Ndërtimtarët ndërpresin çdo bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës

0

Shoqata e ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore, e organizuar pranë Odës Ekonomike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 8 prill ka vendosur që të ndërpresë të gjitha format e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.

Kjo shoqatë i ka dërguar një njoftim kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që precizon ndërprerjen e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.

Ndërprerja e të gjitha formave të komunikimit dhe bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet prej datës 14 prill (nesër), ndërsa në vijimësi Shoqata do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të veprimit të saj.

Ky vendim vjen nga fakti se Komuna e Prishtinës e ka rënduar dhe e ka penguar zhvillimin e bizneseve të ndershme, duke ngritur barriera dhe shumë vështirësi në punën afariste-biznesore.

Në njoftimin e dërguar Shpend Ahmetit, ndër të tjera thuhet se “shoqata ka vlerësuar se ka bërë të pamundurën për gjetjen e formave të bashkëpunimit dhe ka shprehur gatishmërinë e saj maksimale për të tejkaluar të gjitha situatat e mundshme, pengesat dhe parregullsitë nga kushdo që kanë ardhur ato, me të vetmin qëllim krijimin e kushteve për vazhdimin e aktiviteteve afariste-biznesore”, raporton portali standardi.eu.

“Ky është vendim unanim i shoqatës, se lidhur me kërkesat e parashtruara deri me tani, inicimi për marrëveshje të mundshme për çështje të caktuara si dhe parashtrimet në kontaktet e drejtpërdrejta me kryetarin e Komunës, apo drejtorin e urbanizmit nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret. Duke pasur parasysh se tani jemi në muajin e katërt të vitit 2015, ne kemi konsideruar se vazhdimi i mëtejmë i përpjekjeve për të tejkaluar gjendjen shumë të rëndë në lëmin e ndërtimtarisë, e cila bazuar në praktikën e gjertanishme është joracionale, pasi që më nuk është e besueshme që të ketë zgjidhje të shpejta e konkrete për krijimin e kushteve për punë”, thuhet në njoftim.

Ndërprerja e formave të komunikimit dhe bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet prej datës 14.4 2015, ndërsa Shoqata do të përcaktojë për hapat e mëtejmë të veprimit të saj.

​Kineastët të gatshëm për bojkotimin e festivalit të Stambollit, dënojnë censurimin

0

Më shumë se 100 kineastë turq duke përfshirë këtu Nuri Bilge Ceylan, fitues i Palmës së Artë në Kanë, u shprehën të gatshëm sot për të bojkotuar festivalin e Stambollit kundër censurimit të një dokumentari mbi rebelët kurdë, tërhequr nga programacioni nga ndërhyrja e autoriteteve.

Ky dokumentar, i titulluar “Bakur” (Veriu) ishte programuar dje pasdite. Por projektimi u anulua në minutën e fundit, organizatorët e festivalit, parashikuar nga 4 deri më 19 prill, morën një letër nga Ministria turke e Kulturës sipas të cilës ky film nuk kishte autorizimet e nevojshme.

Më shumë se 100 kineastë, përfshirë dhe Ceylan dalluar vitin e kaluar në festivalin e Kanës për filmin e tij “Winter Sleep”, nënshkruan një letër të hapur duke dënuar shtypjen dhe censurimin e ushtruar nga qeveria turke.

“Ne, kineastët, kundërshtojmë përdorimin e legjislacionit si mjet censure”, shkruajnë ata duke dënuar një agjendë politike.

Ata kërkuan që festivali të ndërpresë çdo projekt dhe 23 regjisorë tërhoqën filmat e tyre në shenjë solidariteti.

Deklarata e Ramës, Qosja: Bashkimi i popullit të ndarë

0

Shkruan: Akademik Rexhep QOSJA

Ideja e bashkimit kombëtar është ide e krijuar pas pushtimit të më tepër se gjysmës së trojeve shqiptare prej fqinjve ballkanikë në vitin 1912. Ideja e bashkimit kombëtar nuk është ide e shtetit amë dhe e pakicave që kanë mbetur jashtë kufijve të tij, por ide e popullit të ndarë. Kjo i bën të natyrshme dhe të ligjshme përpjekjet për sendërtimin e kësaj ideje . Ideja e bashkimit kombëtar është ide e madhe që më tepër se çdo ide tjetër e ka lëvizur historinë shqiptare.

