Pacientët me parkinson dhe alzheimer nga Maqedonia aktualisht dërgohen për trajtim në Turqi, por nga viti 2027 synohet që metoda e stimulimit të thellë të trurit të aplikohet edhe në vend. Ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski, thotë se Klinika e Neurologjisë në vendin është e gatshme teknikisht për këtë lloj të intervenimit pasi që aparatura është e qasshme.
Drejtori i Klinikës Universitare të Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, tha se duhet të krijohen ekipe që metodën e re për trajtim ta fillojnë në vendin tonë, ai theksoi që në vitin 2027 do të fillojnë me pacientin e parë.
Gabriela Novotni, mjeke e specializuar në neurologji, theksoi se ka trajtime që përmirësojnë cilësinë e jetës së personave me demencë ose sëmundjen e Parkinsonit. Ajo tha se stimulimi i thellë i trurit nuk është një metodë e re, por është dëshmuar jashtëzakonisht e suksesshme gjatë 30 viteve të fundit, por në Maqedoni ende nuk aplikohet.
Sëmundjet e Parkinsonit dhe Alzheimerit janë çrregullime neurodegjenerative progresive që prekin trurin, duke ndikuar në kontrollin e lëvizjeve, kujtesën dhe aftësitë njohëse të personit.
Nga mesnata hyjnë në fuqi çmimet e reja, më të larta të karburanteve. Komisioni Rregullator për Energjetikë ka marrë vendim për shtrenjtimin e derivateve të naftës mesatarisht për 1,55 për qind. Benzinat shtrenjtohen për dy denarë për litër, kështu që Eurosuper BS-95 do të shitet me çmim prej 93 denarësh, ndërsa BS-98 me 95 denarë.
Nafta shtrenjtohet për një denar dhe çmimi i ri do të jetë 100 denarë për litër. Pa ndryshim mbetet çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri, i cili do të vazhdojë të kushtojë 110 denarë. Vendimi është marrë me zbatimin e akcizave dhe TVSH-së së ulur, në përputhje me masat e Qeverisë.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka theksuar potencialin ekonomik të Europës, duke nënvizuar se kontinenti nuk është ekskluzivisht i varur nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Gjatë deklaratës së tij këtë të hënë, Merz u bëri thirrje vendeve europiane të mos nënvlerësojnë fuqinë dhe kapacitetet e tyre ekonomike, duke kujtuar se tregu europian përfshin rreth 450 milionë konsumatorë dhe përbën një nga tregjet e vetme më të mëdha në botë.
Ai vuri në dukje se Europa zotëron kapacitete të rëndësishme në industri, teknologji, prodhimin e softuerëve dhe mikroçipave, si dhe sektorë prodhues që janë të domosdoshëm për ekonominë globale.
Përmes këtij qëndrimi, kancelari gjerman nënvizoi se Europa ka mundësi të mbështetet më shumë te potenciali i saj ekonomik dhe industrial, duke mos e parë veten si të varur vetëm nga fuqitë e mëdha botërore.
“Ndodhemi në fshatin Drogomisht i Vogël, ne këtë fshat e vizituam 6 muaj më parë kur banorët na alarmuan se një pjesë e dheut është shembur pas vërshimeve që ndodhën në shkurt të këtij viti. Komuna premtoi se do ta sanonte sepse rrezikohen dy shtëpi të cilat janë më lartë, por edhe pse kanë kaluar 6 muaj komuna nuk ka ndërmarrë asgjë për të përmirësuar këtë gjendje”, raporton Salije Sadiku Pinjolli, gazetare në TV21.
Kur TV21 raportoi këtë problem, ju drejtuam kryetarit të komunës, Aleksandar Jovanovski, i cili premtoi zgjidhje, por edhe pse kanë kaluar 6 muaj, nuk është ndërmarrë asgjë. Kryetari i bashkësisë lokale, Vegim Fejza, tha se tani kur ka reshje, rreziku është edhe më i madh.
“Ne si BL para 6 muajve kemi bërë kërkesë deri tek komuna e Kërçovës dhe e kemi informuar në formë të shkruar për gjendjen faktike që është në fshatin tonë, që është shembur dheu dhe që atëherë nuk ka patur asnjë intervenim nga ana e Komunës. Kërkesën e re e kemi bërë që në buxhetin e vitit 2027 të parashihet sanimi i kësaj rruge nga shembja e dheut dhe të dislokohet gypi që furnizon pishinën me ujë të pijshëm sepse ne dyshojmë se mund të jetë si shkak i asaj”, tha Fejza.
Në letrën e re drejtuar kryetarit të Komunës së Kërçovës, banorët kanë 5 kërkesa, por si prioritet kërkojnë sanimin e kësaj rruge ku është shembur dheu.
“Të intervenohet te rruga në afërsi të xhamisë se fshatit, në cilën pjesë gjatë përmbytjeve pati rrëshqitje të dheut dhe bllokim të rrugës, gjithashtu dy objekte- shtëpi banimi janë të rrezikuara në rast të rrëshqitjes të sërishme të dheut, gjithashtu të bëhet dislokimi nga e njëjta rrugë e gypit kryesorë i cili furnizon me ujë rezervuarin ekzistues”, thuhet në kërkesën e banorëve.
Nga Komuna thonë se për këtë problematikë duhet ekspertizë më e thellë.
“Për këtë problem duhet një ekspertizë e thellë nga ekspertë të fushës së inxhinierisë së gjeomekanikës për shkak të rrezikut për shembje më të madhe, më pas duhet të projektohet dhe të zgjidhet kompania për kryerjen e punimeve”, shprehen nga Komuna.
Komuna siguron se janë duke punuar në zgjidhjen e problemit.
Rreth 113,500 të punësuar në sektorin publik marrin paga nga buxheti i shtetit, në gjithsej 1,325 institucione, duke filluar nga Presidenca e deri te ndërmarrjet publike komunale në Maqedoninë e Veriut. Këto të dhëna janë pjesë e studimit të bërë të Akademikut Izet Zeqiri, i cili sot mbajti ligjëratën e tij inaguruese në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, me temën “Menaxhimi dhe lidershipi në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut – probleme dhe zgjidhje” të mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në Shkup. Ai para të pranishmëve tha se problemet të shkaktuara nga mbipopullimi i të punësuarve në sektorin publik duhet të zgjidhet me performancën e tyre dhe rendimentin në punë, në mënyrë që të rritet produktiviteti për qytetarët dhe kjo dobi të kthehet edhe në rritjen e pagave për të punësuarit.
“Struktura etnike sipas përkatësisë së bashkësive 81,250 janë të punësuar maqedonas, 26,000 të punësuar shqiptarë, 2,200 turq, 1,200 romë, 1,000 serb, 943 të tjerë të pa deklaruar etnikisht, 544 boshnjak dhe 456 vllahë të punësuar. Numri i institucioneve në sektorin publik është 939 institucione publike, 164 ndërmarrje publike, 81 komuna, 34 gjykata, 33 organe të pavarura, 28 prokurori publike, 20 organe në përbërje të ministrive, 20 ministri dhe tjerat me radhë si Avokati i popullit, Banka Popullore, Qeveria, Kuvendi, Presidenca, Këshilli dhe kështu me radhë”, deklaroi Zeqiri.
Kjo është pamja para ekspoziturave të “Alta Banka – SH.A. Bitola” sot nëpër Maqedoni.
Gjithsej 19 ekspoziturat që banka i ka nëpër Maqedoni, sot nuk punuan. Ky është njoftimi që qëndron në derën e bankës. Paratë nuk mund të tërhiqen nga bankomatët, ndërsa me vendim të Bankës Popullore, kufiri javor i shumës që mund të tërhiqet është 10.000 denarë për person. Qytetarët janë të shqetësuar për paratë e tyre.
“Vetëm tani morëm vesh përmes televizioneve. Unë nuk e dija, shkova të paguaja ujin dhe mbeturinat, por kartela nuk funksiononte. Edhe kartelat janë të bllokuara. Dy herë kam tërhequr para, një herë 5.000 dhe një herë 3.000, ndërsa tani nuk e dimë si do të zhvillohet kjo procedurë.”
