Për shkak të protestave, Italia përgatitet të dërgojë ushtrinë në Milano! Mbyllen dyqanet luksoze

0

Qeveria e Italisë do të dërgojë 500 trupa për të “mbrojtur Milanon”, pas dy ditësh trazirash gjatë të cilave demonstruesit u përleshën me policinë, plaçkitën dyqane dhe dëmtuan prona, ka deklaruar të hënën mbrëma zëvendëskryeministri, Matteo Salvini.

Vendosja e trupave pritet të përfshihet në një paketë masash sigurie, që do të miratohet në një mbledhje të qeverisë të parashikuar për të martën. Ky vendim vjen në një kohë kur dyqanet në qendër të Milanos mbyllën dyert më herët dhe mbuluan vitrinat me dërrasa, nga frika e shpërthimit të një vale të re dhune në kryeqendrën financiare të Italisë.

“Fjalët po kthehen në veprime: edhe 500 ushtarë për të mbrojtur Milanon”, ka shkruar në rrjetet sociale Salvini, kreu i partisë së djathtë Lidhja, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Shumica e dyqaneve në Via Montenapoleone, zonën luksoze të blerjeve në Milano ku ndodhen marka si Chanel, Tiffany dhe Dior, kishin hequr produktet nga vitrinat si masë paraprake. 

Qindra protestues me kapuçë, shumë prej të cilëve besohet se ishin të mitur, u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave dhe kanë plaçkitur dyqane në qendër të qytetit gjatë fundjavës, pas një proteste që fillimisht ishte paqësore, të shtunën, kundër shërbimeve të dobëta publike dhe rritjes së kostos së jetesës.

Në galerinë Vittorio Emanuele, disa dyqane janë mbyllur dhe janë zbrazur nga mallrat, ndërsa të tjera kanë mbuluar vitrinat dhe kanë shtuar masat e sigurisë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila përballet me zgjedhjet kombëtare vitin e ardhshëm, ka dënuar dhunën teksa të hënën ka drejtuar një takim me ministrat dhe drejtuesit e strukturave të sigurisë për të diskutuar situatën.

“Qeveria do t’u përgjigjet me vendosmëri këtyre sulmeve ndaj shtetit, përfshirë përmes masave që synojnë frenimin e dhunës nga të miturit”, ka shkruar në rrjetin social X ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, i cili, ashtu si Salvini, mban edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Gazeta “Corriere della Sera” ka raportuar se, si pjesë e masave të planifikuara, Meloni po shqyrton mundësinë e zgjatjes së paraburgimit parandalues për të miturit dhe ndërmarrjen e masave kundër bandave të të rinjve. Ajo po shqyrton gjithashtu përshpejtimin e zbatimit të disa dispozitave të një projektligji ekzistues për sigurinë, i cili po shqyrtohet aktualisht nga parlamenti.

Policia italiane ka njoftuar se gjatë trazirave të së dielës në Milano kishte shoqëruar në komisariate 271 të rinj. Nga personat e shoqëruar, 32 janë arrestuar, përfshirë 23 të mitur dhe 13 shtetas të huaj, ka bërë të ditur policia të hënën.

Trazirat pasuan përleshjet e së shtunës në qytete të tjera të Italisë veriore, përfshirë Bolonjën, Breshian, Bergamon dhe Torinon, ku, sipas një raporti të policisë të publikuar të dielën, janë arrestuar 28 protestues.

Ngjarjet u zhvilluan njëkohësisht me trazirat në Francën fqinje, ku qindra mijëra njerëz, të zemëruar nga rritja e kostos së jetesës dhe përkeqësimi i shërbimeve publike, dolën në rrugë të shtunën, në disa prej protestave më të dhunshme që vendi ka përjetuar prej vitesh.

Nis furnizimi me automjete të reja të ambulancës për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut

0

-Nga sot në dispozicion të qytetarëve. Ka nisur realizimi i projektit për furnizimin e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut me 100 automjete të reja të ambulancës, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Facebook.

Siç është paralajmëruar, kryeministri sot do të marrë pjesë në promovimin e projektit për blerjen e 100 automjeteve të reja të ambulancës, në parkingun e Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”.

Nga shërbimi për shtyp i Qeverisë bëjnë të ditur se është paraparë që kryeministri të japë deklaratë për mediat.

Rama po përgatit “listë të zezë” për protestuesit e dhunshëm, synohet t’u ndalohet hyrja në BE

0

Televizioni Klan ka mësuar ekskluzivisht detaje nga paketa e masave që kryeministri Edi Rama pritet të prezantojë pas trazirave dhe protestave të dhunshme në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

Sipas informacioneve të siguruara nga burime pranë qeverisë, një prej masave të parashikuara është përfshirja në një listë të zezë në sistemin TIMS të personave që kryejnë akte dhune gjatë protestave, me synimin për t’u ndaluar hyrjen në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo masë, nëse do të bëhej e zbatueshme, mund të kishte ndikim të drejtpërdrejtë te të rinjtë që duan të largohen pas përfshirjes në akte dhune, apo te ata që duan të studiojnë, jetojnë apo udhëtojnë në vendet e BE-së.