E krijuar prej intelektualëve të mëdhenj kombëtarë , ideja e bashkimit kombëtar për shkak të trysnive prej Fuqive të Mëdha dhe institucioneve ndërkombëtare gjatë 100 vjetëve është përkrahur rrallë, vetëm prej ndonjërit nga politikanët më qartpamës shqiptarë. Deklarata e Edi Ramës se “Shqiptarët po ecin drejt bashkimit kombëtar”, kurse “Shqipëria e Kosova kanë dy alternativa : ose të bashkohen në familjen evropiane ose të bashkohen në mënyrë klasike”, megjithë ngjyresat diplomatike, është deklarata më larghedhëse dhe vizionare mbi bashkimin kombëtar e një politikani dhe shtetari shqiptar në kohën tonë.

Ndaj kësaj deklarate historike u reagua siç dhe mund të hamendësohej: U reagua mirëkuptueshëm prej intelektualëve tanë të orientimit kombëtar. U reagua matur prej Bashkimit Evropian. U reagua refuzueshëm prej disa intelektualëve tanë të orientimit mondialist e neoliberalist. Dhe, u reagua gati kërcënueshëm, me gjuhën e të kaluarës së pandryshuar ndaj shqiptarëve, prej Qeverisë së Serbisë. Ata që reaguan refuzueshëm dhe ata që reaguan gati kërcënueshëm ndaj deklaratës së Edi Ramës treguan se s’deshën të dinë: e para, se shqiptarët janë popull dhunshën i ndarë, prandaj përpjekjet e tyre për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë janë të natyrshme e të ligjshme. Bashkimi i dy Gjermanive është njëri prej më shumë shembujve të bashkimit të popujve të ndarë.

Dhe, e dyta, në kohën e integrimeve evropiane dhe planetare mospajtimi me bashkimin e një populli të ndarë është mospajtim me proceset demokratike moderne. Mund të besohet se reagimi i sipërthënë i Serbisë më tepër se prej vetë deklaratës së Edi Ramës është i nxitur prej njëmendësisë, që do të sjellin integrimet gjithëshqiptare ekonomike, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore, sportive, e të tjera, të paralajmëruara në mbledhjen e dy qeverive tona më 23 mars në Tiranë.

Është me rëndësi të madhe që ky integrim gjithëkombëtar të sëndërtohet duke iu shmangur neoliberalizimit ekonomik që sjell fryte vetëm për klasën politike dhe oligarkinë, në njërën anë, dhe duke ndërtuar ekonominë atdhetare, që e ka parasysh jetën e të gjitha shtresave kombëtare, në anën tjetër. Një ekonomi e tillë, atdhetare, bëhet premtim se bashkimi kombëtar, bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, e rrit cilësisht, e pasuron gjithanshëm jetën e popullit shqiptar.

Uroj që ata të cilëve iu ka takuar fati të marrin pjesë si politikanë dhe shtetarë në procesin e integrimeve gjithëkombëtare, si parathënie institucionale e shpirtërore në bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, të mos harrojnë se, siç e thonë ekonomistët e sotëm humanistë, neoliberalizmi është i papërgjegjshëm në pikëpamje shoqërore dhe i pandjesi në pikëpamje morale. Idetë janë ato që e lëvizin botën, por, siç e ka thënë njëri prej nismëtarëve të Bashkimit Evropian, institucionet i bëjnë njëmendësi të sendërtuar ato ide. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen dhe do të bashkohen në mënyrë klasike qoftë jashtë Bashkimit Evropian qoftë në Bashkimin Evropian.(“Shqip”)

Canon vjen me aparatin e ri XC10 (Video)

0

Kompania e famshme Canon prezanton pajisjen më të re XC10, që vjen me video të përmirësuar 4K dhe lentet për zoom. Aparati ka të instaluar një sensor 1-inç që mund të incizojë video 4K me rezolucion 3840×2160 dhe gjithashtu video full HD me 1080 pixels.

E veçanta e këtij aparati është lidhja me Wi-Fi për dual-band 2.4 GHz dhe 5GHz që mundëson kyçjen me tablet, telefona të mençur dhe kompjuter. Aparati i ri XC10 mund të bëjë fotografi, por vetëm me 12 megapixels kurse videot 4K deri në 8 megapixels.

Pritet që aparati i ri kamër të vijë kundrejt çmimit prej 2,500 dollarë.