“Për 10.000, po, por sot nuk t’i japin 10.000. U përpoqëm të tërhiqnim para, por nuk na lejoi fare. Madje, as nuk jemi informuar se banka do të mbyllej. Vuçiqi humbi në Beograd dhe po i mbyllin bankat edhe këtu. Duket se kjo paska qenë e Serbisë e jo e Maqedonisë. Duhet të ankohemi, sepse disa po tërheqin para me kartela, por ata që nuk kanë kartela, ku t’i marrin paratë? Ka shumë njerëz që nuk kanë kartela. Ja, unë nuk kam nga t’i marr paratë.”
“Unë punoj me persona juridikë. Që nga dje, guvernatori i Bankës Popullore njoftoi se, për shkak të kontrollit të mjeteve në situatën e krijuar rishtazi, mund të tërhiqen para me kufi javor prej 10.000 denarësh. Tani nuk e di se si do të ndikojë kjo te depozituesit dhe te mbajtësit e llogarive.”
“Nuk dimë asgjë, vetëm tani morëm vesh.”
“Kemi ardhur të marrim një formular për të kërkuar tërheqjen e parave tona nga kjo bankë, por e kanë mbyllur. Do të kërkojmë zgjidhje, por nuk e dimë ku të ankohemi. Shkuam në Qendrën për Punë Sociale, morëm vërtetim se jemi pensionistë, ndërsa këtu nuk ka numër telefoni ku mund të telefonojmë. Kemi kartelë, kemi tërhequr 10.000 denarë, ndërsa 10.000 të tjera javën e ardhshme.”
Banka Popullore, në komunikatën me shkrim, njoftoi se ALTA BANKA SH.A. BITOLA vazhdon të punojë, por nën administrim të përkohshëm dhe me kufizime në disponimin e parave.
“Vendosja e administrimit është masë e përkohshme, përmes së cilës drejtimi me pasurinë dhe veprimtarinë e Bankës përkohësisht kryhet nga persona të emëruar nga Banka Popullore. Qëllimi është të ruhet stabiliteti i Bankës dhe të mbrohen mjetet dhe interesat e klientëve të saj deri në ndryshimin e strukturës së pronësisë”, tha Banka Popullore
Siç thonë nga Banka Popullore, për personat fizikë është përcaktuar kufi javor për daljen e mjeteve nga llogaritë, në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet me kartelat e lëshuara nga Banka, për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa te tregtarët.
Pagesat e brendshme nga llogaritë e personave fizikë drejt llogarive të personave të tjerë fizikë dhe juridikë, brenda Bankës, vazhdojnë të lejohen pa kufizim në shumë.
Personat juridikë do të mund të kryejnë vetëm pagesa të brendshme nga llogaritë e tyre drejt llogarive të personave të tjerë juridikë dhe fizikë brenda Bankës, pa kufizim në shumë.
Personat juridikë nuk do të mund të transferojnë mjete jashtë Bankës përmes sistemeve të pagesave në vend, e as të tërheqin para të gatshme nga bankomatët apo sportelet e Bankës.
Hyrjet e mjeteve nga jashtë vendit, përmes SEPA-s dhe bankave korrespondente, do të zhvillohen pa pengesa, ndërsa transfertat dalëse drejt jashtë vendit do të ndërpriten përkohësisht, si për personat fizikë, ashtu edhe për personat juridikë.
Ministria e Transformimit Digjital i ka dorëzuar një urdhër të ri Agjencisë për Komunikime Elektronike për bllokimin e 104 faqeve të tjera të internetit, përmes të cilave organizohen ilegalisht lojëra të fatit online.
Me urdhrin e ri, numri i përgjithshëm i faqeve të përfshira në bllokim ka arritur në 462. Nga Ministria theksojnë se masat synojnë mbrojtjen e qytetarëve nga keqpërdorimi i të dhënave personale dhe financiare, si dhe parandalimin e ekspozimit të të miturve ndaj lojërave të fatit online.
