Mickoski: Eurostat konfirmon se çmimet e ushqimeve dhe pijeve në Maqedoni janë ndër më të ulëtat në rajon

0

-Të dhënat e Eurostat tregojnë se Maqedonia e Veriut ka ndër çmimet më të ulëta të ushqimeve dhe pijeve në rajon, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me të dhënat e Eurostat, sipas të cilave çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në vend janë 25 për qind më të ulëta se mesatarja e 36 vendeve evropiane.

Mickoski tha se sipas indeksit të çmimeve me vlerë referuese 100, vendi renditet ndër shtetet me çmimet më të ulëta në rajon.

“Eurostat publikoi të dhëna që bazohen në indeksin me vlerë referuese 100, sipas të cilit vendi ynë ka çmimet më të ulëta për pijet dhe ushqimet, bindshëm më të ulëtat në rajon. Me këtë rrëzohen të gjitha pretendimet e atyre që me qëllim të keq, gjatë periudhës së kaluar, përhapën gënjeshtra dhe dezinformata”, tha Mickoski.

Ai shtoi se, para së gjithash, u referohet disa përfaqësuesve të sindikatave, të cilët, sipas tij, janë praktikisht partnerë të koalicionit opozitar.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të gjitha problemet janë zgjidhur. Ka ende shumë probleme që duhet të trajtohen, sepse atë që ka ndodhur për më shumë se 30 vjet nuk mund ta zgjidhim për dy vjet. Megjithatë, shumica e problemeve janë zgjidhur ose janë në proces të zgjidhjes”, theksoi Mickoski.

Ai shtoi se Qeveria kishte punuar për stabilizimin e inflacionit dhe se, si rezultat, vendi sot, veçanërisht në tremujorin e tretë, ka normën dukshëm më të ulët të inflacionit në rajon dhe, siç tha ai, ndoshta edhe në Evropë.

“Më parë na bindnin se inflacioni ishte i importuar, kur kishim një normë dy herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Sot, kur kemi inflacion 25 deri në 30 për qind më të ulët se në BE, ata që na bindnin për këtë heshtin, janë fshehur diku dhe përpiqen sërish, si kufoma që presin prenë, të shkaktojnë dëme politike përmes gënjeshtrave, trillimeve dhe konstrukteve. Por gabohen”, deklaroi Mickoski.

Ai iu referua edhe zgjedhjeve në Bërvenicë, duke thënë se rezultatet tregojnë se opozita po humb mbështetjen e qytetarëve.

“E panë se çfarë ndodhi në Bërvenicë, katër me një, pesë me një. Po i humbin zgjedhjet, sepse nuk mund ta nënvlerësojnë popullin. Ata mendojnë se qytetarët nuk i mbajnë mend shtatë vitet kur, sipas meje, e plaçkitën dhe e shitën Maqedoninë, kur e shkatërruan atë”, tha Mickoski.

Sipas tij, opozita po përpiqet të dëmtojë Qeverinë përmes dezinformatave, ndërsa shtoi se qytetarët janë në anën e Qeverisë dhe të zgjidhjeve të saj.

Mickoski: Jemi pranë marrëveshjes me “Okta” për 2 denarë zbritje në çmimin e dizelit

0

Çmimi i dizelit mund të ulet nga nesër, nëse Qeveria arrin marrëveshje me “OKTA”-n për zbritje prej dy denarësh për litër. Negociatat janë në fazën përfundimtare, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski pret që marrëveshja të arrihet së shpejti.

“Po, jemi në negociata dhe mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje për zbritje prej dy denarësh”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Komunën e Çeshinovë-Obleshevës.

Kryeministri konfirmoi se mbeten në fuqi edhe masat e Qeverisë për uljen e TVSH-së dhe akcizës për dizelin, me qëllim zbutjen e presionit të çmimeve ndaj qytetarëve.

Sipas analizës së mëngjesit, dizeli sot kishte mundësi të shtrenjtohej për 0,5 deri në 1 denar për litër. Megjithatë, nëse arrihet marrëveshja me “OKTA”-n dhe sigurohet zbritja prej dy denarësh, çmimi mund të ulet nga niveli aktual prej 97 denarësh për litër.

Çmimi përfundimtar do të varet nga vendimi për çmimet e derivateve të naftës dhe nga finalizimi i marrëveshjes me “OKTA”-n.

