Elon Musk në prag të historisë! A do të bëhet trilioneri i parë në botë?

0

Aksionarët e Teslës mund t’i japin së shpejti CEO-s Elon Musk, aktualisht personi më i pasur në botë, mundësinë për të u bërë trilioneri i parë në historinë moderne – ose rrezikojnë që ai të largohet nga kompania.

Paketa e re e kompensimit të Musk do të jetë pika kryesore e votimit në mbledhjen vjetore të Teslës që mbahet të enjten. Aksionarët e kanë miratuar më herët me shumicë të madhe pagat e tij, por këtë vit situata është më e ndjeshme: Tesla paralajmëroi se Musk ka lënë të kuptohet se mund të “ndjekë projekte të tjera” nëse propozimi refuzohet.

Paketa përfshin një grant aksionesh që mund t’i sigurojë Musk deri në 423.7 milionë aksione shtesë të Teslës përgjatë 10 viteve të ardhshme. Këto aksione do të mund të arrijnë vlerën e 1 trilion dollarëve, përderisa kompania arrin kapitalizim tregu prej 8.5 trilion dollarësh. Përveç kësaj, Tesla duhet të përmbushë edhe disa objektiva financiarë dhe operacionalë që Musk të fitojë plotësisht të drejtën mbi këto aksione.

Arritja e kapitalizimit prej 8.5 trilion dollarësh kërkon një rritje prej rreth 466% të çmimit aktual të aksioneve – një vlerë rreth 70% më e lartë se kapitalizimi rekord i Nvidia-s që javën e kaluar kaloi 5 trilionë dollarë.

Megjithatë, Tesla është përballur me rezultate të dobëta gjatë këtij viti: shitjet dhe fitimet ranë, ndërsa kompania përballon sfida të mëdha financiare pasi SHBA uli mbështetjen për blerjen e automjeteve elektrike.

Musk dhe drejtuesit e kompanisë insistojnë se Tesla po kalon në një fazë të re strategjike – nga shitja e thjeshtë e veturave elektrike tek zhvillimi dhe shitja e teknologjive të makinave vetë-drejtuese, robotëve humanoidë dhe një flote potenciale “robotaxi”. Por këto projekte janë ende në zhvillim dhe nuk kanë dalë ende në treg.

Edhe nëse paketa miratohet, nuk është e sigurt se Musk do t’i realizojë fitimet e plota, pasi më parë duhet të përmbushen objektivat e rritjes dhe të bëhet funksionale teknologjia e premtuar.

Megjithatë, shumë investitorë dhe analistë të Wall Street besojnë se Tesla është në rrugën drejt këtij transformimi dhe se Musk është faktori kyç në të ardhmen e kompanisë.

“Aksionarët do ta mbështesin këtë masivisht, sepse Musk është aseti më i madh i Teslës,” thotë Dan Ives, analist në Wedbush Securities. “Ai është personi që e udhëheq Teslën drejt autonomisë dhe robotikës.”

Në votimin e fundit për pagën e tij, 84% e aksionarëve votuan pro.

Vriten dy vëllezër në Kosovë, Policia: Është identifikuar një person i dyshuar

0

Dy vëllezër janë vrarë sot në fshatin Golluboc të Malishevës. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj i cili tha se është identifikuar edhe personi i dyshuar për veprën.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës.
Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e Elezajt për KosovaPress.

Parandalohet tragjedia në Shkup! Bombë dhe 100 fishekë gjenden në një veturë në Bit Pazar, familja thotë se është kërcënuar

0

Policia njofton se në orët e para të ditës së sotme, një bombë M75 është gjetur në automjetin “Fiat” të pronarit E.R. në zonën e Bit Pazarit, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Policisë, pronari ndodhet aktualisht në Itali, ndërsa kishte marrë mesazh kërcënues për vendosje të bombës.

“Sot (06.11.2025) në orën 02:41 në SPB Shkup u raportua se rreth orës 01:00 një person kishte hyrë në garazhin e shtëpisë familjare të E.R., në zonën e Bit Pazarit, i cili aktualisht ndodhet në Itali. Pak më vonë, pronari ka marrë një mesazh me kërcënim dhe njoftim se në automjetin e tij ishte vendosur një bombë. Policët dolën në vendngjarje dhe pas masave të ndërmarra, te automjeti i tij “Fiat” me targa të Shkupit u gjet një bombë M75 e lidhur me tel në dorezën e derës së shoferit. Gjithashtu, u krye kontroll edhe te një automjet tjetër “Fiat” me targa italiane, pronë e vëllait të tij, A.E., i cili gjithashtu jeton dhe punon në Itali, ku në bagazhin e tij u gjet një kuti me 100 fishekë kalibër 7,62 mm për armë automatike”, thonë nga MPB.

