Java e ardhshme me mot të kthjellët dhe të ngrohtë

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për javën e fundit të muajit gusht parashikon mot të kthjellët veror, me vranësira të lehta dhe me temperatura rreth gradës së 30-të të shkallës së Celsiusit.

“Vranësirat e lehta dhe kthjellimet do të jenë dominuese gjatë gjithë javës, duke krijuar kushte për një mot relativisht të ngrohtë dhe me vapë.

Temperaturat minimale do t’i ruajnë këto vlera të tanishme, nga 12-14 gradë Celsius, derisa maksimalet do të shënojnë rritje për 6-9 gradë Celsius gjatë gjithë javës. Do të thotë temperaturat maksimale do të lëvizin nga 29 -30gradë në veri dhe verilindje të vendit, deri në 31-33 gradë Celsius në jug dhe jugperëndim të vendit. Këto vlera të temperaturave të larta do të jenë me intervale kohore 2-3 orë gjatë ditës.

Ditën e martë do të ketë vranësira pak sa më të theksuara duke krijuar kushte që vende-vende të ketë ndonjë rigë të dobët shiu. Temperaturat maksimale në viset malore do të lëvizin ndërmjet 24-26 gradë Celsius.

Shtypja atmosferike do të ketë ndryshime të lehta, por që duke shënuar gjithnjë vl erat e mbinormales. Lagështia relative e ajrit mëngjeseve do ti shënoj vlerat afërsisht të ngjashme me ditët e mëparshme, por gjatë ditës do të pësoj zbritje deri 37-30%.

Do të fryjë erë drejtimesh të ndryshme, por që dominues do të mbetët drejtimi verilindor me shpejtësi 1-5m/s.

Mot me temperatura të larta do të vazhdoj të mbajë edhe për gjatë vijës bregdetare , ku maksimalet gjatë gjithë javës do të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë Celsius”, thuhet në parashikimin e IHMK-së për javën në vijim.

Zvicër, Dy avionë përplasen gjatë show-t në ajër, 1 i vdekur

0

Një person i vdekur është bilanci i aksidentit ajror mes dy avionëve të vegjël që u përplasën në veri të Zvicrës gjatë spektakleve ajrore, tha policia.

Aksidenti ndodhi rreth orës 09.30 në ajër mbi fshatin Dittingen, në afërsi të Bazelit.

Mediat zvicerane raportojnë se njëri nga pilotët arriti të shmangte aksidentin pasi u hodh me parashutë.

Aksidenti në Zvicër ndodhi një ditë pasi 11 persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën kur një avion ushtarak, gjatë një spektakli në ajër në Mbretërinë e Bashkuar u rrëzua në një rrugë të populluar në jug të vendit.

Londra dhe Teherani rihapin ambasadat dhe normalizojnë marrëdhëniet

0

Kreu i diplomacisë britanike, Philip Hammond rihapi sot ambasadën e vendit të tij në Teheran, mbyllur që prej katër vitesh pasi ishte sulmuar nga militantët armiqësor me riforcimin e sanksioneve kundër Iranit.

”Kjo rihapje shënon fundin e një rruge të gjatë dhe fillimin e një rruge të re të ndërmarrë nga dy kombe të mëdha”, deklaroi Hammond gjatë një ceremonie në mjediset e ambasadës.

Mbyllur që prej nëntorit të vitit 2011, ambasada e Iranit në Londër do të rifillojë sot aktivitetet.

Sipas Hammond, marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar që prej zgjedhjes së presidentit iranian, Hassan Rohani në vitin 2013.

”Marrëveshja historike për programin bërthamor muajin e kaluar ka qenë një etapë tjetër dhe ka treguar pushtetin e diplomacisë në një atmosferë të respektit të përbashkët, për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta”, shtoi ai.

Vizita e tij dyditore është e para për një shef të diplomacisë britanike në Iran që prej vitit 2003. Ajo u zhvillua pas vizitës së zëvendëskancelarit gjerman, Sigmar Gabriel, shefit të diplomacisë franceze, Laurent Fabius dhe shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, të cilët kanë vizituar Teheranin pas nënshkrimit më 14 korrik të marrëveshjes historike për programin bërthamor.

Vendet e mëdha evropiane kanë tashmë të gjitha një ambasadë në Teheran, por SHBA-ja dhe Kanadja nuk kanë hapur ende ambasadat e tyre.