Kërcënim me bombë në avionin nga Izraeli! Fluturimi drejt Vjenës bëri ulje emergjente në Bullgari

0

Një kërcënim me bombë detyroi një fluturim të Austrian Airlines nga Izraeli për në Vjenë të bënte një ulje emergjente në Bullgari nën eskortën e një avioni luftarak, raportuan mediat izraelite.

Airbus A320, që operonte si fluturimi OS82 nga Tel Avivi, u ul mirë në kryeqytetin Sofje me 51 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord, sipas linjës ajrore.

Mediat izraelite raportojnë se Austrian Airlines mori një paralajmërim nga një shtetas austriak që pretendonte se kishte një bombë në bordin e avionit.

Personi që raportoi këtë kërcënim mësohet se nuk ishte në aeroplan.

Pasagjerët thanë se ishin informuar për një kërcënim anonim me bombë që detyroi fluturimin të ndryshonte kurs.

Midis atyre në bord ishte një delegacion i të rinjve që pritej të fliste në Kombet e Bashkuara, raportoi agjencia izraelite.

Ministria Bullgare e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë MiG-29 u ngritën në ajër për të shoqëruar avionin në aeroport në një operacion të koordinuar me Qendrën e Operacioneve të Kombinuara Ajrore të NATO-s në Spanjë.

Pasagjerët u evakuuan pas uljes, ndërsa autoritetet bullgare nisën kontrollet e sigurisë së avionit.

Trump mbështet Netanyahun pak ditë para zgjedhjeve në Izrael

0

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Izrael, Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur Benjamin Netanyahun.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e quajti Netanyahun një “kryeministër të madh luftëtar” dhe partner për paqen, duke i njohur atij meritën për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në ndërmarrjen e sulmeve ndaj Iranit në muajin shkurt.

“Kjo letër shërben si shprehje e mbështetjes sime të plotë dhe tërësore për Bibi Netanyahu në garën e tij të ardhshme për t’u rizgjedhur si Kryeministër i Izraelit. Bibi Netanyahu nuk do t’ju zhgënjejë kurrë”, tha Trump.

Netanyahu shprehu menjëherë falënderimet e tij për Trump, duke thënë se “së bashku do ta përmbushin misionin”.

Pak para zgjedhjeve të para në Izrael, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor tre vite më parë, sondazhet tregojnë se asnjë kandidat nuk e ka rrugën të hapur drejt pushtetit.

Partia Likud e Netanyahut dhe koalicioni i saj i ekstremit të djathtë përballen me mundësinë e humbjes në garën e tetorit përballë një blloku opozitar, të udhëhequr nga kreu i partisë Yashar, Gadi Eisenkot.

Macron thotë se nëse është e nevojshme, protestat do të ndalohen!

0

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi mbrëmë se protestat mund të ndalohen nëse është e nevojshme, pas trazirave të dhunshme në Francë.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, prefektët do të marrin vendime në koordinim me kryetarët e komunave për të mbrojtur qytetet tona, ndërtesat publike dhe dyqanet. Nëse është e nevojshme, do të shkohet deri në ndalimin e tubimeve të caktuara dhe marrjen e masave të nevojshme”, tha presidenti francez në një adresim televiziv.

Macron tha se edhe puna e policisë do të shqyrtohet dhe kërkoi nga ministri i Brendshëm të merret me këtë çështje.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz protestuan të shtunën në Francë kundër kostos së lartë të jetesës.

Në shumë qytete pati grabitje, zjarrvënie dhe dëme materiale, ndërsa protestues të maskuar sulmuan bashkitë, stacionet policore dhe ndërtesat qeveritare.

“Dje, pavarësisht profesionalizmit të tyre, policët tanë u përballën me dhunë të paparë në shumë qytete”, tha Macron.

Ai shtoi se i ka kërkuar sërish qeverisë të nxjerrë mësime nga këto ngjarje, në mënyrë që ato të mos përsëriten.

“Pres përgjigje të qarta dhe gjithçka do të jetë plotësisht transparente”, theksoi Macron.