Mexhiti siguron Kurtin: Bashkëpunimi ynë qeveritar ka qenë i sinqertë dhe i thellë, i njëjti do të vazhdojë

0
Mexhiti Kurti
Mexhiti Kurti

Zëvendëskryeministri i në largim i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka falënderuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, për urimin që ky i fundit ia bëri koalicionit VLEN, pas fitores në zgjedhjet lokale, përcjell TV21. Ndonëse Mexhiti kalon në krye të komunës së Çairit, ai përmes një shkrimi ka siguruar Kurtin që bashkëpunimi i deritanishëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në lidhje me: Kurti: Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë!

“Miku im, z. Albin Kurti, falemnderit per urimin për fitoret e VLEN-it në çdo cep të Maqedonisë së Veriut. Përgjatë muajve në qeveri, sa unë isha zv/kryeministër, bashkëpunimi ynë qeveritar ka qenë i sinqertë dhe i thellë. I njejti bashkëpunim do të vazhdojë ende, sepse marrëdhëniet tona janë të fuqishme e të palëkundura. Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përkatësisht dy qeveritë tona, kanë etabluar tashmë një miqësi me punë e projekte konkrete. Punët e mira mes dy qeverive i forcojnë lidhjet tona vëllazërore e fqinjësore”, ka shkruar Mexhiti.

Nikolloski dhe Karaxhov nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e tunelin hekurudhor të Korridorit 8

0

Maqedonia dhe Bullgaria kanë përcaktuar aktivitetet dhe detyrimet e ndërsjella për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8 me marrëveshjen që sot nënshkruan zv/kryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe homologu i tij bullgar, Grozdan Karaxhov, në stacionin hekurudhor Gjueshevo, përcjell TV21. Marrëveshja për përgatitjen, ndërtimin dhe operimin e tunelit – që do të shërbejë si pikë ndërkufitare për dy vendet në Korridorin 8 dhe do të sigurojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes – u nënshkrua në praninë e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane për Investime, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Bankës Botërore. Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Aggeler.

Tuneli i projektuar ka gjatësi rreth 2,4 kilometra, prej të cilave 1.189,30 metra ndodhen në territorin e Maqedonisë dhe 1.193,70 metra në atë të Bullgarisë.

“Ky marrëveshje është ëndërr e brezave të të dyja vendeve, diçka për të cilën kemi lexuar dhe mësuar që kur ishim fëmijë – që dy kryeqytetet, Sofja dhe Shkupi, duhet të lidhen me një lidhje hekurudhore,” tha zv/kryeministri Nikolloski në ceremoninë në Gjueshevo, stacioni më perëndimor dhe më i lartë i Bullgarisë, në 933 metra mbi nivelin e detit.

Karakxhov theksoi se ky është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe se realizohet ëndrra e shumë brezave. “Rihapim hekurudhën që ka mbi 100 vjet. Na ka rënë nderi që së bashku me Nikolloskin ta realizojmë këtë projekt,” tha Karaxhov.

Rruga hekurudhore Shkup–Sofje, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 1994, po ndërtohet në tri faza. Sipas vlerësimeve të institucioneve përkatëse, kjo linjë pritet të rrisë transportin e mallrave mbi 30% dhe trafikun e pasagjerëve 20–25% gjatë viteve të para pas ndërtimit.

Pjesa e parë, nga Kumanova deri në Bellakovc, me gjatësi 30,8 kilometra dhe kosto prej 40,5 milionë euro, është përfunduar dhe rikonstruktuar. Ndërkohë, po ndërtohet dhe po rindërtohet segmenti Bellakovc – Kriva Pallankë, me gjatësi 34 kilometra dhe vlerë mbi 155 milionë euro, ku progresi i punimeve arrin 35%, dhe përfundimi pritet në fund të vitit 2026.