Vërtetohet prania e ujit në planetin Mars

0

Anija “Curiosity” e NASA-s ka zbuluar se Marsi ka ujë të kripur nën sipërfaqen e tij.
Marsi konsiderohet një planet armiqësor për jetën. Mirëpo matjet e reja në kraterin e malit Gale japin të dhëna të ndryshme nga teoritë ekzistuese, sipas të cilave, planeti është tepër i ftohtë për praninë e ujit.

Anija “Curiosity”, e cila aktualisht ndodhet në malin Sharp, në qendër të kraterit Gale ka zbuluar se Marsi ka ujë nën sipërfaqe, raporton “The Guardian”.

Deri tani shkencëtarët kishin besuar se kushtet e planetit të kuq ishin tepër të ftohta për ekzistencën e ujit, edhe pse janë disa depozita akulli.

“Të dhënat tregojnë se uji mund të jetë në formën e permafrostit. Është hera e parë që zbulojmë ujë këtu”, tha profesor Andrew Coates nga “Mullard Space”.

Gjetja sugjeron se toka e këij planeti ka ujë të kripur, për shkak të pranisë së kripës, e cila e ulë në mënyrë domethënëse pikën e ngrirjes së ujit. Kur përzihet me perklorat kalciumi, uji mund të ekzistojë në këtë formë edhe nën temperaturën -70 gradë dhe kripa i gëlltit avujt e ujit nga atmosfera.

Gjatë netëve dimërore, deri në pikun e diellit, nivelet e temperaturës dhe lagështisë janë të duhurat për formimin e ujit të kripur. (lajmi.net)

Kosova e Shqipëria, pagat më të ulëta në rajon

0

Sipas të dhënave nga agjencia e statistikave “Open Data Albania”, këto dy shtete nuk aplikojnë pagesë minimale më shumë se 200 €, duke rënën nën Bullgarinë që ka 184 €
Ndryshe nga vendet tjera të Ballkanit, Shqipëria dhe Kosova aplikojnë pagesën minimale më të ulëtën për punëtorët e tyre. Sipas të dhënave nga agjencia e statistikave “Open Data Albania”, këto dy shtete nuk aplikojnë pagesë minimale më shumë se 200 euro, duke rënën nën Bullgarinë.
“Shqipëria që prej korrikut të vitit 2013 aplikon një pagë minimale prej 22,000 lekë në muaj ose 157 euro. Por kjo pagë nuk është aplikuar edhe si minimum për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, thuhet në raportin e ODA-s.
Shqipëria dhe Kosova janë vende të rajonit që aplikojnë pagë minimale nën 200 euro në muaj. Vendet evropiane paraqesin nivele të larta të pagave minimale, mbi 300 euro në muaj. Përjashtim bën Bullgaria e cila aplikon një pagë minimale mujore prej 184 euro.
Shqipëria, sipas të njëjtit raport, ka aplikuar dy standarde page minimale.
“Deri në 31 korrik 2014, si pagë minimale për efekt të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore ka shërbyer paga prej 19,026 lekë në muaj, por duke filluar nga 1 gusht 2014 kjo pagë u rrit deri në nivelin prej 19,406 lekë në muaj. Në 1 janar të vitit 2015, paga minimale mujore për efekt kontributesh u barazua me pagën minimale mujore në shkallë vendi, pra u bë 22 000 lekë”, analizon Open Data Albania.
Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria aplikon një pagë minimale mujore më të ulët se vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Kosovës e cila e aplikon pagën minimale mujore bazuar në moshën e të punësuarit.
Në Kosovë, për të punësuarit deri në 35 vjeç si pagë minimale është 130 euro në muaj, ndërsa për të punësuarit 35-65 vjeç si pagë minimale është 170 euro në muaj.
Ndryshe, Luksemburgu aplikon edhe nivelin më të lartë të pagës minimale mujore prej 1923 euro. Nga 1 janari 2015, Gjermania ka aplikuar për herë të parë pagën minimale mujore, e cila arrin në 1473 euro muaj. Ndërsa vendet si Italia, Austria, Danimarka, Finlanda, Suedia, Zvicra, Qipro, Islanda dhe Norvegjia, sipas ODA, nuk aplikojnë pagë minimale./albinfo.ch/

Vulin shpallet qytetar nderi i Vitisë nga strukturat paralele

0

Ministri i punës, punësimit, çështjeve të luftëtarëve dhe çështjeve sociale i Serbisë, Aleksandar Vulin është shpallur sot qytetar nderi i Vitisë.