“Çdokush që është përpjekur ta rrëzojë Republikën do të mbajë përgjegjësi”, përfundoi presidenti francez./EPA

Ministrja e Arsimit në Shqipëri: Jemi gati për dialog me studentët! Shkollat funksionojnë normalisht

0

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, ka garantuar se procesi mësimor vijon normalisht në të gjithë vendin, pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave të fundit. Në një mesazh drejtuar prindërve, nxënësve dhe studentëve, ajo falënderoi mësuesit për angazhimin e tyre, bëri thirrje për më shumë komunikim me fëmijët dhe theksoi se shkollat mbeten të hapura, ndërsa theksoi se është e gatshme për dialog me studentët.

Shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë, është shprehur Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mëngjesin e sotëm, përmes një mesazhi nga zyrat e Ministrisë së Arsimit.

“Punonjësit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë ndaluar asnjë ditë punë, qoftë fizikisht, qoftë online për shkak se një pjesë e zyrave të janë të dëmtuara. Gjatë fundjavës kemi qenë në komunikim pa pushim me sistemin tonë arsimor që java të rifillojë në të gjitha shkollat, ku ju presin krahëhapur mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit socialë. Jemi të gjithë në krye të detyrës. Dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë mësuesve për gjithë përkushtimin e dhënë dhe kohën jo vetëm për fëmijët, por për komunikimin me prindërit”, tha Kumbaro.

Mësimi ka nisur këtë të hënë në mbi 1400 shkollat e vendit, në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, Ministrja Mirela Kumbaro ka pasur një mesazh edhe për prindërit.

“Të dashur prindër, kini besim te mësuesit. Por sidomos flisni me fëmijët tuaj. Çdo orë që ua merr dhuna, çdo minutë që shohin vandalizmat që i janë bërë qytetit tonë në rrjetet sociale, janë orë të humbura nga jeta e tyre. Koha e tyre është për edukim. Shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë.”

Ministrja e Arsimit u është drejtuar edhe studentëve, duke i ftuar për dialog.

“Studentë, kemi qenë në komunikim, edhe individualisht, gjatë gjithë këtij viti në këtë detyrë ku jam, dhe dua t’ju garantoj se dera e Ministrisë është e hapur, por edhe zemra e punonjësve të Ministrisë së Arsimit është e hapur. Gjërat bëhet me zemër dhe me dëshirë për të ecur përpara. Në çdo çast jam gati të ulemi bashkë dhe të përmirësojmë gjithçka që duhet bërë”, u shpreh Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.

“Një pjesë e shpirtit tim u shua bashkë me ty”, aktori Ylber Bardhi njofton se ka ndërruar jetë motra e tij

0

Aktori shqiptar nga Kosova, Ylber Bardhi ka njoftuar se ka ndërruar jetë motra e tij, Besa. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë aktori përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë disa fjalë prekëse për të motrën.

“BESA ime, motra ime e dashur. Sot një pjesë e shpirtit tim u shua bashkë me ty. Vëllai yt do të të mbajë përjetë në zemër, sepse motrat nuk harrohen kurrë, e as kur largohen nga kjo jetë. Të dua”, ka shkruar aktori Bardhi.

Rama: S’ka bursa e arsim falas për studentët e përfshirë në dhunë! 2500 euro për çdo efektiv në front dhe rritje e konsiderueshme page nga 1 janari

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar studentët që përfshihen në akte dhune gjatë protestave se, nuk do të përfitojnë arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti. Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Rama deklaroi se studentët që sulmojnë efektivët e policisë nuk duhet të përfitojnë nga fondet publike, ndërsa theksoi se paratë e taksapaguesve do të përdoren për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

“Nuk do kenë arsim falas ata studentë që dalin dhe dhunojnë policinë e shtetit, nuk do kenë bursa dhe mbështetje financiare nga shteti. Nëse duan të vazhdojnë universitetin pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, asnjë kokërr leku nuk do marrin ata nga taksat e shqiptarëve, asgjë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se fondet publike do të përdoren për riparimin e infrastrukturës dhe zëvendësimin e elementeve të dëmtuara gjatë protestave.

“Nga taksat e shqiptarëve do riparojmë trotuaret, semaforët dhe kamerat e shkatërruara, tabelat, stolat, do zëvendësojmë pemët. Nuk do paguhen nga taksat e shqiptarëve këta djem e vajza që mendojnë se u bë deti kos për Antifa-n”, u shpreh kryeministri.

