Rritet dalja në votime në Brevenicë, deri në orën 15:00 kanë votuar 40,49% e qytetarëve

0

Deri në orën 15:00, në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Brevenicës kanë votuar 6.579 qytetarë, ndërsa dalja në votime është 40,49 për qind, tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Sipas KSHZ-së, nga përditësimi i fundit i të dhënave në orën 13:00, për dy orë të tjera 2.061 qytetarë e kanë ushtruar të drejtën e votës. Deri në atë orë kishin votuar 4.518 qytetarë.

Në të njëjtën periudhë kohore, në raundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 18 tetor, dalja në votime ishte 31,17 për qind, që është rreth nëntë pikë përqindjeje më e ulët se sot.

Gjithashtu, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është rritur për 1.515 krahasuar me raundin e parë. Më 18 tetor kishin votuar 5.064 qytetarë, ndërsa sot kjo shifër është 6.579.

Skandal në Greqi! Mashtronin me donacione për fëmijët e sëmurë, përvetësuan 2.8 milionë euro dhe financonin trukimin e ndeshjeve!

0

Gjashtë persona janë arrestuar në Greqi, nën dyshimin se ishin pjesë e një organizate kriminale që përmes një organizate joqeveritare (OJQ) mblidhte donacione për fëmijët me sëmundje të rënda, por pjesën më të madhe të parave e përvetësonte, përcjell TV21. Përfitimi i paligjshëm financiar vlerësohet në mbi 2.8 milionë euro. Një pjesë e parave dyshohet se është përdorur edhe për trukimin e ndeshjeve të futbollit dhe financimin e klubeve sportive.

Sipas policisë greke, hetimi nisi pas një denoncimi lidhur me transparencën e funksionimit të OJQ-së, e cila ishte aktive që nga viti 2018. Operacioni për shkatërrimin e organizatës kriminale u zhvillua të premten në disa pjesë të vendit.

Nga hetimet rezultoi se organizata kishte mbledhur gjithsej 3.940.692 euro donacione, ndërsa familjeve të 34 fëmijëve përfitues u kishte ndarë vetëm rreth 1.111.176 euro. Diferenca prej 2.829.516 eurosh dyshohet se është përvetësuar në mënyrë të paligjshme.

Anëtarët e organizatës publikonin në rrjetet sociale fotografi dhe informacione për fëmijët, kryesisht të prekur nga forma të ndryshme të kancerit, duke kërkuar ndihmë financiare për ndërhyrje mjekësore, trajtim spitalor, transport dhe akomodim. Mes donatorëve kishte edhe artistë, sportistë dhe biznesmenë të njohur, kontributet e të cilëve publikoheshin për të rritur besimin dhe për të tërhequr më shumë donacione.

Hetimet zbuluan se në disa raste organizata kishte organizuar disa fushata për të njëjtin fëmijë, pa informuar donatorët për mbledhjet e mëparshme. Gjithashtu, kishte paraqitur shpenzime mjekësore që tashmë mbuloheshin nga fondet e sigurimeve, si dhe kosto shumë më të larta se ato reale.

Policia bëri të ditur se nga viti 2018 deri në vitin 2026, në llogaritë e organizatës dhe në llogarinë personale të njërit prej të arrestuarve janë derdhur mbi 5.8 milionë euro. Ende nuk është përcaktuar shuma e përgjithshme e parave të mbledhura në të holla përmes aktiviteteve dhe kutive të donacioneve.

Organizata kriminale kishte funksionuar përmes dy nëngrupeve. I pari merrej me mbledhjen dhe përvetësimin e donacioneve, ndërsa i dyti, i formuar në shtator të këtij viti, merrej me trukimin e ndeshjeve të futbollit në kategorinë e katërt greke.

Qëllimi ishte që një klub futbolli amator të ngjitej në kategorinë e tretë, si dhe të siguroheshin fitime të paligjshme përmes basteve në ndeshje të trukuara. Aktivitetet e këtij grupi financoheshin me paratë e përvetësuara nga donacionet.

Shkëndija e Haraçinës dhe Tikveshi ndajnë pikët, barazim 1-1

0

Në ndeshjen hapëse të xhiros së 12-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë (LPFM), Shkëndija e Haraçinës dhe Tikveshi luajtën baras 1-1 (1-0).

Simonovski i dha epërsinë skuadrës vendase në minutën e 6-të, ndërsa një pikë për mysafirët nga Kavadari siguroi Liusianinjo në minutën e 76-të.

Për Shkëndijën e Haraçinës, që renditet në vendin e gjashtë, kjo ishte ndeshja e pestë radhazi pa fitore. Ndërkohë, Tikveshi, që mban vendin e tretë në tabelë, vazhdoi serinë pa humbje në kampionatin vendor, e cila zgjat që nga mesi i gushtit.

Në ndeshjen e dytë të programit të sotëm, Bregallnica pret Shkëndijën e Tetovës.