TV Klan mëson gjithashtu se, si pjesë e paketës, po bashkëpunohet edhe me ekspertë francezë për një model franko-shqiptar kundër dhunuesve të pronës publike dhe private.

Synimi është që BE-ja të hapë një front kundër vandalizmit.

Konkretisht, po hartohet një regjistër i posaçëm për dokumentimin e rasteve kur persona apo profile kërcënojnë haptazi qytetarët, bëjnë thirrje për sulme dhe nxisin akte dhune në internet.

Çdo rast do të ruhet me provat përkatëse dhe do t’u referohet autoriteteve përgjegjëse për verifikim dhe ndjekje ligjore.

Kur nga verifikimi rezulton një person konkret, do të bashkëpunohet edhe në nivel ndërkombëtar dhe do të njoftohen kompanitë ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe platformat e rezervimeve për sjelljen çnjerëzore të individit.

Paketa parashikon që kush kërcënon jetën e të tjerëve apo nxit dhunë duhet ta kuptojë se veprimet e tij mund të kenë pasoja serioze, përfshirë për udhëtimin apo qëndrimin në hotel jashtë vendit, pasi fshirja e një statusi nuk fshin përgjegjësinë për një kërcënim të dokumentuar.

Ndërsa për personat e dënuar për dhunë, njoftimi do të jetë automatik dhe për tre vjet ata do ta kenë të pamundur të marrin bileta avioni dhe të bëjnë rezervime në hotele.

Protestat e dhunshme në Francë nuk ndalin duelin PSG-Barcelona, do të zhvillohet siç ishte planifikuar të martën

0

Ndeshja midis Paris Saint-Germain dhe Barcelonës do të zhvillohet siç ishte planifikuar të martën në Paris, konfirmoi ministri i Brendshëm francez pavarësisht protestave të dhunshme të fundjavës.

Shumë qytetarë francezë janë tronditur nga imazhet e dhunës që kanë tërhequr vëmendjen në mbarë botën dhe kanë nxjerrë në pah klimën e tensionuar sociale të vendit. Të hënën, kryeministri francez Sebastien Lecornu tha se u kishte dhënë udhëzime prefektëve të vendosnin orë policore “shumë të kufizuara” dhe “të lokalizuara” në qytete për të parandaluar më shumë trazira dhe plaçkitje.

Dhuna shënjestroi bashkitë e qytetit, ndërtesa të tjera publike dhe qindra biznese në të gjithë vendin, duke çuar në më shumë se 2,000 arrestime.

Ndeshja e së martës midis PSG-së dhe Barcelonës në Parc des Princes do të kërkojë një vendosje të fortë të sigurisë, me forcat e policisë që janë tashmë të tensionuara pas javësh protestash studentore.

Në maj, policia e Parisit arrestoi dhjetëra persona pasi dhuna ndërpreu festimet e titullit të dytë të Ligës së Kampionëve të PSG-së dhe një grup u përpoq të sulmonte një stacion policie.

Duke folur pas një takimi urgjent me zyrtarët e lartë të qeverisë, Ministri i Brendshëm Laurent Nunez tha se u diskutua mundësia e anulimit të ngjarjeve të planifikuara, përfshirë ndeshjet e futbollit.

“Por kjo nuk vlen për ndeshjen e nesërme midis PSG-së dhe FC Barcelonës”, tha ai.

Nunez shtoi se ndeshjet e tjera të planifikuara në garat evropiane këtë javë nuk do të preken. Ai përmendi ndeshjen midis Lille dhe Galatasaray të planifikuar të mërkurën në qytetin verior, ku grabitësit gjithashtu vandalizuan dyqanet gjatë fundjavës.

I pyetur nëse tensionet në Francë mund të ndikojnë në ekipin e tij, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, tha se nuk do të ndikonte dhe se nuk kishte frikë.

“Nuk jam personi i duhur për të folur për këtë temë. Jam këtu për të folur për futbollin. Sigurisht që nuk na pëlqen kjo dhunë, por kështu është në shoqëri. Kështu që thjesht duhet të qëndrojmë të përqendruar te ndeshja e futbollit”, tha ai.