Ngjarje e javës: Si u varros një mafioz i Romës?

0

Është kthyer në një debat të fortë politik, parlamentar, fetar e publik në Itali ceremonia e varrimit të pak ditëve më parë në Romë të Vittorio Kazamonika, bosit të familjes mafioze Kazamonika, me një aktivitet ilegal të shtrirë në pjesën jugore të kryeqytetit italian e në rrethinat përrreth tij.

Klani mafioz i familjes Kazamonika me origjinë rome nga rajoni i Abrucos, ka mbërritur në Romë në vitet ’60 dukë vënë nën zotërim trafikun e lëndëve narkotike në të gjithë kryeqytetitn italian, me një biznes fajedeje me interesa që kapërcejnë 200-300 % e me investime në shumë sipërmarrje në sektorin e ndërtimit, tregtisë, turizmit, në restorante e organizime eventesh, spektaklesh etj.

Influenca e klanit Kazamonika është e fuqishme jo vetëm në ekonominë e kryeqytetit italian por dhe në politikën e drejtimit lokal aq sa emri i kësaj familje është e përfshirë në hetimet e skandalit të fundit “Mafia Kapitale”, i cili zbuloi një aktivitet të thellë korrupsioni në administrimin e tenderave në Komunën e Romës e në rajonin e Lacios.

Vittorio Kazamonika, bosi i kësaj familje mafioze vdiq pak ditë më parë në Romë në moshën 65 vjeccare, nga një sëmundje e pakurueshme. Ceremoniali i varrimit të tij, i cili u mbajt në lagjen Tuskolana, një zonë autentike romane, në zemër të territorit të influencës së aktivitetit të këtij klani, qeaq madhështor sa i krahasueshëm me skenografië e një filmi hollivudian.

Në fasadën e kishës Don Bosko ku u zhvillua dhe mesha e lamtumirës së fundit qenë ngjitur manifeste madhështore me fotografinë e bosit mafiioz e me sllogane si “Vittorio Kazamonika mbeti i Romës, apo ” Pushtove Romën , tani do të pushtosh dhe parajsën”. Një karrocë antike e vitit 1910, me 6 kuaj tërhiqte akrivolin e Vittorio Kazamonikas, e thuhet se qe e njëjta karrocë e cila u përdor në varrimin e aktorit të madh e mjaft të dashur për italianët Totò. Një helikopter i drejtuar nga një pilot i Entit të aviacionit civil hidhte nga ajri petale trëndafilash të kuq e rreth e qark kishës një bandë istrumentistësh ekzekutonte muzikën e filmit të Francis Copola “Il Padrino”.

Gjatë ceremonialit të varrimit trafiku në këtë lagje qe plotësisht i bllokuar nga pjesëmarrja e shumtë e njerëzve si dhe nga makinat lluksoze Roll Royce të cilat paraprinin karrocën antike me arkivolin e bosit mafioz. Me dhjetra automjete nga më lluksoze Jaguar, Mercedes, Suv, Ferrari etj kishin pushtuar rrugët e sheshet pranë kishës ku po zhvillohej ceremoniali. Gjithcka ishte surreale aq sa do ta kishte zili dhe produktori më i fuqishëm i hollivudit.

Të menjëhershme qenë reagimet e polemikat e politikës italiane me gjithcka ndodhi as sa disa e kanë epitezuar këtë ngjarje si “varrimi i kryeministrit Renzi, ministrit të brëndshëm Alfano e kryetarit të Bashkisë së Romës Marino.” Sipas tyre lejimi i një cremoniali të tillë për një bos mafioz duhet të shlyhet vetëm me dorëheqjen e këtyre tre eksponentëve të lart ë, përgjegjësit kryesorë mbi gjithcka ndodhi, raporton OraNews.

Presidentja e Komisionit antimafia në Parlamentin Italian Rosy Bindi është shprehur se “është mjaft e alarmuar që varrimi i një prej ekspoentëve të klanit mafioz Kazamonika, i përfshirë në shumë hetime mbi kriminalitetin roman, e mbi Mafien e Kryeqytetit, u kthye në një salltanet të fuqisë mafioze. Është e domosdoshme verifikimi i autorizimeve përkatëse për të kryer një ceremonial të tillë. Sidoqoftë të preokupon klima e konsesusit për gjithcka ndodhi e që nuk lë asnjë dyshim mbi ekzistencën e mafias në kryeqytet. Ky fakt duhet të jetë një impenjim i dyfishtë i forëës së insitutcioneve kundër krimit e aktivitetit mafioz.”