AKE-ja ka afat prej pesë ditësh që urdhrin t’ua përcjellë operatorëve, të cilët duhet ta kufizojnë qasjen në faqet e përmendura. Nga Ministria u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos ndajnë të dhënat e tyre në platforma të internetit të paverifikuara.
Seanca gjyqësore për rastin “Onkologjia 2”, kundër ish-drejtorëve të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, sot nisi nga e para në Gjykatën Penale në Shkup, për shkak të ndryshimit të një anëtari të trupit gjykues.
Të dy të akuzuarit përsëritën se nuk ndihen fajtorë. Mbrojtja e Vasevit pretendon se aktakuza bazohet në supozime dhe jo në prova konkrete, ndërsa avokatja e Nuhit reagoi për dorëzimin e provave shtesë nga Prokuroria. Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2018-2022, përmes furnizimeve të paligjshme dhe keqpërdorimit të barnave, buxhetit i është shkaktuar dëm prej gati 36 milionë eurosh.
Interpelancë ndaj guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dhe debat mbikëqyrës në Kuvend për rastin e Alta Bankës, paralajmëroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij, hyrja e Alta Bankës në vend është një proces kriminal dhe duhet të ketë përgjegjësi. Ai tha se edhe kryeministri Mickoski, edhe guvernatori Sllaveski duhet të japin përgjigje nëse janë bërë verifikimet dhe nëse ekziston konfirmim për prejardhjen e parave, para se kapitali i Alta Bankës të hynte në Stopanska Banka Manastir. Filipçe akuzoi se ky proces i dyshimtë korruptiv, siç e quajti ai, po zhvillohet në dëm të qytetarëve, të cilëve tashmë u janë bllokuar llogaritë.
“Hristijan Mickoski, grupi i organizuar kriminal dhe guvernatori Trajko Sllaveski, duket qartë se do të ndihmojnë që qytetarëve t’u plaçkiten nga 150 deri në 180 milionë euro. Sot degët nuk punojnë, ndërsa qytetarëve nuk u funksionojnë as kartelat dhe as bankomatët. Si do t’i tërheqin qytetarët paratë e tyre? Pse guvernatori thotë se, edhe pse nuk mund t’i tërheqin paratë e tyre, ata kanë detyrim t’i paguajnë kreditë? Paramendoni çfarë kulmi i paturpësisë! Me çfarë parash do t’i paguajnë njerëzit kreditë?”, tha Filipçe
Që nga mëngjesi ka nisur edhe një përplasje në rrjetet sociale mes Filipçes dhe guvernatorit Sllaveski lidhur me vendimin e djeshëm, të cilin Sllaveski e shpjegoi në një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke deklaruar se Alta Banka po vendoset nën administrim dhe se qytetarët do të mund të tërheqin vetëm një shumë të caktuar parash. Pavarësisht pamundësisë për t’i marrë paratë e tyre, Sllaveski u porositi se duhet të vazhdojnë t’i paguajnë kreditë.
“Me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së bankës, në ditët në vijim do të vlejnë kufizime të caktuara për pagesat nga llogaritë e klientëve të bankës. Në interes të qytetarëve dhe me qëllim të kryerjes së pagesave të përditshme, është përcaktuar një limit javor për daljen e mjeteve nga llogaritë e personave fizikë, në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet përmes kartelave të lëshuara nga banka. Theksojmë se, sikurse edhe deri më tani, kredimarrësit duhet të vazhdojnë t’i përmbushin me kohë detyrimet e tyre ndaj bankës”, tha Sllaveski.
Problemet me këtë bankë nisën pasi Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën Alta Bankës, pas së cilës, nga Banka Popullore e Maqedonisë, në atë kohë siguruan se revokimi i licencës së Alta Bankës në Serbi nuk kishte asnjë ndikim në bankën këtu. Por vetëm një ditë më vonë, banka u vendos nën administrim, ndërsa qytetarët nuk mundën të dispononin me mjetet e tyre financiare.