Për segmentin e tretë, nga Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, i cili do të përfshijë edhe tunelin ndërkufitar, është paralajmëruar shpallja e tenderit për zgjedhjen e kontraktorit muajin e ardhshëm. Ky segment ka gjatësi 23,4 kilometra dhe parashikon ndërtimin e 22 tuneleve, përfshirë tunelin ndërkufitar, si dhe 52 ura, dhe konsiderohet si sfida më e madhe.

Tenderi i mëparshëm, siç njoftoi qeveria e re në fillim të mandatit vitin e kaluar, u anulua, dhe vlera nga 340 milionë euro është rritur në 560 milionë euro.

Pas disa muajsh ngecjeje, Maqedonia dhe Bullgaria ranë dakord në nivel ministror në fund të qershorit për të përshpejtuar punimet për lidhjen hekurudhore. Më pas, më 16 korrik në Bruksel u mbajt takimi i delegacioneve të të dy vendeve, ku u identifikuan prioritetet, përfshirë edhe rifillimin e tenderit për segmentin hekurudhor nga Kriva Pallanka deri në hyrjen e tunelit ndërkufitar deri në fund të vitit nga Maqedonia.

Në krahun perëndimor të Korridorit 8, është planifikuar ndërtimi i hekurudhës nga Kërçova deri në Lin, për të cilin ekziston projekti i gatshëm. Qeveria gjithashtu ka paralajmëruar projektin për rikonstruksionin e linjës Shkup – Jegunovc – Tetovë – Gostivar – Kërçovë, me gjatësi 103 kilometra. Për këtë projekt, BE-ja ka dhënë një grant prej 5,3 milionë eurosh për studimin mjedisor, studimin e fizibilitetit dhe përgatitjen e dokumentacionit të tenderit. Parashikohet që brenda dy vjetësh të zgjidhet kontraktori i punimeve.

Capital T shfaqet me vajzën misterioze, “zemra e kuqe” ngre spekulime

0

Rep-artisti Capital T ka ndarë së fundmi në InstaStory një fotografi që ka ndezur rrjetet sociale. Në imazh, artisti shfaqet para hyrjes së një restoranti luksoz dhe i veshur me plotë stil me rroba të zeza, ndërsa pranë tij shihet një vajzë me të njëjtin kod ngjyrash, fytyra e saj është mbuluar me një zemër të kuqe ku shkruhet “Date night”, gjë që ka mjaftuar për të ngritur menjëherë dyshime në publik.

Kjo pamje ka rikthyer edhe një herë zërat për një lidhje mes reperit dhe modeles së njohur Adrola Dushi.

Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për këtë temë, fansat janë të bindur se fotoja mund të jetë një tjetër tregues i afërsisë së tyre Nuk dihet ende nëse kjo është mënyra e Capital T për të konfirmuar romancën.

Mickoski: Jemi para Shqipërisë në rrugën drejt BE-së! Mali i Zi është i pari, në vendin e dytë jemi ne dhe Serbia dhe më pas vijnë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova

0

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është i kënaqur nga Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Mickoski tha se ashtu siç ka deklaruar disa herë, vendi ka nevojë për reforma në gjyqësor, për të cilën tha se do të angazhohet tani pas reformave. Kryeministri tha se nuk pajtohet me deklaratat e disa prej eurokomisionerëve, ku thuhet se Shqipëria është para Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së.

“Shikoni, po t’i bënim ndryshimet kushtetuese, më të mirët do të ishim, dhe më pas të marrim veto të re, e më pas probleme të reja. Atëherë me siguri do të merrnim 5, do të ishim kampionë, udhëheqës. Por nga ajo që është shkruar atje , unë jam jashtëzakonisht i kënaqur sepse nuk ka kthim prapa. Ka ngecje në disa sfera. E dimë të gjithë, dhe ne e flasim të gjithë këtë. Sundimi i së drejtës, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit dhe për këtë vazhdimisht flas se duhen ndryshime në Këshillin Gjyqësor, në Prokurori, e kështu me radhë, dhe tani pas mbarimit të zgjedhjeve, shumë më seriozisht do të merremi me atë temë. Ndërsa në sferat e tjera ka përparim të caktuar, të pakët ose përparim të dukshëm. Kështu që në përgjithësi mund ta vlerësoj si të mirë. Përndryshe nuk mund të pajtohem me konstatimin se ka disa vende të tjera që janë para nesh, për shembull ne jemi shumë para Shqipërisë, kushtimisht thënë, në 8 sfera jemi para Shqipërisë, edhe pse disa nga eurokomisionerët japin deklarata të tilla, siç dhanë. Kështu që kur të analizohet gjendja e shteteve se kush është gati e kush nuk është gati. Nota objektive është se Mali i Zi është i pari, në vendin e dytë jemi ne dhe Serbia dhe më pas vijnë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova e kështu me radhë. Nga vendet e rajonit flas…nuk flas për tjetër. Duhet të punojmë dhe do të punojmë. Unë jam i fokusuar në reforma, kjo është qeveri e reformave”, tha mes tjerash Mickoski./tv21.tv

