Dhunë në rrugët e Brukselit, policia hedh gaz lotsjellës ndaj studentëve

0

Disa qindra persona, kryesisht të rinj, protestuan të shtunën në Bruksel, ku demonstratat u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Trazirat dyshohet se janë nxitur pjesërisht nga protestat e dhunshme në Francën fqinje.

Protestuesit u mblodhën në qendër të kryeqytetit belg, duke brohoritur slogane antifashiste. Shumë prej tyre mbanin maska, ndërsa situata u përshkallëzua kur disa demonstrues përmbysën një automjet. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer rendin.

Protestat janë organizuar kryesisht nga grupe studentore, të cilat kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit dhe reformat që, sipas tyre, rrezikojnë ta bëjnë arsimin e lartë më pak të aksesueshëm për të rinjtë.

Ministri i Brendshëm belg, Bernard Quintin, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar se situata në Bruksel ka kaluar përtej kufijve të një proteste të zakonshme.

“Ajo që po ndodh në Bruksel nuk është më thjesht një protestë”, deklaroi Quintin, duke paralajmëruar se do të përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për të rivendosur rendin përballë personave që shkaktojnë trazira.

Protesta janë zhvilluar edhe në qytetin lindor të Liège, ku studentët kanë kundërshtuar më herët gjatë këtij muaji problemet me sistemin arsimor në gjuhën frënge, rritjen e shpenzimeve dhe vështirësitë në sigurimin e materialeve mësimore.

Ndërkohë, trazirat në Francë nisën muajin e kaluar me kundërshtime ndaj financimit të arsimit dhe kushteve në shkolla, por më pas u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë kundër pabarazisë, shpenzimeve publike dhe rritjes së kostos së jetesës.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për përhapjen e protestave dhe përshkallëzimin e përplasjeve në qytetet europiane.

Shaip Kamberi fton shqiptarët në tubimin e Koalicionit para zgjedhjeve të 25 tetorit

0

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në tubimin e përbashkët të Koalicionit Shqiptar, ku do të shpaloset programi për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.

Përmes një postimi, Kamberi ka bërë të ditur se tubimi do të mbahet nesër, nga ora 19:00, në Restaurant Bici.

Ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar rëndësinë e bashkimit për kërkesat dhe të drejtat e shqiptarëve.

“Të tregojmë që për kërkesat e të drejtat tona, jemi bashkë e betejën e vazhdojmë të bashkuar”, ka shkruar Kamberi.

Li Qiang: Kina është e gatshme për forcimin e përshtatjes së strategjive me Uzbekistanin

0

Kryeministri kinez Li Qiang tha të shtunën se Kina është e gatshme të forcojë përshtatjen e strategjive të zhvillimit me Uzbekistanin dhe të thellojë bashkëpunimin në energji dhe burime, AI, bujqësinë moderne dhe fusha të tjera.

Li, që ndodhet në një vizitë zyrtare në Uzbekistan, i tha këto gjatë bisedimeve me homologun e tij uzbekistanas Abdulla Aripov.

Duke vënë në dukje se vitin e ardhshëm do të jetë 35-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe, Li tha se Kina është e gatshme ta shfrytëzojë këtë mundësi për të punuar me Uzbekistanin për të vazhduar miqësinë e tyre tradicionale, për të thelluar besimin politik të ndërsjellë, për të përmirësuar bashkëpunimin praktik dhe për të forcuar ndërtimin e komunitetit Kinë-Uzbekistan me fate të përbashkëta, për të sjellë përfitime më të mëdha për të dy popujt.

Kryeministri Li theksoi më tej që pala kineze dëshiron të punojë me palën uzbekistanase për të shfrytëzuar më tej avantazhet plotësuese të të dy ekonomive, për të përmirësuar vazhdimisht ndërlidhjen në infrastrukturë, financë dhe fusha të tjera, për të avancuar ndërtimin cilësor të hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan dhe për të arritur rezultate më konkrete.

Li shtoi që Kina është e gatshme të importojë më shumë produkte cilësore dhe të specializuara nga Uzbekistani dhe mirëpret Uzbekistanin të shfrytëzojë plotësisht platformat si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE) për të eksploruar aktivisht tregun kinez.

Kryeministri Aripov, nga ana e tij, tha se Uzbekistani i admiron arritjet e jashtëzakonshme të Kinës në zhvillim dhe e vlerëson sinqerisht mbështetjen e fortë të Kinës për përpjekjet e Uzbekistanit për reformë dhe zhvillim.

