Paralajmërime për ndërprerje të furnizimit me ujë në Teheran, për shkak të thatësirës

0

Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar për ndërprerje të ujit të pijshëm në disa pjesë të Teheranit, pasi shteti po përballet me krizë të madhe të ujit, të shkaktuar nga thatësirat.

Paralajmërimet kanë ardhur pasi presidenti iranian, Masud Pezeshkian ka thënë se kryeqyteti iranian ka mundësi që të evakuohet tërësisht, nëse situata vazhdon të përkeqësohet.

“Shfrytëzimi racional i ujit do të duhej të kishte nisur më herët”, ka thënë Reza Hajikarim, udhëheqës i Industrisë së Ujit Iranian, në disa deklarata për televizionin shtetëror.

“Aktualisht, 62 për qind e ujit të Teheranit sigurohet nga burimet nëntokësore dhe nivelet në to kanë rënë shumë”.

Ministri iranian i Energjisë, Abbas Ali Abadi, ka bërë të ditur se do të nisë racionalizimi i furnizimit me ujë në disa rajone të Teheranit.

“Kjo do të ndihmojë në shmangien e humbjeve, edhe pse situata mund të jetë më e vështirë”, Abadi për një televizion shtetëror.

Issa Bozorgzadeh, zëdhënës i industrisë së ujit, ka thënë se situata e ka arritur pikën ku autoritetet po detyrohen të vendosin kufizime në sasitë e ujit që mund të konsumohet.

“Nëse konsumi nuk zvogëlohet për 10 për qind, ndërprerja e furnizimit të qëndrueshëm me ujë është diçka e sigurt”, ka thënë ai.

Kriza e ujit në Iran është pasojë e mungesës së reshjeve, dhe thatësisë së madhe për pesë vjet rresht.

Mirëpo disa ekspertë besojnë se për situatën duhet fajësuar edhe keqmeanxhimin ndër vite, sidomos në sektorin e bujqësisë.

Manasievski: A është i saktë informacioni se askush nuk dëshiron t’i bashkohet Filipçes në udhëheqjen e LSDM-së?

0

Nga VMRO-DPMNE sërish kërkojnë që LSDM sa më parë të reformohet, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se kanë nevojë për një opozitë të fuqishme.

“A është i saktë informacioni se Filipçes po ia refuzojnë disa funksione në LSDM, njerëz që dikur konsideroheshin mbështetës të mëdhenj të partisë dhe ish-aktivistë? Disa nga këta njerëz nuk kanë dashur të jenë pjesë e udhëheqjes së LSDM-së sepse nuk e konsiderojnë Filipçen si përfaqësuesin e tyre? Të nderuar, ajo që po i ndodh LSDM-së nuk ia dëshirojmë askujt. LSDM-ja ka qenë parti me histori, kredibilitet dhe kuadro cilësore. Megjithatë, ajo që Zaev, Kovaçevski dhe Filipçe i kanë bërë LSDM-së, i detyrohet arrogancës dhe tradhtive që ata kanë kryer”, tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Pendarovski: Anëtarësimi në NATO e bëri Maqedoninë më të sigurt

0

Instituti për Gjeopolitikë, Ekonomi dhe Siguri (IGES) në Sarajevë priti ish-presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili mbajti një ligjëratë dhe ishte i ftuar kryesor në dialogun me anëtarët dhe miqtë e IGES, me temën “Paradigma e re gjeopolitike: Roli i Ballkanit në Europën që ndryshon”.

Pendarovski theksoi se ndryshimi kryesor gjeopolitik që transformoi Europën dhe Ballkanin ishte fundi i epokës bipoalre (1949–1991) dhe hyrja në periudhën unipolare, një moment që sipas tij lejoi krijimin e shteteve të pavarura në ish-Jugosllavi. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte 1999, kur NATO bombardoi atëherë Federatën Jugosllave (Serbi dhe Mali i Zi) për shkak të situatës në Kosovë.

“Çdo vend në rajon e përjetoi bombardimin në mënyrë të ndryshme, nga miratimi tek kundërshtimi”, tha Pendarovski.

Ai shtoi se më pas, vendet e rajonit filluan integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian, duke nisur nga Sllovenia, e cila u bë anëtare e të dyja institucioneve në vitin 2004, duke hapur rrugën për integrimin e vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë.

Pendarovski vuri në dukje se Amerika kishte një prani më të madhe në rajon deri më 11 shtator 2001, dhe më pas gradualisht filloi të tërhiqej, duke i lënë proceset politike dhe të sigurisë në dorë të BE-së, e cila për shkak të strukturës së saj komplekse vendimmarrëse ka një ritëm më të ngadaltë.

