Ndihmuan mjetin lundrues me emigrantë, anija shqiptare “Lissus” së bashku me autoritetet turke

0

Anija Lissus, pjesë e flotës së Rojës Bregdetare shqiptare në bashkëpunim me Rojen Bregdetare turke mori pjesë në një operacion kërkim-shpëtimi në ujërat territoriale të Turqisë.

Forca Detare bën të ditur se gjatë operacionit, ekuipazhi i anijes Lissus i ka ardhur në ndihmë një mjeti të vogël lundrues në rrezik, në të cilin ndodheshin emigrantë.

Siç u kumtua, ndërhyrja u zhvillua në koordinim të plotë me autoritetet turke, duke respektuar procedurat ndërkombëtare të sigurisë dhe bashkëpunimit detar./TV21

VIDEO/ U pickua nga gjarpri në majë të malit! Forca Ajrore e Shqipërisë i vjen në ndihmë shtetasit nga Kosova

0

Forca Ajrore e Shqipërisë i është përgjigjur thirrjes për ndihmë, duke shpëtuar një shtetas nga Kosova, i cili ishte pickuar nga gjarpri helmues i llojit nepërkë, në zonën malore të Currajve të Epërm në Tropojë, që është në një terren të vështirë.

Pas marrjes së njoftimit nga Ekipi i Kërkim–Shpëtimit të Kosovës, ekipi i Forcës Ajrore iu bashkua autoriteteve vendore dhe e transportuan të lënduarin në spitalin e Bajram Currit dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ndau videon nga momenti i shpëtimit të qytetarit duke theksuar vlerësuar vendosmërinë dhe guximin e “djemve të Forcës Ajrore, në përgjigje të thirrjes së emergjencës, ku reagimi në kohë shpëton jetë”./TV21

Superhëna e nëntorit është afër

0

Të mërkurën do të shihet superhëna më e afërt e vitit. Hëna do të duket pak më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht, sipas agjencisë hapësinore NASA.

Orbita e Hënës rreth Tokës nuk është rrethore e përsosur – ajo afrohet dhe largohet ndërsa rrotullohet.

Një superhënë ndodh kur Hëna është e plotë dhe ndodhet më afër Tokës në orbitën e saj, duke bërë që ajo të duket deri në 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme sesa hëna më e zbehtë e vitit, shkroi AP. 

Superhëna e nëntorit është e dyta nga tri superhëna që ndodhin këtë vit dhe gjithashtu më e afërta: Hëna do të afrohet në një distancë prej rreth 357,000 kilometrash nga Toka.

Asnjë pajisje e veçantë nuk nevojitet për ta parë superhënën – mjafton që qielli të jetë i kthjellët.

Megjithatë, ndryshimi në madhësinë e saj është vështirë të dallohet me sy të lirë.

Sindikatat kërkojnë paga më të larta! Punëtorët e Maqedonisë janë më produktivë sesa paguhen

0

Punëtorët e Maqedonisë janë më produktivë sesa paguhen, tregoi hulumtimi i Qendrës për Analiza Ekonomike dhe i Institutit të Vjenës. Në hulumtimin që përpunon të dhënat ekonomiko-sociale për sa afër apo larg është Maqedonia nga mesatarja e Bashkimit Evropian në tetë parametra, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, sigurimet sociale, thuhet se ekziston hapësirë për rritjen e pagës mesatare.

“Çfarë tregon ky hulumtim është se ne aktualisht jemi, bazuar në pagën mesatare, në një të tretën e mesatares evropiane, d.m.th. 33%, dhe nga aspekti i produktivitetit jemi në 50%. Nëse shikojmë vetëm këta dy faktorë, mund të themi se kemi produktivitet më të madh sesa paguhen, te ne pagat duhet të rriten si standard. A ka hapësirë për rritjen e pagave? Po. A duhet të rriten pagat? Po. A duhet të rriten pagat në bazë të produktivitetit? Unë do të thosha jo”, deklaron Viktor Mitevski, Qendra për Analiza Ekonomike

Hulumtimi gjithashtu sugjeron se rritja e pagave duhet të arrihet përmes përdorimit të teknologjisë, digjitalizimit dhe përmirësimit të cilësisë së ekonomisë.

“Nëse kemi parasysh se në Maqedoni 73,3% marrin pagë nën mesataren, atëherë kjo përqindje e raportit të pagës mesatare në Maqedoni dhe pagës mesatare të Bashkimit Evropian do të shkojë shumë më poshtë dhe kjo do të tregojë se punëtorët maqedonas janë shumë më produktivë sesa paguhen. Ajo që ne, si LSM e kemi theksuar kohët e fundit tashmë konfirmohet nga analiza të pavarura, të cilat duhet të dëgjohen nga krijuesit e politikave dhe punëdhënësit dhe më në fund, të hyjnë në spiralen e rritjes së pagave për punëtorët maqedonas”, vlerëson Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Statistikat zyrtare për pagën mesatare tregojnë se në korrik, gusht dhe shtator 2025 ka rritje të vazhdueshme, me një rritje rreth 10% krahasuar me vitin e kaluar. Paga mesatare mujore e paguar në gusht 2025 është rreth 45.310 denarë, ndërsa në korrik 45.276 denarë.