“Mandatari jam unë”, Mickoski tregon se kur pritet të rikonstuktohet qeveria

0

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është i hapur për të biseduar me të gjithë partnerët e qeverisë për rikonstruktimin e qeverisë pas zgjedhjeve lokale, përcjell TV21. Mickoski tha se rikonstruktimi pritet të ndodhë pas kongresit të VMRO-DPMNE-së, respektivisht pas 6 dhjetorit.

“Rikonstruktim i qeverisë nuk bëhet vetëm që të rikonstruktohet qeveria dhe të themi ja e rikonstruktuam Qeverinë. Para çdo hapi duhet të mendohet mirë, nëse zgjidhja e re kadrovike që do të vinte, do të jetë më mirë se e kaluara, normalisht. Kështu që është proces i analizës serioze. Më herët në përgjigjen e pyetjes së kaluar dhashë përgjigje edhe në këtë pyetje . Tani jemi të fokusuar në kongresin e partisë që do të ndodhë më 6 dhjetor , ndërsa më pas normalisht në suaza të partisë duhet struktura të bëhet dhe paralelisht me atë proces do të mendojmë për lëvizje të caktuara të kuadrove, nëse ka nevojë. Unë jam i gatshëm me të gjithë aktorët në qeveri të ulem, t’i dëgjojë idetë e tyre, por sërish do të them. Mandatar i qeverisë jam unë”, deklaroi Mickoski.

I pyetur nëse është kontaktuar nga ndonjë prej partnerëve të Aleancës Kombëtare për Integrim, me kërkesë për t’u bërë pjesë e qeverisë, Mickoski tha:

“Jo, pas zgjedhjeve mëngjesin e ardhshëm udhëtova në Bruksel, dje në mbrëmje u ktheva, kështu që ky kjo është dita e parë e punës pas zgjedhjeve, tani vijon organizimi, të shohim si do të shkojmë tutje. Deri në këtë koment nuk ka folur me askënd për tema në lidhje me Qeverinë”, shtoi Mickoski./tv21.tv

Kurti: Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë!

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar për herë të parë rezultatin e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Kurti thotë se “suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët”.

“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë. Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut. Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka shkruar Kurti.

AUV-ja sekuestroi kikirikë dhe arra në rajonin e Shkupit

0

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka sekuestruar ushqim të pasigurt me origjinë të panjohur në një automjet në zonën Çuçer-Sandevë, përcjell TV21. Sipas raportimeve, pas marrjes së një njoftimi, me ndërhyrjen e Njësisë për Krime Ekonomike dhe Kompjuterike në SPB Shkup, u krye një inspektim i jashtëzakonshëm i automjetit që transportonte ushqim me origjinë të panjohur. Gjatë kontrollit, u gjetën:

  • 1.060 kilogramë arra të shtypura
  • 581 kilogramë kikirikë të mbështjellë me erëza, pa etiketim dhe pa informacion të nevojshëm për konsumatorët

Në të njëjtën dërgesë u zbuluan edhe 900 kilogramë arra indiane, të deklaruara si duhet.

“Pasi produktet nuk kishin dokumentacion të duhur për origjinën dhe cilësinë, në përputhje me Ligjin për Sigurinë Ushqimore, sasitë e gjetura janë shpallur të pasigurta dhe do të shkatërrohen pa rrezik. Kundër personit të kapur gjatë kontrollit është inicuar një procedurë kundërvajtjeje për vendosjen e ushqimit të pasigurt në treg, respektivisht për tregtim nga një operator i paregjistruar dhe mungesë të informacionit të nevojshëm për konsumatorët”, njoftoi AUV.

Personi përgjegjës u gjobit me 600 euro, e konvertuar në denarë sipas ligjit.