“Duke qenë se shpesh jemi lënë në dorë të elitave lokale dhe pa përvojë demokratike, integrimi euroatlantik u ngadalësua,” tha ai, duke shtuar:

“Askush nuk ka ndryshuar emrin e vendit për t’u bërë anëtar i një organizate ndërkombëtare, siç bëri Maqedonia kur iu bashkua NATO-s. Kjo e bëri vendin më të sigurt.”

Ai gjithashtu theksoi se pushtimi rus i Ukrainës në 2022 është një moment gjeopolitik shumë i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishëm se vetë rënia e komunizmit, pasi ndikoi thellë në vetëdijen europiane.

“Ardhja e presidentit Trump në mandat të dytë sjell gjithashtu ndryshime në gjeopolitikë. Autokratët në rajon dhe Europë e mbështesin Trump sepse besojnë se sovraniteti duhet të kontrollojë shtetet, por historia tregon se asnjë vend i izoluar nuk ka arritur të bëhet i madh apo të krijojë një perandori. Pra, izolimi nuk është i mirë,” shtoi Pendarovski.

Ish-presidenti gjithashtu përmendi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE deri në fund të dekadës.

“Do të doja që vendi im të ishte pjesë e kësaj grupi, por për fat të keq, aktualisht qeveria në Shkup nuk po shqyrton këtë mundësi”, përfundoi Pendarovski.

Gashi: Kujdesi për fëmijët është përgjegjësia dhe privilegji më i madh që kemi

0

Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi ka pritur në vizitë fëmijët e çerdhes “Borëbardha” në Çair, përcjell TV21. Gashi ka shpërndarë pamje nga vizita, duke thënë se kujdesi ndaj fëmijëve është përgjegjësi, por njëkohësisht edhe privilegj.

“Kujdesi për fëmijët është përgjegjësia dhe privilegji më i madh që kemi. Vizitë pozitive e fëmijëve të çerdhes “Borëbardha””, ka shkruar Gashi.

Fatmir Shehollit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

0

Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Fatmir Shehollit i dyshuar për spiunazh. Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 07 nëntor 2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha Gashi.

Kujtojmë se Fatmir Sheholli është arrestuar më 09 tetor të këtij viti nën dyshimet për spiunazh./21Media

Dua Lipa befason fansat në Argjentinë me një vizitë në “La Bombonera”

0

Dua Lipa, befasoi adhuruesit e saj argjentinas me një paraqitje të papritur në një nga eventet më të mëdha sportive të vendit.

Ajo u shfaq në stadiumin “La Bombonera” për të parë ndeshjen mes Boca Juniors dhe River Plate, shkruan portali tv21.tv

E veshur me fanellën e kombëtares argjentinase, ajo u ul në një nga lozhat VIP, duke shijuar atmosferën e zjarrtë të tifozëve.

Prania e saj u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, ku u prit me entuziazëm nga tifozët e Boca Juniors.

Kulmi i mbrëmjes ishte takimi i saj me legjendën e klubit, Juan Román Riquelme, i cili i dhuroi dy fanella të Boca Juniors. Kjo mbrëmje përfundoi me fitoren e Boca Juniors dhe me Dua Lipën që përjetoi magjinë e “La Bombonera” nga afër. 

MPB: Qytetarët të mos hapin mesazhet e rreme në emër të drejtorit të BSB-së

0

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se disa qytetarë kanë marrë mesazhe të rreme nga persona që paraqiten rrejshëm në emër të Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike (BSB), lidhur me një hetim të pretenduar. Në këto mesazhe thuhet se qytetari duhet të paraqitet brenda 24 orëve në një stacion policor ose të dërgojë përgjigje përmes email-it, pasi ai/ajo dyshohet për një seri veprash penale, si pornografia me të mitur, pedofilia dhe trafikimi i drogës.

“MPB njofton qytetarët se këto mesazhe janë të rreme dhe nuk janë dërguar nga BSB-ja. Ky është një përpjekje klasike mashtrimi me qëllim për të marrë të dhënat personale të qytetarëve dhe për t’i përdorur më tej në mënyrë të paligjshme. Ftesat për procedura hetimore nga MPB nuk dërgohen përmes email-i”, theksohet në njoftim.

Ministria apelon që qytetarët të mos hapin këto mesazhe, të mos kontaktojnë dërguesin dhe të mos ndajnë kurrsesi të dhënat personale që kërkojnë mashtruesit.

“Gjithashtu, apelojmë që të mos hapen lidhjet ose skedarët e bashkangjitur në çdo email nga dërgues të panjohur, për të mbrojtur sistemin tuaj kompjuterik nga softueri i dëmshëm,” përfundon njoftimi i MPB.