Tri ndeshjet e tjera, Shkupi – Sileksi, Bashkimi – Arsimi dhe derbi Vardari – Struga, do të zhvillohen nesër.

Polici i preferuar i Vuçiqit përfundon në pranga, Marko Kriçak dyshohet për fabrikim provash

0
28, June, 2025, Belgrade - The President of the Republic of Serbia, Aleksandar Vucic, presented Vidovdan decorations to deserving individuals and institutions. Aleksandar Vucic. Photo: A.K./ATAImages 28, jun, 2025, Beograd - Predsednik Republike Srbije Aleksandar Vucic urucio je vidovdanska odlikovanja zasluznim pojedincima i institucijama. Photo: A.K./ATAImages

Shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale Marko Kriçak u arrestua sot me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pas një kallëzimi penal të paraqitur nga avokati i ndihmës-drejtorit të policisë, Veselin Miliq.

Kriçak drejtoi operacionin policor pas vrasjes së Aleksandar Neshoviq -Baja, në restorantin “27” në lagjen Senjak.  Ai tani dyshohet se ka fabrikuar prova në atë rast dhe ka ushtruar presion mbi dëshmitarët dhe të akuzuarit, me qëllim që faktet të përshtateshin me një narrativë të ndërtuar paraprakisht për ngjarjet, raporton KosovaPress.

Kriçak u emërua shef i ri i Drejtorisë së Policisë Kriminale në fund të dhjetorit 2025. Më parë, ai shërbeu si komandant i Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO). Ai kaloi në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Shumë politikanë të opozitës vunë në dukje se Kriçak nuk kishte përfunduar trajnimin për oficerë policie dhe se, para punësimit në BIA, ai kishte punuar si shitës makinash – pretendime këto që MUP-i i ka mohuar.

Që kur Kriçak mori komandën e JZO-së, kjo njësi është shoqëruar me brutalitet policor, vetë pjesëtarë të MUP-it e kanë përshkruar atë si një “polici brenda policisë”. Kriçak është lidhur gjithashtu me një regjistrim video që shfaq keqtrajtimin fizik dhe marrjen në pyetje me dhunë të një studenti, i cili ishte ndaluar gjatë një proteste në Jagodinë.

Pavarësisht gjithçka, Kriçak është emëruar në një nga pozitat drejtuese më të rëndësishme brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, një rol me rëndësi të veçantë për sa i përket çështjeve të operimit.

Nën juridiksionin e tij tani do të jetë Shërbimi për Luftimin e Krimit të Organizuar (SBPOK), i cili punon në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë për Krimin e Organizuar.

Edhe pse përballet me akuza të shumta, Kriçak mbetet një nga oficerët e policisë të preferuar të Aleksandar Vuçiq, i cili më parë ka dekoruar Kriçak dhe njësinë e tij (tani ish-njësinë e tij), dhe nuk ka hezituar ta lavdërojë publikisht në disa raste.

Dy persona sulmuan 76-vjeçarin në shtëpinë e tij në Shkup, e goditën me kondak arme dhe i morën paratë

0

Një 76-vjeçar nga Shkupi, me iniciale K.P., ka denoncuar në polici se është sulmuar fizikisht në shtëpinë e tij nga dy persona të cilët i njihte. Gjatë sulmit, njëri prej tyre e ka goditur me kondakun e një arme zjarri, ndërsa më pas të dy i kanë marrë një shumë parash.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 31 tetor, rreth orës 21:15, në shtëpinë e viktimës. Rasti është denoncuar sot, më 1 nëntor, në orën 05:30, në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup.

Nga Policia bëjnë të ditur se janë duke ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Në njoftimin e MPB-së thuhet:

“Njëri nga personat e ka goditur me kondakun e një arme zjarri, pas së cilës të dy ia kanë marrë paratë.”

“Albin OUT”, disa qytetarë kërkojnë dorëheqjen e Kurtit

0

Disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij.

“Keni dështu”, “Albin Out”, ishin pankartat që mbanin në duar disa protestues.

Organizatori Durim Aliu kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

“Kjo protestë është organziaur me kërkuar dorëheqjen e Kurtit që vetëm të këqija i ka sjellë këtij vend”, tha ndër të tjera ai.

Dalja në votime në Bërvenicë deri në orën 13:00 është 27,81%! 7,31% më e lartë se në raundin e parë

0

Deri në orën 13:00, në raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës kanë votuar 4.518 qytetarë, që përfaqëson 27,81 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Sipas të dhënave të dorëzuara në KSHZ nga të 24 vendvotimet, dalja në votime është për 7,31 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 18 tetor të këtij viti.

Sa i përket mbrojtjes së të drejtës së votës, deri në orën 13:00 në Komision është dorëzuar një ankesë, e cila është pranuar, pas së cilës votuesit i është mundësuar ta ushtrojë të drejtën e votës.