Aripov tha më tej që Uzbekistani është i gatshëm të punojë me Kinën për të promovuar plotësisht ndërtimin e hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan dhe projekte të tjera bashkëpunimi në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, të thellojë bashkëpunimin me dobi reciproke, të shtojë koordinimin shumëpalësh dhe të promovojë zhvillimin e vazhdueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik mes Uzbekistanit dhe Kinës për një epokë të re.

Kafene, klube nate, kazino dhe bastore! Aksion në mbi 60 lokacione, arrestime dhe lokale të mbyllura

0

Mbi 60 lokacione në të gjithë Maqedoninë e Veriut janë përfshirë në një aksion të koordinuar policor dhe inspektues gjatë ditës së djeshme, deri vonë gjatë natës. Gjatë kontrolleve, sipas informacioneve jozyrtare të cilat i mëson TV21, janë zbuluar disa parregullsi, janë shqiptuar gjoba, janë lëshuar ndalesa për punë, ndërsa disa nga objektet janë mbyllur.

Në aksion kanë marrë pjesë Departamenti i Policisë Kriminalistike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të gjithë sektorët për punë të brendshme dhe disa shërbime inspektuese. Kontrollet janë kryer në kafene, klube nate, kazino, bastore dhe objekte të tjera.

Sipas informacioneve jozyrtare, shërbimet inspektuese kanë konstatuar parregullsi që lidhen me mbrojtjen nga zjarri, si dhe hyrje dhe dalje të bllokuara në disa objekte.

Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe persona të mitur, të cilëve, sipas informacioneve, u është shërbyer alkool. Gjithashtu, është zbuluar edhe një objekt ku dyshohet se organizoheshin baste ilegale online.

Në kuadër të aksionit janë kryer edhe bastisje, ndërsa disa persona janë arrestuar. Për momentin, nuk ka detaje zyrtare për numrin e personave të ndaluar, lokacionet ku janë kryer bastisjet dhe kundërvajtjet apo veprat penale konkrete që po hetohen.

Aksioni vjen pas aktiviteteve të koordinuara gjatë dy ditëve të fundit, të cilat kishin për qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme me drogë dhe armë.

Informacione më të hollësishme zyrtare për kontrollet dhe rezultatet e aksionit priten nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës.

Aksion policor i madh në Maqedoninë e Veriut, 16 të arrestuar

0

Një aksion i përforcuar policor në mbarë Maqedoninë e Veriut ka përfunduar me 16 persona të privuar nga liria, pas 47 kontrolleve në shtëpi dhe objekte ndihmëse në lokacione të ndryshme të vendit.

Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar sasi të mëdha marihuane, disa paketime kokaine, përfshirë edhe doza të përgatitura për shitje të mëtejshme, si dhe pistoleta, pushkë, municion, para dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me vepra penale.

Aksioni u realizua më 16 dhe 17 tetor nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, në koordinim me sektorët e punëve të brendshme dhe Njësinë për Qentë Zyrtarë.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se janë ngritur 11 kallëzime penale për vepra që lidhen me trafikimin e narkotikëve dhe armëmbajtjen e paligjshme. Aksionet për zbulimin dhe luftimin e kriminalitetit do të vazhdojnë.

KSHZ: Dalja në votime në Bërvenicë deri në orën 13:00 është 20,50%, 1,48% më e lartë se në vitin 2025

0

Dalja në votime në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës deri në orën 13:00 është 20,50%. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 3.331 votues, njofton Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, dalja në votime është rritur për 1,48%.

Sipas KSHZ-së, të dhënat janë siguruar nga 24 vendvotime.

Sa i përket mbrojtjes së të drejtës personale të votës, deri në orën 13:00 janë pranuar gjashtë ankesa, nga të cilat tri janë pranuar, ndërsa tri të tjera janë refuzuar si të pabazuara.

Informacionet e radhës për daljen në votime dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të bëhen të ditura në konferencën për shtyp të KSHZ-së, e cila do të mbahet në orën 15:30, në selinë e këtij institucioni./TV21

Një i vdekur në Gostivar – katër aksidente në Maqedoni

0

Një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar në katër aksidente trafiku të regjistruara më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, në fshatin Banjicë e Poshtme të Gostivarit, një 59-vjeçar ka humbur jetën pasi vetura “Opel” që drejtonte doli nga rruga dhe u përplas në një mur betoni. Vdekja e tij u konstatua nga mjeku kujdestar, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për obduksion.