Tatimi i ri mbi karbonin! Paralajmërim për vendet e Ballkanit Perëndimor

0

Bashkimi Evropian nga 1 janari 2026 do të vendosë mekanizmin e ri – tatim mbi karbonin për mallrat e prodhuara jashtë Unionit, përfshirë edhe energjinë elektrike.

Kjo do të thotë se rryma e prodhuar nga qymyri në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë, do të kushtojë më shumë për blerësit evropianë dhe mund të shkaktojë një goditje serioze mbi të ardhurat e kompanive energjetike.

Sipas raportit të rrjetit Bankwatch, mënyra e vetme për të zbutur efektet është që rajoni të vendosë mekanizma të vetë për caktimin e çmimit të karbonit, gjë që mund të sjellë deri në 4,2 miliard euro në vit për tranzicionin e gjelbër./TV21

Jeta moderne po ul fertilitetin te meshkujt! Steroidet dhe ushqimi i përpunuar ndër arsyet kryesore

0

Faktorët që ndikojnë te infertiliteti i meshkujve, pra kur burri nuk mund të bëjë fëmijë, janë të shumëllojshëm, nga ato gjenetikë deri te mënyra e jetesës, tregon andrologu Mentor Spahiu.

Faktorë të tjerë që ndikojnë te fertiliteti janë edhe ushqimi, aktiviteti fizik, duhanpirja dhe lëndët narkotike, konfirmon andrologu Spahiu. Duke u ndalur te ushqimi, ai pohon për të pasur spermë cilësore duhet pasur kujdes edhe çfarë konsumohet.

Një gjë që me siguri ka ndikim negativ te fertiliteti i një mashkulli është përdorimi i steroideve, pra anabolikëve që konsumohen më së tepërmi nga ata që synojnë të arrijnë performancë dhe trup më të madh në fitnes, por nga ana tjetër dëmtojnë testikujt.

Sipas numrave që i ka andrologu për popullsinë në Maqedoni, 40 deri në 70 mijë çifte në vendin tonë kanë probleme të natyrës së infertilitetit.

VIDEO/ Të njihet gjenocidi dhe të dërgohen ndihma në Gazë – marsh në Shkup për Palestinën

0

Iniciativa “Të gjithë për Palestinën” sot mbajti një marsh protestues në Shkup, në shenjë solidariteti me popullin palestinez dhe dënimi të okupimit dhe gjenocidit.

Marshi filloi para përmendores “Simfonia e Paqes” (përballë gjimnazit “Josip Broz-Tito”), vazhdoi përgjatë Kuvendit dhe përfundoi para Ministrisë së Punëve të Jashtme, përcjell TV21.

Organizatorët theksuan se marshi ishte pjesë e një lëvizjeje globale të solidaritetit, me një mesazh të qartë: armëpushimi nuk e anulon përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera, dhe as nuk e fshin gjenocidin.

Ata kërkuan nga autoritetet maqedonase të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe morale, duke e njohur gjenocidin dhe duke vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në fokus ishte qasja e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e ndihmës humanitare për Gazën, si dhe rindërtimi i drejtë nën udhëheqjen e vetë popullit palestinez. Organizatorët theksuan se bllokimi ose kushtëzimi i ndihmës përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, dhe kërkuan mbikëqyrje aktive dhe përgjegjësi nga qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare për çdo pengesë.

Ata paralajmëruan gjithashtu se rindërtimi nuk duhet të shndërrohet në projekt fitimprurës për elitat, por duhet të shërbejë për rindërtimin e shtëpive, shkollave, spitaleve dhe dinjitetit njerëzor.

Organizatorët i drejtuan disa kërkesa konkrete Qeverisë, Kuvendit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme:

  1. Të dënojë gjenocidin në Gaza dhe të veprojë në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit;
  2. Të votojë në solidaritet me popullin palestinez në të gjitha votimet e ardhshme në OKB;
  3. Sërish ta njohë Palestinën;
  4. Të ndërpresë menjëherë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, kulturore, arsimore dhe sportive me Izraelin;
  5. Të marrë pjesë aktivisht në dërgimin e ndihmës humanitare për Gazën;
  6. Të arrestojë personat e ndjekur për krime lufte sapo të hyjnë në territorin e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me detyrimet si shtet anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Një 15-vjeçare u sulmua fizikisht nga tre vajza të mitura në Shkup

0

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për një rast të dhunës mes vajzave të mitura në Shkup.