Nga KSHZ-ja informojnë se të dhënat e radhës për daljen në votime dhe rrjedhën e procesit zgjedhor do të bëhen të ditura në konferencën për shtyp, të caktuar për orën 15:30 në selinë e Komisionit.

Punon në sektorin privat në Maqedoni? Mos e humb K-15, ja sa para duhet të të japë shefi

0

Nëse ke të paktën 6 muaj pa ndërprerje te i njëjti punëdhënës gjatë vitit, ke të drejtë për regresin e pushimit vjetor – K-15.

Shuma minimale është rreth 19.560 denarë, ndërsa pagesa mund të jetë edhe më e lartë, në varësi të pagës mesatare dhe kushteve të kompanisë.

Punëdhënësit kanë afat ta paguajnë K-15 deri më 31 dhjetor.

Por kujdes! Punëdhënësi nuk mund të të paguajë K-15 dhe më pas të të detyrojë t’ia kthesh paratë cash.

Për mosrespektimin e detyrimit parashikohen gjoba, ndërsa në raste të caktuara mund të ketë edhe përgjegjësi penale.

Pra, nëse i plotëson kushtet, K-15 është e drejtë e jotja – jo favor nga punëdhënësi.

Stresi kritikon studentët, braktis protestën: Kokë turku nuk bëhem, nuk duan t’a rrëzojnë Ramën

0

Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, ka paralajmëruar largimin nga protesta, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po zhvillohet qëndresa. Sipas tij, protesta nuk po shkon drejt rrëzimit të qeverisë.

Reagimi vjen vetëm një ditë pas incidenteve në protestën e të shtunës, ku deputetë të PD-së nuk u pranuan në protestën e studentëve. Përmes një postimi në “Instastory”, reperi shkruan se nuk dëshiron që të vazhdojë të qëndrojë në protestë, duke pretenduar se pjesëmarrësit nuk duan realisht rrëzimin e Edi Ramës.

“Byeeeeeeeeee. Kokë turku nuk bohem. Nuk dun me e rrëzu Ramën. E gëzofshi! Sapo të largohem sonte, kismet nesër jua shpjegoj që s’dun me e rrëzu Edi Ramën”, shkruan ai.

Stresi shton se nuk ka ardhur për t’u “rraskapitur çdo ditë pa lidhje”, ndërsa shprehet se për rrëzimin e qeverisë do të nevojitej, sipas tij, një “kryengritje”.

“Nuk erdha me u rraskapit çdo ditë pa lidhje, sepse shteti është shtet dhe shteti do kryengritje me u rrëzu, ndryshe përditë ai fuqizohet dhe ty të shkatërron si popull”, shkruan Stresi.

Në këtë kontekst, largimi i paralajmëruar nga Stresi mund të lidhet edhe me përplasjen mes protestuesve dhe figurave të PD-së.

Hong-Kong, Ekspozita e Teknologjisë Logjistike 2026 përqendrohet te përdorimet e logjistikës inteligjente

0

E organizuar nga Këshilli i Produktivitetit i Hong-Kongut (HKPC), Ekspozita e Teknologjisë Logjistike 2026 u hap ditët e fundit në këtë rajon të posaçëm administrativ të Kinës. Me temën “Nxitja e transformimit përmes inteligjencës, drejt së ardhmes së logjistikës”, aktiviteti synon të nxisë integrimin e thelluar të teknologjive inovative me operacionet logjistike.

Ekspozita mblodhi së bashku mbi 50 kompani nga sektorët e logjistikës, zinxhirit të furnizimit, si edhe inovacionit teknologjik, duke paraqitur aplikime në fusha si inteligjenca artificiale (AI), magazinimi inteligjent, robotika logjistike, logjistika e gjelbër dhe ekonomia e lartësive të ulëta. Ndër risitë kryesore ishin robotët me katër këmbë, sistemet inteligjente të klasifikimit, sistemet inteligjente të ruajtjes dhe nxjerrjes së mallrave, si edhe pajisjet inteligjente për magazinimin e zgjuar.

Foto nga HKPC

Foto nga HKPC

Foto nga HKPC

Foto nga HKPC

Yau Cheukhang, Sekretar i Përhershëm për Transportin dhe Logjistikën në qeverinë e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, shprehu shpresën se operatorët industrialë do ta shfrytëzojnë këtë ekspozitë për të eksploruar zgjidhjet më të fundit teknologjike në logjistikë, duke rritur kështu produktivitetin dhe duke ruajtur konkurrueshmërinë e sektorit logjistik të rajonit.

Gjatë ekspozitës u zhvilluan më shumë se 10 forume tematike dhe sesione shkëmbimi teknik, që trajtuan tema si inteligjenca artificiale, logjistika për tregtinë elektronike ndërkufitare, transparenca e zinxhirit të furnizimit dhe ekonomia e lartësive të ulëta.