Çanta Louis Vuitton, parfume e produkte kozmetike, platformat online ‘mbushen’ me artikuj të vjedhur gjatë trazirave në Francë

0

Trazirat në Francë duket se kanë favorizuar një fluks të madh njoftimesh në platformën online Vinted për shitjen e artikujve të përdorur. Videot që qarkulluan në rrjetet sociale tregonin dyqane të markave luksoze, përfshirë Louis Vuitton, Burberry dhe Celine, duke u plaçkitur.

Dyshohet se bëhet fjalë për artikuj të grabitur në plaçkitjet gjatë protestave, raporton Bloomberg. Platforma ka “marrë masa të menjëhershme për të identifikuar dhe hequr njoftimet e lidhura me grabitjet” dhe ka “rritur monitorimin e njoftimeve të dyshimta”, deklaroi një zëdhënës i Vinted në një komunikatë.

Gjatë fundjavës, protestuesit plaçkitën dyqane në të gjithë Francën, pasi protestat kundër kostos së jetesës u përshkallëzuan. Videot që qarkulluan në rrjetet sociale tregonin dyqane të markave luksoze, përfshirë Louis Vuitton, Burberry dhe Celine, duke u plaçkitur. Rrjeti i produkteve të bukurisë, Sephora, deklaroi në një komunikatë se protestuesit kishin hyrë me forcë në disa prej dyqaneve.

Parfume, çanta dore, kozmetikë dhe madje edhe karta Pokémon, janë listuar për shitje.

Rregullat e Vinted ndalojnë shitjen e mallrave të vjedhura në platformën e saj. Kompania përdor një sërë mekanizmash, përfshirë raportimet nga shitësit me pakicë dhe individët, për të sinjalizuar njoftimet e dyshimta te ekipi i moderimit, i cili i shqyrton ato.

“Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me organet ligjzbatuese dhe autoritetet franceze”, deklaroi Vinted.

Vinted, e themeluar në Lituani në vitin 2008, u shndërrua nga një shërbim për shkëmbimin e rrobave në një prej startup-eve më të mëdha të Evropës në sektorin e konsumit. Vlerësimi i saj më i fundit arriti në 9 miliardë dollarë, pas një raundi financimi përmes shitjes së aksioneve ekzistuese, të udhëhequr nga firma suedeze e investimeve EQT Growth.

Senatori amerikan Peters reagon për protestat në Shqipëri: Ndalni agresionin ndaj protestuesve

0

Senatori demokrat amerikan nga Miçigani, Gary Peters, ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri, duke u bërë thirrje autoriteteve të shmangin përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë.

Përmes një reagimi publik, Peters thekson se palët duhet të angazhohen për uljen e tensioneve dhe parandalimin e episodeve të tjera të dhunës.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga situata në rritje në Shqipëri. Autoritetet lokale duhet të përmbahen nga agresioni kundër protestuesve paqësorë dhe të gjithë në terren duhet të punojnë për të ulur tensionet dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme”, shkruan senatori amerikan.

Peters e lidh shqetësimin e tij edhe me praninë e konsiderueshme të komunitetit shqiptaro-amerikan në Miçigan, duke nënvizuar se zhvillimet në Shqipëri prekin drejtpërdrejt shumë banorë të këtij shteti amerikan.

“Michigani është shtëpia e një komuniteti të fortë dhe të gjallë shqiptaro-amerikan dhe e di që këto zhvillime janë shumë personale për shumë banorë të Michiganit”, shprehet ai.

Në përfundim, senatori demokrat thekson se shqiptarët meritojnë institucione që garantojnë të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit, duke riafirmuar angazhimin e tij për paqen dhe drejtësinë.

Protestat në Milano, Meloni kërkon angazhimin e Ushtrisë

0

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mbajti sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Corriere della Sera dhe Il Messaggero thonë se po planifikohet nxjerrja e 500 ushtarëve në Milano për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

Kjo raportohet nga mediat italiane me burime qeveritare.

Gjithashtu, pritet të ketë deklaratë nesër pas një tjetër takimi.

Ronaldo gjobitet me 255 euro nga Portugalia

0

Cristiano Ronaldo është suspenduar për 30 ditë dhe ka marrë një gjobë prej 255 euro nga Federata e Futbollit e Portugalisë, pas largimit nga grumbullimi, shkruan “The Sun”. 

Rolando fiton rreth 225 milionë euro në vit, përfshirë pagat dhe marrëveshjet e tij komerciale. 

Pezullimi 30-ditor do t’i skadojë Ronaldos para ndeshjeve të ardhshme të Porugalisë kundër Danimarkës dhe Uellsit në Ligën e Kombeve.

Ndeshja e parë luhet më 14 nëntor kurse e dyta më 17 nëntor.

41-vjeçari u largua në mes të ndeshjeve të përfaqësueseve së Portugalisë në Ligën e Kombeve, pas një pakënaqësie që e pati me përzgjedhësin Jorge Jesus.