“Më 31 tetor 2025, rreth orës 21:00, në SPB Shkup, M.S. (57) nga Shkupi ka raportuar se rreth orës 15:00, në territorin e Komunës Aerodrom në Shkup, vajza e saj 15-vjeçare është sulmuar fizikisht nga tre vajza të mitura, të cilat ajo i njihte. Njëra prej tyre ka përdorur një mjet të fortë gjatë sulmit”, qëndron në buletinin e MPB-së.

Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik, dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit./TV21

Serbia përkujton viktimat! Një vit nga tragjedia nga rënia e strehës në stacionin hekurudhor

0

Emri i Vasko Sazdovskit qëndron në tabelën përballë stacionit hekurudhor në Novi Sad. Ai është maqedonasi që humbi jetën gjatë rënies së strehës.

Me 16 minuta heshtje u shënua një vit nga tragjedia në të cilën humbën jetën 16 persona, ndërsa një tjetër u plagos.

Dhjetëra mijë qytetarë që mbrëmë erdhën në Novi Sad.

Inxhinieri gjeologjik Zoran Gjajiç, ish-ekspert konsultant në procesin e rindërtimit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, deklaroi se kur qytetarët të rikthejnë institucionet e tyre, të gjithë përgjegjësit për këtë tragjedi do të thirren për përgjegjësi.

“Shkarkimi mbi të vdekurit, mbi shpirtin e tyre, Zoti kurrë nuk do ta falë. Dhe ky popull, kur të marrë institucionet e tij, do t’i gjykojë ata në mënyrën e duhur, secili do të marrë dënimin e merituar. Nga presidenti i shtetit deri te i fundit që betonoi këtë strehë”, tha Zoran Gjajiq, inxhinier gjeologjik.

Gjyqi i Lartë në Beograd sot konfirmoi aktakuzën lidhur me rrëzimin e strehës. Në gjyq do të ulen drejtuesi i infrastrukturës së Hekurudhave serbe dhe dy anëtarë të Komisionit për Inspektim Teknik të Stacionit Hekurudhor.

Profesoresha Smiljana Milinkov tha se lidhur me marrëdhëniet midis autoriteteve qytetare dhe republikane – „nuk ka asnjë grimcë empatie“.

“Autoritetet qytetare dhe ato republikane, nuk kanë aspak empati. Si mund të mos ndodhte kjo në Novi Sad. Si mund të mos ndodhte kjo në vendin tonë. Dhe kjo është ajo që na dhemb shumë. Ajo më e vogla njerëzore që dikush ta tregonte. Kjo është ajo që prek dinjitetin tonë dhe dhemb shumë”, deklaroi profesoresha, Smiljana Milinkov.

Tragjedia në një masë të madhe i atribuohet pakujdesisë qeveritare, korrupsionit dhe marrëveshjeve të dyshimta me kompani kineze ndërtimi që morën pjesë në rinovimet e fundit të stacionit hekurudhor.

Fillimisht, protestat filluan si demonstrata sporadike ku kërkohej përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad. Megjithatë, ato shpejt u zhvilluan në një lëvizje kombëtare që merrej me çështje më të gjera, si kërkesat për zgjedhje të parakohshme dhe reforma të mëdha demokratike.

Lëvizja mori mbështetje të gjerë nga segmente të ndryshme të shoqërisë serbe./TV21

Përmbytjet/ Kryeshefi i “Ibër-Lepenci”: Dora e njeriut nuk e shkaktoi dëmin

0

Uji i lumit Ibër ka depërtuar pas në mesnate në vendpunishten ku është duke u ndërtuar ura e re për këmbësorë që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës, duke shkaktuar vështirësi për ekipet e punimeve.

Kryeshef i ndërmarrjes “Ibër- Lepenci”, Faruk Mujka ka reaguar për rastin, duke thënë se ka pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër e që ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te tre rrokaqiejtë në Mitrovicë.

“Shkak i kësaj ngritjeje të nivelit është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku dhe nevojës emergjente që uji i tepërt nga kanali të bartet në lumë”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka shkruar se “kemi ardhur në situatë të kalkulojmë dëmin më të vogël edhe pse edhe kjo e krijuar nuk është për tu nënçmuar .Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë”.

“Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka kriju dëmin por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë. Aty në punishte për shkak të punimeve është krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ardhur”, ka pohuar ai në reagimin në Facebook.

Ai shtoi tutje se niveli është stabilizuar brenda një ore dhe sot vazhdojmë me sanimin në kanalin kryesorë duke tentuar që niveli ujit të jetë sa më i kontrolluar”.

“Mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës ndryshon maksimalisht dhe fatkeqësisht mund të ndodh edhe një situatë e tillë sikur ajo mbrëmë. Ky rast të mos përdoret as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i Korrikut e kemi përgatitur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes. I falënderojmë të gjithë për mirëkuptim me shpresë që të mos përsëritet më”.

Ndryshe, punëkryesi i projektit, Jahir Nimani, ka deklaruar se kjo situatë është ndërhyrje e qëllimshme njerëzore.