publik dhe promovimin e një gjenerate pa duhan”, raportoi Guardian.

“Me vendimin e ri, individët e lindur pas 1 janarit 2007 janë të ndaluar të blejnë, përdorin apo të shesin produkte të duhanit brenda Maldiveve”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Shitja e cigareve një personi nën 18 vjeç është e dënueshme me gjobë 3,200 dollarë.

KSHZ: Votimi për të sëmurët dhe të burgosurit po zhvillohet pa pengesa

0

Votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, për personat në paraburgim dhe në burgje, si edhe për qytetarët e vendosur në institucione të kujdesit social, po zhvillohet pa pengesa në të gjitha komunat ku nesër do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, njofton Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

“Votimi ka filluar sot në orën 7 të mëngjesit dhe po zhvillohet pa pengesa në të gjitha komunat dhe në Qytetin e Shkupit,” thuhet në njoftimin e KSHZ-së.

Sipas të dhënave zyrtare, sot të drejtën e votës e ushtrojnë 4.826 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, 1.256 persona në 14 institucione ndëshkimore-korrektuese dhe 214 qytetarë të vendosur në 13 qendra të kujdesit social.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, që do të zhvillohet nesër, do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizarë për këshilltarë komunalë.

Të drejtë vote kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë./TV21

Kafja më e shtrenjtë në botë? Në Dubai për 1 000 dollarë filxhani

0

Një kafene në Dubai po ofron kafenë më të shtrenjtë në botë, me çmim pothuajse 1 000 dollarë për filxhan, e përgatitur nga kokrra panameze të shitura me çmim rekord.

Dubai njihet për sipërmarrjert luksoze, si qendra tregtare gjigante me pistë skijimi brenda saj, ndërtesa më e lartë në botë dhe një ishull artificial i mbushur me hotele pesëyjëshe.

“E ndjemë se Dubai ishte vendi i përkryer për këtë investim”, tha Serkan Sagsoz, bashkëthemelues i kafenesë “Julith”, që ofron këtë kafe të rrallë.

E vendosur në një zonë industriale që është shndërruar në qendër për adhuruesit e kafesë, “Julith” planifikon të shërbejë rreth 400 filxhanë” të kësaj pijeje të çmuar duke filluar nga sot, tha Sagsoz.

Për një çmim prej 3 600 dirhamësh (rreth 980 dollarë), kjo kafe ofron një përvojë me aroma florale e frutash, të ngjashme me çajin.

“Ka nota të bardha lulesh si jasemini, shije agrumesh si portokalli dhe bergamot, si dhe nuanca kajsie e pjeshke”, shpjegoi Sagsoz, i cili më parë drejtonte një kafene në Turqi. “Është si mjaltë ,delikate dhe e ëmbël”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Dubai kishte hyrë në “Librin Guinness” për kafenë më të shtrenjtë në botë, kur kafeneja “Roasters” ofroi një filxhan për 2 500 dirhamë.

Rekordi i ri ka habitur disa njerëz, megjithatë për banorët e qytetit të luksit kjo nuk është befasi.

“Është tronditëse, por nga ana tjetër, është Dubai”, tha një banore, Ines. “Për njerëzit e pasur, është thjesht një tjetër përvojë për t’u mburrur”, shtoi një tjetër, Maeva.

Kafeneja “Julith” bleu kokrrat e saj të rralla në një ankand në Panama pas një gare të ashpër që zgjati me orë dhe mblodhi qindra oferta.

Sipas saj, 20 kilogramë kokrra u shitën për rreth 2.2 milionë dirhamë (rreth 600 000 dollarë) çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për kafe.

Vetëm tri gra në garë për kryetare komune

0

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet të dielën, më 2 nëntor, nga gjithsej 33 komuna ku do të zhvillohet votimi, vetëm tri gra janë kandidate për postin e kryetares së komunës.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), kandidate janë Sonja Stamenkova në Komunën e Maqedonska Kamenicës, e mbështetur nga koalicioni “Zgjedhjet Lokale 2025 – LSDM”, si dhe Marija Naceva në Komunën e Negotinës dhe Natalija Dimitrieva në Demir Kapi, të dyja nga koalicioni “Maqedonia Jote – VMRO-DPMNE”.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2025, vetëm një grua u zgjodh kryetare komune – Beti Stamenkoska Trajkoska nga VMRO-DPMNE, e cila do të udhëheqë Komunën e Kisella Vodës.

Nga gjithsej 44 kryetarë komunash të zgjedhur në raundin e parë, kjo përfaqëson vetëm 2.2 për qind përfaqësim gjinor.

Në këto zgjedhje morën pjesë gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash, prej të cilëve vetëm 32 ishin gra, që përbën 10.35 për qind të numrit të përgjithshëm të kandidatëve.

Numrin më të madh të kandidateve – tri – e pati Prilepi, ndërsa nga dy gra garuan në Manastir, Veles, Karposh, Kisella Vodë, Negotinë dhe Qendër.

Në 16 komuna dhe në Qytetin e Shkupit garoi vetëm nga një kandidate, ndërsa në shumë komuna nuk pati asnjë grua në fletët e votimit.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kanë 1.013.375 qytetarë, ndërsa votimi do të zhvillohet në 33 komuna ku asnjë kandidat nuk siguroi shumicën e votave në raundin e parë./TV21

Aktori francez, Tchéky Karyo ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare

0

Aktori i njohur francez Tchéky Karyo ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare, njoftuan mediat franceze.

I lindur në Paris nga prindër me origjinë turke, Karyo u bë i njohur për publikun ndërkombëtar me rolet e tij në filmat “L’Ours” (“Ariu”, 1988) dhe “Nikita” (1990) të Luc Besson, si dhe për interpretimin e detektivit Julien Baptiste në serialet britanike “The Missing” dhe “Baptiste”.

Gjatë një karriere të pasur që shtrihej për më shumë se katër dekada, ai bashkëpunoi me regjisorë të njohur të kinemasë franceze dhe ndërkombëtar.

Ndalet futbolli në Shqipëri

0

Dita e diel është shpallur Ditë Zie Kombëtare në Shqipëri pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se më 2 nëntor ndeshjet e planifikuara në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, Kategorinë e Tretë, kampionatin e vajzave dhe kampionatet e moshave do të shtyhen.

Në kampionatin “Abissnet Superiore”, takimet e ditës së diel do të spostohen të hënën në të njëjtin orar, ndërsa ndeshjet që ishin planifikuar për të hënën do të luhen të martën në orën 16:00.

Abissnet Superiore, java 10

Tirana – Bylis, 03.11.2025, 14:00

Dinamo City – Teuta, 03.11.2025, 17:00

Flamurtari – AF Elbasani, 03.11.2025, 17:00

FK Vora – Partizani, 04.11.2025, 16:00

Egnatia – Vllaznia, 04.11.2025, 16:00

Në Kategorinë e Parë, pesë ndeshjet që ishin planifikuar të luhej të dielën do të spostohen të hënën në orën 14:00. Të gjitha ndeshjet e javës së 10-të të Kategorisë së Parë do të zhvillohen të hënën.

Kategoria e Parë, java 10

Iliria – Burreli 03.11.2025 14:00

Kukësi – Kastrioti 03.11.2025 14:00

AF Luftëtari – Besa 03.11.2025 14:00

Laçi – Lushnja 03.11.2025 14:00

Pogradeci – Apolonia 03.11.2025 14:00

Skënderbeu – Korabi 03.11.2025 17:00

Në Kategorinë e Dytë, ndeshjet e Grupit A do të luhen sipas programit të shtunës, ndërsa takimet e Grupit B, të planifikuara për të dielën, do të spostohen të hënën në orën 13:00.

Partizani B – Devina, 03.11.2025, 13:00

Oriku – Maliqi, 03.11.2025, 13:00

Butrinti – Tomori, 03.11.2025, 13:00

Këlcyra – Eagle Football, 03.11.2025, 13:00

Ashtu siç është bërë e ditur më parë, në të gjitha ndeshjet e kampionateve “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Prej disa kohësh ai ndodhej në reanimacion në një prej spitale private të vendit ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, teksa gjendja shëndetësore u rëndua gjatë ditëve të fundit.

AShMAA: Mediat duhet të respektojnë heshtjen zgjedhore

0

Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri më 2 nëntor 2025 në orën 19:00, njofton Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.

Sipas Agjencisë, gjatë periudhës së heshtjes mediat mund të vazhdojnë të raportojnë për procesin zgjedhor dhe për rrjedhën e votimit, por nuk lejohet asnjë formë e paraqitjes mediatike zgjedhore.

  • “Nëse gjatë ditëve të heshtjes zgjedhore mediat transmetojnë ose publikojnë çfarëdo informacioni, fotografie, materiali audio apo audiovizual që lidhet me ose përfshin pjesëmarrës në zgjedhje; apo çdo formë raportimi që hapur ose fshehurazi mund të ndikojë në vendimin e votuesve; si edhe të dhëna që zbulojnë identitetin e subjekteve politike ose individëve të përfshirë në incidente apo parregullsi gjatë ditës së votimit — kjo do të konsiderohet si shkelje e heshtjes zgjedhore,” thuhet në njoftimin e AShMAA-së.

Në komunikatën e saj, Agjencia apelon që të gjitha mediat ta përshtatin programin e tyre në përputhje me rregullat e heshtjes zgjedhore.