Në një solemnitet të mbajtur në Shtëpinë e kulturës në Kllokot, ka thënë se kjo paraqet “mirënjohje për Serbinë dhe Qeverinë serbe” dhe se është “mënyrë që qytetarët e Vitisë t’i tregojnë Serbisë se janë këtu dhe se Serbia duhet të mendojë për ta, të paktën po aq sa ata mendojnë për shtetin e tyre”.

Mediat serbe raportojnë se në solemnitetin në Kllokot, përveç qytetarëve dhe udhëheqjes së kësaj komune, kanë marrë pjesë kryetarët e komunave serbe të Anamoravës, si dhe “kryeshefi i qarkut kosovaro-anamoravas” Sergjan Mitroviq.

Ka qenë i pranishëm edhe Kumuceas Georgios, anëtar i Misionit të përhershëm të OSBE-së, i cili gjithashtu është shpallur qytetar nderi i Vitisë dhe kryetari i nderit i Këshillit kombëtar të grekëve të Serbisë, Hristos Aleksopulos, i cili ka marrë mirënjohje të veçantë.

Ndërkohë, Klna Kosova raporton se për ndarjen e këtij çmimi kanë reaguar zyrtarët e pushtetit legal në Viti.

Sipas tyre, ky është akt i strukturave paralele të Vitisë dhe si i tillë është i pavlefshëm.

Ndryshe, Vulin ka qenë drejtor i Zyrës qeveritare serbe për Kosovën dhe para se të bëhet qytetar nderi i Vitisë, është shpallur qytetar nderi edhe i Mitrovicës veriore dhe i Leposaviqit.

​Ushtrimet e duhura për ta hequr mjekrën e dyfishtë

0

Askush nuk e dëshiron një mjekër të dyfishtë, por shumë prej nesh ka atë. Edhe njerëzit të cilët nuk janë në mbipeshë!

Nëse ju keni një mjekër të dyfishtë, mund të imagjinohet se ju nuk dëshironi ta keni më atë.

Arsyeja më e madhe pse njerëzit e fitojnë “mjekrën e dyfishtë” në rend të parë është për shkak se fitojnë në peshë.

Ndonjëherë kjo është vetëm për shkak se ne shkojmë duke u vjetruar kështu edhe lëkura jonë fillon të lëshohet.

Kjo ju ndodh për shkak se muskujt e qafës dhe të nofullës nuk përfshihen shumë në lëvizje. Por, tek e fundit nuk ka rëndësi se si ka ardhur deri tek shtimi i mjekrës së dytë, problemi është që ju e keni.

Provojini këto ushtrim të lehta dhe do të ju ndihmojnë ta evitoni atë.

Ju mund të shtini në funksion çdo muskul të fytyrës dhe kjo do të ju ndihmoj shumë që ta largoni atë.

Do të shqyrtohet draft-rezoluta për Shqipërinë

0

Draft-rezoluta për Shqipërinë, e përgatitur nga eurodeputeti Knut Flekenshtajn, do të diskutohet në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit të Evropës. Eurodeputetët pritet të nënvizojnë se zbatimi i reformave për pesë prioritetet kyçe i mundëson Shqipërisë hapjen e rrugës për fillimin e negociatave për anëtarësinë në Bashkimin Europian.RTV21

Ndalohen dy serbë në lidhje me zhdukjen e Sead Alushit

0

Dy serbë nga veriu i Mitrovicës janë në ndalim që nga e shtuna në lidhje me zhdukjen e 17 vjeçarit Sead Alushi në lumin Ibër.
Ata janë ndaluar për 48 orë më urdhër të prokurorit. Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës Besim Hoti sipas të cilit kjo u bë me qëllim të masave të sigurisë për dy personat.
“Po janë ndaluar dy serbë, pronarë të shtëpisë ku të rinjtë shqiptarë kanë hyrë për të marrë disa qen”, tha Hoti për KosovaPress.
Sipas tij kjo është bërë me qëllim të masave preventive pasi që ata janë dëshmitarë të këtij rasti.
Në ndërkohë edhe sot po vazhdon kërkimi për gjetjen e 17 vjeçarit i cili dyshohet se ka rënë në lumin Ibër.
Kërkimet po bëhen nga ekipet e shpëtimit të FSK-së.RTV21