Senatorët amerikanë arrijnë marrëveshje të përkohshme për të përfunduar bllokadën e qeverisë

0

Senati amerikan e ka çuar përpara një projektligj që synon hapjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe përfundimin e mbylljes 40-ditore që ka prekur pagat e shumë punëtorëve federalë, i ka vonuar ndihmat ushqimore dhe e ka penguar udhëtimin ajror.

Senatorët e kanë miratuar një projektligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili do të amandamentohet për ta financuar Qeverinë deri më 30 janar, dhe përfshin një paketë të tri projektligjeve për financim të agjencive federale.

Nëse Senati e miraton dokumentin me ndryshime, ai duhet të miratohet sërish nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe duhet t’i dërgohet presidentit amerikan, Donald Trump për nënshkrim, proces që mund të marrë disa ditë.

Nën marrëveshjen e arritur me disa demokratë, që janë ndarë nga partia për këtë çështje, republikanët janë pajtuar të votojnë në dhjetor për t’i vazhduar subvencionet për sigurimet shëndetësore për një kategori të shoqërisë.

Këto subvencione, të cilat u ndihmojnë amerikanëve me të ardhura të ulëta për të paguar sigurim shëndetësor privat, skadojnë në fund të vitit, dhe kanë qenë në krye të betejës së demokratëve për financim të Qeverisë.

Dokumenti të dielën në Senat ka përparuar me votim të thjeshtë – 60 vota.

“Duket se jemi shumë afër përfundimit të mbylljes së Qeverisë”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para se të mbahej votimi.

Projektligji do t’ua pamundësonte agjencive federale që të largonin nga puna punëtorë deri më 30 janar, një fitore kjo për sindikatat e punëtorëve dhe aleatët e tyre.

Kur senatorët të mblidhen të hënën, liderët republikanë do të tentojnë të arrijnë marrëveshje dypartiake për t’i shmangur disa rregulla të Senatit dhe për ta çuar përpara në shpejtësi projektligjin.

Përndryshe, Senatit do t’i duhet edhe java tjetër për t’i përmbushur të gjitha procedurat para votimit përfundimtar, që do t’i jepte fund mbylljes fundjavën tjetër.

Nëse Qeveria amerikane do të mbetet e mbyllur për një periudhë më të gjatë, rritja ekonomike mund të marrë drejtim negativ në çerekun e katërt, sidomos nëse trafiku ajror nuk i kthehet normalitetit deri për Festën e Falënderimeve, sipas këshilltarit ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hasset.

Festa e Falënderimeve shënohet këtë vit më 27 nëntor.

Orban: Deri sa Trump të jetë president, nuk do të ketë sanksione për Hungarinë

0

Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se sanksionet amerikane ndaj gazit dhe naftës ruse nuk do të zbatohen për Hungarinë, për sa kohë ai është kryeministër dhe Donald Trump president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Orban shtoi se ka diskutuar drejtpërdrejt me Trump për përjashtimin e Hungarisë nga këto sanksione dhe e përshkroi marrëveshjen si një nga bisedimet më të rëndësishme të vitit.

Ai theksoi se nëse sanksionet do të hynin në fuqi, kostot e shërbimeve komunale do të dyfishoheshin ose trefishoheshin, ndërsa çmimi i karburantit do të rritej për 2,5 euro për litër deri në Krishtlindje.

“Do të ishte një katastrofë e vërtetë. Arritëm ta parandalojmë këtë rrezik, në mënyrë që familjet hungareze të kenë një Krishtlindje të qetë dhe të kënaqshme”, deklaroi Orbán.

Zelenski: Ukraina do të porosisë 27 sisteme Patriot nga SHBA-ja

0

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se Kievi planifikon të porosisë 27 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot nga prodhuesit amerikanë, me qëllim forcimin e mbrojtjes së vendit.

Në një intervistë për “The Guardian”, Zelensky theksoi se edhe vendet evropiane mund t’i dërgojnë Kievit sistemet Patriot që tashmë i zotërojnë.

Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po urdhëron “sulme terroriste” ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, sulme në të cilat po vriten civilë dhe qytetarët po mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë.

“Ai nuk mund të krijojë tension në shoqërinë tonë në asnjë mënyrë tjetër”, u shpreh Zelensky.

I pyetur nëse Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar po bëjnë mjaftueshëm për të ndihmuar Ukrainën para dimrit, Zelensky tha se “kurrë nuk është mjaft” dhe se ndihma do të jetë e mjaftueshme vetëm kur të çojë në përfundimin e luftës.

Ai gjithashtu theksoi se vendimi për të vendosur trupa të BE-së në Ukrainë është përgjegjësi e vetë vendeve anëtare, duke paralajmëruar se nëse Kievi ngul këmbë shumë, mund të rrezikojë humbjen e “mbështetjes financiare dhe ushtarake” nga partnerët ndërkombëtarë.