Në një tjetër aksident, në fshatin Opajë të Komunës së Likovës, një 18-vjeçare që drejtonte një veturë “Audi” doli nga rruga dhe u përplas në një konstruksion metalik. Bashkudhëtarja e saj, gjithashtu 18-vjeçare, pësoi lëndime të rënda trupore.

Ndërkohë, në fshatin Orizarë të Likovës, një veturë “BMW” goditi një këmbësor 67-vjeçar, i cili pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

Një tjetër aksident ndodhi në bulevardin “Goce Dellçev” në Strumicë, ku u përplasën një veturë “Hyundai” dhe një automjet transportues “Nissan”. Në aksident, lëndime të rënda trupore pësoi një 44-vjeçar, bashkudhëtar në veturën “Hyundai”.

Policia ka kryer këqyrjet në vendngjarje dhe po heton rrethanat e aksidenteve.

Bastisje në Burgun e Idrizovës

0

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është kryer bastisje në Burgun e Idrizovës, ku si rrjedhojë është kapur substancë pluhurore.

“Më 16.10.2026, në orën 14:00, në SPB Shkup, nga INP Burgu i Idrizovës është denoncuar se rreth orës 11:30, gjatë bastisjes te i dënuari S.S., është gjetur dhe konfiskuar një substancë pluhurore. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së, përcjell TV21.

Substancë narkotike është gjetur edhe në oborrin e Burgut në Shkup (Shuto Orizares).

“Më 17.10.2026, në orën 11:30,  SPB Shkup ka marrë informacion nga INP Burgu – Shkup se brenda rrethojës së institucionit ishte gjetur një qese që përmbante një telefon celular, një karikues dhe marihuanë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftim të MPB-së.

Boksieri shqiptar mposhtet me nokaut të sekondës së fundit në luftë për titull të botës

0

Në sekondën e fundit të raundit të 12-të, Ermal Hadribeaj pësoi goditje të cilës nuk i rezistoi dot. Dhe kështu fitorja me nokaut i takoi Sebastian Fundoras së SHBA-së. 

Meçi i zhvilluar në orët e para të së dielës në Las Vegas, ishte për titull të botës në boksin profesionist, përkatësisht për versionin WBC në kategorinë super uelter. 

Fundora, që është shumë më i gjatë se boksieri shqiptar Hadribeaj, e mbajti titullin WBC. Amerikani ishte në epërsi edhe në pikë, por rriti ritmin në raundin e fundit, duke shfrytëzuar lodhjen e Hadribeajt.

“Më pëlqen fakti që e nokautova në sekondën e fundit. Ishte dramatike”, tha Fundora. “Kur e pashë se ai pothuajse u rrëzua pas një goditje me të majtën, i thash vetes që ta godas sërish”.

Hadribeaj ka kërkuar t’i afrohet sa më pranë shtatlartit Fundora gjatë meçit. Hadribeaj, 32-vjeçar, e pësoi humbjen e parë në karrierë. Ai ka 23 fitore, prej tyre tetë me ndërprerje. Është nga Tirana, ndërsa jeton në SHBA.

Fundora ka 25 fitore e një humbje. Ai ka dhënë goditje të shumta aperkat. Përfitoi nga rënia e energjisë te Hadrbeaj në raundet e mesme dhe i mbijetoi një reagim të boksierit shqiptar në raundin e nëntë. Hadribeajt iu reduktuan pikë në raundin e tretë dhe të 11-të për mbajtje të kundërshtarit.

Dalja në votime në Bërvenicë deri në orën 11:00 është 9,11 për qind

0

Dalja në votime në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës deri në orën 11:00 është 9,11 për qind. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 1.480 qytetarë, njoftoi kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq.

Ai bëri të ditur se votimi ka nisur me kohë, në orën 7:00, në të gjitha vendvotimet dhe po zhvillohet pa probleme më të mëdha.

Sipas Mariçiqit, dalja në votime është pak më e lartë krahasuar me zgjedhjet lokale të tetorit 2025, kur deri në orën 11:00 kishin votuar 8,34 për qind e votuesve, përkatësisht 1.346 qytetarë.

Ai vizitoi gjashtë vendvotime në Brvenicë, ku konstatoi se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt.