OBSH nis fushatë vaksinimi për 44,000 fëmijë në Rripin e Gazës

0

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH do të nisë të dielën një fushatë masive vaksinimi në Rripin e Gazës. Rreth 44,000 fëmijë të cilët nuk mundën të vaksinoheshin gjatë dy viteve të luftës midis ushtrisë izraelite dhe lëvizjes palestineze Hamas, do të vaksinohen gjatë një periudhe 10-ditore kundër fruthit, shytave, rubeolës dhe poliomelitit.

Dozat e ardhshme do të administrohen në janar. Pasi u regjistruan raste të poliomelitit në Rripin e Gazës, OBSH-ja nisi fushata vaksinimi kundër sëmundjes falë armëpushimeve të përkohshme të mëparshme në verën e vitit 2024 dhe shkurtin e vitit 2025. Megjithatë, megjithëse njësitë mobile të vaksinimit u vendosën në enklavën palestineze, ato nuk ishin në gjendje të arrinin të gjithë fëmijët.

OBSH-ja vlerëson se 20% e fëmijëve nën pesë vjeç nuk janë vaksinuar fare ose janë vaksinuar vetëm kundër disa sëmundjeve për shkak të luftës. Paralelisht me fushatën e vaksinimit, UNICEF, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, po përgatitet të vazhdojë me një vlerësim të kequshqyerjes tek fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë sa më specifike të jetë e mundur.

Sipas të dhënave të OBSH-së, shkalla e përgjithshme e vaksinimit në Rripin e Gazës para luftës ishte 98%, por tani vlerësohet të ketë rënë nën 70%.

FIFA gjobit Serbinë me 100,000€ për sjellje të pahijshme në ndeshjen kundër Shqipërisë

0

Komiteti Disiplinor i FIFA-s e ka dënuar Serbinë për veprimet e tifozëve në ndeshjen kundër Shqipërisë të zhvilluar më 11 tetor të këtij viti në Leskovc.

Siç ka njoftuar federata serbe e futbollit, dënimi kap një shifër të majme, prej 87,500 frangave zvicerane (93,981 euro) dhe vjen për sjellje të papërshtatshme të tifozëve gjatë intonimit të himnit të Shqipërisë dhe për sjellje diskriminuese të një pjese të shikuesve gjatë ndeshjes.

Pos dënimit me para, federata serbe është dënuar edhe me mbyllje të pjesshme të së paku 25% të kapacitetit të ulëseve për ndeshjen e radhës të Serbisë në një ndeshje garuese të FIFA-s, që luhet kundër Letonisë në Leskovc.

Tifozët serbë, gjatë ndeshjes me Shqipërinë për kualifikimet e Botërorit 2026, në vazhdimësi kanë bërë thirrje fashiste kundër shqiptarëve në përgjithësi, dhe Kosovës në veçanti.

Cristiano Ronaldo tregon blerjen më të shtrenjtë të jetës së tij

0

Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka treguar se blerja më e shtrenjtë e jetës së tij nuk është një makinë luksoze apo një vilë madhështore, por avioni i tij privat.

Në një intervistë të fundit, sulmuesi i Al Nassr-it tha se avioni është investimi më i madh financiar që ka bërë ndonjëherë, duke zbuluar edhe disa detaje për të.

“Gjëja më e shtrenjtë që kam blerë? Avioni. Global Express. E kam prej 13 vitesh, por e kam ndërruar vitin e kaluar, kështu që është mjaft i shtrenjtë.”, tha Ronaldo me buzëqeshje.

Fluturakja e tij private, e personalizuar me logon “CR7”, i mundëson atij të udhëtojë me familjen dhe stafin në çdo cep të botës me luks dhe komoditet maksimal. Avioni kushton rreth 25 milionë euro, sipas mediave britanike, dhe përfshin një ambient të brendshëm të projektuar posaçërisht për Ronaldon.

Superylli 40-vjeçar është i njohur për stilin e jetesës luksoze, por në këtë rast ai tregoi se prakticiteti dhe rehatia janë po aq të rëndësishme sa çmimi.

“Më pëlqen të udhëtoj me familjen në kushte të mira. Nuk është thjesht luks, është komoditet dhe privatësi.”, shtoi Ronaldo.

Avioni privat mbetet një tjetër simbol i suksesit dhe përkushtimit të tij pas më shumë se dy dekadash në majat e futbollit botëror.

Yamal: Messi ka shënuar mijëra gola, unë dua vetëm të përmirësohem

0

Lamine Yamal ka folur pas barazimit 3-3 të Barcelonës ndaj Club Brugge në Ligën e Kampionëve, ku shënoi një gol dhe detyroi një autogol për katalanasit.

“Ne jemi Barça dhe gjithmonë duhet të fitojmë. Është e vështirë të fitosh kur pranon tre gola. Kjo është ajo që duhet të përmirësojmë”, tha Yamal pas ndeshjes.

Sulmuesi 18-vjeçar u shpreh i kënaqur me performancën e tij, por i zhgënjyer që skuadra nuk mori fitoren: “U përpoqa të jepja më të mirën. Ishte një lojë e shpejtë, por më vjen keq që nuk fituam. Shpresojmë ta bëjmë herën tjetër.”

Yamal hodhi poshtë zërat për problemet me dëmtimin: “Është folur shumë për pubalgjinë time, por të gjitha ishin gënjeshtra. Po përpiqem të kthehem në formë dhe të shijoj futbollin.”

I pyetur për krahasimet me Lionel Messin, ai u përgjigj me modesti: “Messi ka shënuar mijëra gola si ky, nuk mund të krahasohem me të. Dua vetëm të përmirësohem dhe të ec përpara.”

Barcelona do të përballet tani me Celtën në La Liga përpara pauzës ndërkombëtare, ndërsa pritet që Yamal të grumbullohet nga Kombëtarja e Spanjës.

VLEN: BDI nuk e njeh fjalën reformë!

0

Nga koalicioni VLEN thonë se “shqiptarët nuk ranë në grackën e “referendumit” që BDI/AKI me Ahmetin, Taravarin e Selën tentuan ta shisnin si shpëtim politik”. Sipas këtij koalicioni, BDI nuk e njeh fjalën reformë.

“Me 10 komuna të fituara, VLEN ua mori alibinë dhe ua hoqi maskën atyre që për vite e trajtuan votën shqiptare si pronë personale. Kërkojnë fajtorë në çdo drejtim, por jo te vetja. Madje, si kulm i absurdit, përpiqen ta shesin Blerim Bexhetin si simbol të “ndryshimit”. Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së parti që, edhe në dështim, nuk e kupton realitetin e vet. Flasin për “analiza” e “reformë”, por BDI nuk mund të reformohet sepse nuk e njeh këtë fjalë. Për ta, pushteti s’ka qenë mjet për t’i shërbyer njerëzve, por oksigjen për të mbijetuar. Dhe tani që pushteti u iku nga duart, po mbyten në panik e vetmashtrim. Derisa ata lëkunden në krizë, VLEN ecën përpara me besimin e qytetarëve, me duar të pastra dhe me politikën që i shërben popullit, jo vetvetes”, shtojnë nga VLEN.

Mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Belgjikë, pas incidenteve me dronë mbi aeroporte dhe baza ushtarake

0

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Belgjikës do të mblidhet urgjentisht këtë të enjte, pas një serie incidentesh me dronë që shkaktuan kaos në aeroportet belge dhe ngritën shqetësime serioze për sigurinë kombëtare.

Të martën në mbrëmje, aeroporti ndërkombëtar i Brukselit, më i ngarkuari në vend, u detyrua të ndalonte për disa orë nisjet dhe mbërritjet, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve dhe vonesa të gjata. Një situatë e ngjashme u shënua edhe në aeroportin e Liège, një qendër e rëndësishme për transportin e mallrave, ku u raportuan anulime dhe devijime fluturimesh.

Ndërkohë, në qytetin flamand të Diest, policia dhe ushtria raportuan se kishin parë katër dronë që fluturonin mbi bazën ajrore ushtarake Schaffen. Incidenti erdhi vetëm pak ditë pas pamjeve të tjera të dronëve të pashpjeguar mbi disa baza ushtarake, përfshirë Kleine-Brogel, bazë që strehon avionë luftarakë F-16 dhe mendohet se ruan armë bërthamore amerikane.

Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, tha në një seancë parlamentare se incidentet “duken të koordinuara për të nxitur trazira”, duke përfshirë përdorimin e dronëve të mëdhenj që fluturonin në formacione.

“Kjo është në përputhje me teknikat hibride të vërejtura në vende të tjera. Nuk bëhet fjalë për dikë që thjesht fluturon një dron për argëtim mbi një aeroport apo bazë ushtarake,” tha ai.

Një burim i cituar nga agjencia Belga tha se shërbimet e sigurisë “kanë pak dyshime” se pas incidenteve qëndron një aktor shtetëror, “me shumë gjasë Rusia”. Kjo hipotezë pritet të diskutohet gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të enjten, raportoi Le Soir.

Ngjarjet vijnë në një moment tensionesh të rritura midis Brukselit dhe Moskës. Belgjika është përballur me presion nga partnerët e BE-së për të lejuar përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar ndihmën ndaj Ukrainës.