Pakënaqësitë e Ronaldos nisën kur ai mbeti vetëm në bankën rezervë në ndeshjen ndaj Norvegjisë më 27 shtator. 

Ronaldo tha se i ishte premtuar gjysmë ore lojë, por mbeti vetëm duke u ngrohur jashtë vijave kufizuese. Jesus më pas mori vendimin që të mos e inkuadrojë në lojë. 
Ronaldo është pesë herë fitues i “Topit të Artë” dhe prej më të mirëve në historinë e futbollit. Ai i është afruar shifrës së 1000 golave të shënuar në karrierë. Nuk pritet të pensionohet nga futbolli aktiv deri në arritjen e këtij suksesi.

Franca vendos orë policore në disa zona, pas protestave të dhunshme

0

Policia e Parisit vendosi të hënën orë policore gjatë natës në dy zona të kryeqytetit francez, në përpjekje për ta parandaluar dhunën e mëtejshme, pas një fundjave të shënuar nga trazirat më të rënda në Francë prej vitesh, të cilat shënjestruan bashkitë, ndërtesa të tjera publike dhe mijëra biznese në të gjithë vendin.

Urdhri synon t’i mbrojë “njerëzit dhe pronën nga dhuna dhe plaçkitjet”, thuhet në deklaratën e Policisë së Parisit.

Sipas vendimit ndalohet hyrja apo qëndrimi i kujtdo në Place de la République, ku të shtunën ndodhën trazira, si dhe në zonën tregtare Les Halles, e cila ka qenë objekt i plaçkitjeve.

Ora policore do të jetë në fuqi nga ora 23:00 e së hënës deri në orën 06:00 të së martës. Përveç kësaj, tubimet dhe demonstratat janë të ndaluara nga ora 20:00, njoftoi Policia e Parisit.

Më herët të hënën, kryeministri francez Sebastien Lecornu kishte bërë thirrje për shtetrrethime “shumë të kufizuara” dhe “lokale”.

Christiane Amanpour largohet nga CNN/ Gazetarja dhe prezantuesja e njohur ikën pas 43 vitesh

0

Gazetarja e njohur e zhvillimeve ndërkombëtare  ne mbare Boten, Christiane Amanpour do të largohet nga CNN në qershor të vitit 2027, pas nje karriere 43 vjecare në këtë rrjet mediatik.Ishte vete Gazetarja e cila beri te ditur per publikun largimin e saj nga posti I Korrespondentes  dhe Prezantueses Kryesore  per ceshtjet Nderkombetare ne  CNN.

“Pas shumë muajsh reflektimi dhe disa netësh pa gjumë, kam vendosur të ndahem nga CNN, partneri im për 43 vite fantastike”, deklaroi Amanpour.

Gazetarja 68-vjeçare tha se pret me interes projekte të reja në të ardhmen, ndërsa theksoi se do të vazhdojë të mbështesë CNN-in dhe traditën e tij të gazetarisë së pavarur. Ajo e përmbylli deklaratën me një mesazh që e ka shoqëruar gjatë karrierës së saj: “Jini gjithmonë të vërtetë, jo neutralë”.

Amanpour drejton emisionin e saj të intervistave në CNN International që prej vitit 2009. Në janar të vitit 2025, ajo e reduktoi angazhimin në disa ditë të javës, ndërsa nga janari i vitit 2027 emisioni do të transmetohet vetëm një herë në javë, deri në përfundimin e tij në maj. Megjithatë, ajo do të vazhdojë të raportojë dhe të udhëtojë në vende të ndryshme të botës për CNN-in deri në qershor të vitit 2027.

Drejtuesi  i CNN-it, Mark Thompson, konfirmoi vendimin e gazetares në një mesazh drejtuar punonjësve të rrjetit. Ai tha se e kishte diskutuar këtë çështje me Amanpour prej disa muajsh dhe, megjithëse i vjen keq për largimin e saj, beson se ky është momenti i duhur për të, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional.

Thompson e cilësoi Amanpour si një nga gazetaret më të besuara dhe më të vlerësuara në botë, duke theksuar se CNN-i do të gjejë kohën e duhur për të nderuar kontributin e saj përpara largimit vitin e ardhshëm.

Gjatë karrierës së saj, Amanpour ka raportuar nga disa prej konflikteve më të rëndësishme të dekadave të fundit, përfshirë Luftën e Parë të Gjirit, luftën në Bosnjë, Luften ne Kosove, gjenocidin në Ruandë, luftën në Afganistan, si dhe konfliktet në Ukrainë dhe Iran. Ajo theksoi se suksesi i këtyre raportimeve ishte rezultat edhe i punës së ekipeve të saj në terren, me të cilat kërkoi të dokumentonte faktet, provat dhe dimensionin njerëzor të konflikteve.