Kyeministri iu drejtua më tej edhe familjeve të të miturve që përfshihen në akte dhune, duke paralajmëruar se mund të përballen me pasoja financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësi për fëmijët e tyre.

“I them familjeve të fëmijëve të mitur: do të paguani nëse nuk mbani përgjegjësi për ata fëmijë, nëse nuk dini t’i mbroni dhe i lini rrugëve që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa, atëherë fatura financiare për të gjitha ato dëme do t’ju shoqërojë deri në fund”, përfundoi Rama.

Rama paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, shteti do ta fitojë përballjen me dhunën dhe se personat që, sipas tij, janë përfshirë në një plan për të marrë pushtetin përmes akteve të dhunshme do të përballen me pasoja.

“Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë do të zhgënjehet dhe kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë, do paguajë”, deklaroi Rama.

Rama ka njoftuar një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv të Policisë që është angazhuar në vijën e parë gjatë protestave të ditëve të fundit. Gjithashtu, Rama deklaroi se nga 1 janari do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Policisë.

Gjatë takimit me forcat e Policisë, pas 6 ditësh protestash të shoqëruara me akte dhune, kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e efektivëve në terren. Rama theksoi se shuma prej 2500 eurosh do të jetë e njëjtë për të gjithë efektivët e angazhuar në front, pa dallime sipas nivelit të pagës.

“Nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë  të konsiderueshme. Për të gjithë sakrificën, kurajën dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin po i dilni përballë, ne do t’ju vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 euro për çdo efektiv që është në këtë front sepse keni jo vetëm stresin por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment edhe gjëra ekstra dhe vendosëm kështu për të mos bërë asnjë diferencë. Nuk e vendosëm sipas pagës, por e njëjta shumë për të gjithë”, tha Rama.

Kujdes banorë të Shkupit! Këto zona sot do të kenë ndërprerje të rrymës dhe ujit

0

Për shkak të ndërrimit të valvulës dhe hidrantit mbitokësor në rrugën “Koce Metalec”, pa ujë do të mbeten sot, nga ora 9:00 deri në përfundimin e punimeve, banorët e rrugëve “Koce Metalec”, “Zenicka”, “Tajmishka”, një pjesë e rrugës “Filip Filipoviq” dhe një pjesë e rrugës “Gemixhiska”, në komunën e Gazi Babës. Këtë e njoftoi NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup.

Ndërkohë, EVN Maqedoni njofton për ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa lokacione të Shkupit.

Nga ora 8:00 deri në 11:00, pa rrymë do të jenë konsumatorët në rrugët “Cvetan Dimov” dhe “Jajce”, në komunën e Gazi Babës, për shkak të punimeve në trafostacionin “Gazi Baba”.

Nga ora 10:00 deri në 13:00, ndërprerje të energjisë elektrike do të ketë në rrugën nr. 37, në fshatin Vollkovë, në komunën e Gjorçe Petrovit.

Ndërsa, nga ora 11:30 deri në 14:30, pa rrymë do të mbeten konsumatorët në rrugët “Kosta Abrasheviq”, “Dizhonska”, “Klinska Lesa” dhe “Serava”, në komunën e Çairit, për shkak të punimeve në trafostacionin “Dame Gruev 2”.

Bien çmimet e naftës pas vendimit të Trumpit për Rusinë

0

Çmimet e naftës sot vazhdojnë të bien, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hoqi sanksionet ndaj Rusisë, përcjell TV21. Kontratat e së ardhmes për naftën e llojit “Brent” vijuan rënien edhe mëngjesin e sotëm në bursat aziatike, ku çmimi në tregtimin e hershëm ra për më shumë se 1,5 për qind, në 107,92 dollarë për fuçi, transmeton Al Jazeera.

Kjo vjen pasi Trump të premten nënshkroi një urdhër ekzekutiv për heqjen e një sërë sanksionesh të lidhura me Rusinë, vetëm pak ditë para hyrjes së tyre në fuqi. Masat përfshinin tarifa doganore për mallrat ruse dhe ndëshkime për blerjen e naftës dhe gazit nga ky vend.

Çmimi i naftës bruto “Brent” të premten arriti për pak kohë në 110 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga maji. Rritja u ndikua nga tensionet dhe kërcënimet e sigurisë në Lindjen e Mesme, të cilat shtuan shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe uljen e furnizimit global me energji.