Javën e kaluar, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e quajti Francken “budalla”, pas një interviste ku ministri belg kishte deklaruar se një sulm bërthamor rus ndaj Brukselit “do të çonte në rrafshimin e Moskës nga NATO”.

Belgjika gjithashtu është kritikuar nga disa vende të BE-së për bllokimin e një plani për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, të bazuar në asetet e ngrira ruse të mbajtura në Bruksel.

Aeroporti i Brukselit njoftoi se rreth 95 fluturime u anuluan të mërkurën, ndërsa 400 deri në 500 pasagjerë kaluan natën në terminal për shkak të vonesave. Zyrtarët paralajmëruan se ndërprerjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për shkak të zhvendosjes së avionëve në aeroporte të tjera.

Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e tunelit në Korridorin 8, pjesë e projektit strategjik të NATO-s

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Republikës së Bullgarisë, Grozdan Karaxhov, sot do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe operacionalizimin e tunelit ndërkufitar të Korridorit 8.

Ceremonia e nënshkrimit do të mbahet në stacionin hekurudhor të Gjueshevës, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore.

Sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ndërtimi i tunelit hekurudhor do të shërbejë si pikë ndërkufitare lidhëse mes dy shteteve përgjatë Korridorit 8. Gjatësia e projektuar e tunelit është rreth 2.4 kilometra, nga të cilat rreth 1.2 kilometra do të jenë në territorin e Maqedonisë së Veriut.

“Nërtimi i Korridorit hekurudhor 8, përveç rëndësisë ekonomike për vendin dhe rajonin, ka edhe rëndësi strategjike të sigurisë brenda kornizës së NATO-s. Në këtë drejtim, tashmë është ndërtuar dhe vënë në funksion aksi hekurudhor nga Kumanova deri në Bellakovcë”, theksojnë nga Ministria.

Aksi nga Bellakovca deri në Kriva Pallankë është në fazë ndërtimi, ndërsa punimet për përgatitjen e aksit të tretë, nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, janë duke u zhvilluar në mënyrë të përshpejtuar. Ky segment do të përfshijë edhe zgjidhjen e tunelit ndërkufitar.

Vdekja e 25-vjeçares nga Kosova në Tetovë, Prokuroria: Nuk ka indikacione për vepër penale

0

Nga Prokuroria Themelore njoftojnë se të dhënat e para nuk japin indikacione për vepër penale në vdekjen në Tetovë të 25-vjeçares me iniciale D.S. nga Gjakova – Kosovë, përcjell TV21. Megjithatë, nga Prokuroria njoftojnë se janë intensifikuar hetimet dhe do të merren masa deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet”, thonë nga Prokuroria./tv21.tv

Shi dhe vranësira, meteorologët paralajmërojnë reshje të dendura

0

Sinoptikët për sot paralajmërojnë mot të ndryshueshëm, me vranësira dhe me periudha me diell. Në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës në pjesët veriore do të ketë reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut dhe do të fryjë erë nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 4 deri 9, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 11 deri 17 gradë.

Në Shkup, mot i ngjashëm me erë të dobët veriore. Temperatura minimale do të zbresë deri 7, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 15 gradë.

Nën ndikimin e serisë së valëve të lagështa ajrore prej sot deri në orët e mbrëmjes deri të hënën pason periudha e motit të ndryshueshëm me vranësira dhe me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Vende-vende reshjet do të jenë të rrëmbyeshme dhe gjatë 24 orëve pritet të ketë sasi më të madhe të shiut (mbi 30 l/m2).

Nxënësi model nga Dizhoni – donon 5 mijë euro për shkollën “Imri Elezi”, para që i grumbulloi nga YT

0

Një nxënës nga lagjja Dizhon e Çairit, është shembulli më i ri se si duhet kontribuar në shoqëri, njofton TV21.

Bëhet fjalë për Hunejs Kurtishin, i cili donoi 5 mijë euro për shkollën ku ndjek edhe vetë mësimin, “Imri Elezi”.

Paratë ai i ka grumbulluar nga aktiviteti i tij në YT, ndërkaq lajmin e ka bërë të ditur babai i tij, ilahisti i famshëm, Nusret Kurtishi.

Siç bëhet e ditur, donacioni do të destionohet për blerjen e kamerave dhe sistemin e identifikimit me kartela të mësimdhënësve.

“Dëshira e tij është që të kontribuojë në shkollë dhe të jetë një shembull duke synuar të motivojë dhe të frymëzojë të tjerët”, shkruan babai, Nusreti.