Akuza të forta vazhdon të ketë dhe ndaj priftit që mbajti meshën e lamtumirës për bosin mafioz Vittorio Kazamonika. Dhe pse nuk ka pasur asnjë regim zyrtar nga Vatikani, prifti i kishës Don Bosko është mbrojtur duke u shprehur se do ta ribënte gjithcka, pasi është drejtues i një vendi të shenjtë besimi që i mban hapur dyert për cdo të krishterë. Përsa i përet manifesteve e slloganeve të ngjitura në fasadën e kishës është justifikuar se nuk kishte idenë e cka po ndodhte jashtë mureve të saj, pasi ishte duke u pregatitur për mbajtjen e meshës së varrrimit.

Por lajmi, fotografitë e videot e varrimit madhështor të bosit mafioz në Romë kanë pushtuar dhe faqet e të përditshmeve më të rëndësishme të botës. New York Times, Le Monde, The Guardian, Fox News, Sky News, etj komentojnë pothuajse një zëri; “Neveri në Romë. Petale lulesh e ceremoni lluksoze në varrimin e “Il Padrinos”.

Edhe një "dallëndyshe" e Gjakovës…(Video)

0

Tomor Musa nga Gjakova, anipse i ka kaluar të 50-tat ai ende ka vullnet dhe dëshirë që të kërcejë në ujin e Drinit të Bardhë, nga shkëmbinjtë te Ura e Fshejtë. Ai ka shtuar se idol të kërcimeve e kishte poetin e mirënjohur nga Gjakova, Ali Podrimjen që kërcente aq bukur nga kjo Urë…/21 Media

Gjermani, protesta kundër azilantëve, qytetarët u dalin në mbrojtje

0

Në qytetin Hajdenaut në lindje të Gjermanisë ka pasur përleshje të dhunshme që shpërthyen pas një proteste të organizuar kundër azilkërkuesve. Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën e krijuar nga rreth 600 protestues të ekstremit të krahut të djathtë, të cilët u mblodhën rreth një magazine, ku strehohen azilantët.

Ata u shprehën kundër numrit të madh të refugjatëve, që po hyjnë çdo ditë në Gjermani dhe kërkuan largimin e menjëhershëm të tyre. Protestuesit qëlluan policinë me fishekzjarre, shishe dhe gurë duke plagosur rreth 30 oficerë.

Ndërkohë pranë kampit të azilantëve gjatë ditës u mblodhën banorët e qytetit, që dolën në krah të azilantëve, thanë se protestuesit ekstremistë nuk ishin pjesë e komunitetit të tyre. Në përkrahje të azilkërkuesve kanë dalë edhe tifozët e Borusia Dortmund të cilët kanë ngritur pankarta me mbishkrimin, “Refugjatë mirë se vini”.

Gjermania pret një numër rekord prej 800 mijë klandestinësh deri në fund të vitit, ndërsa po përballet me mungesën e ambienteve për akomodimin e tyre. Më shumë se një e treta e azilkërkuesve vijnë nga Ballkani.

Ministri i Punëve të Brendshme në Gjermani, Thomas de Maiziere premton “të gjithë forcën e ligjit” ndaj atyre që ushtruar dhunë mbi emigrantët.

“Kemi një rritje të urrejtjes, fyerjeve dhe dhunës ndaj azilkërkuesve. Kjo është e padenjë dhe e turpshme për vendin tonë”, shprehet De Maiziere për “Der Spiegel”.

Gjatë fundjavës pati trazira nga ekstremistët e djathtë në Dresden, ku protestuesit sulmuan kampet e refugjatëve.

“Duhet ta mendoni njëherë veten në situatën e refugjatëve. Kushdo që vepron kështu do të ndeshet me forcën e ligjit”, shprehet ministri i Brendshëm gjerman

BE-ja nuk do të lejojë diskurs nacionalist

0

Ashpërsimi, kohët e fundit, i diskursit politik nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, reflekton mosdurimin e ndërsjellë dhe mundësinë e betejës së gjatë ndërmjet dy vendeve, lidhur me mospajtimet e vazhdueshme që kanë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Polemikat, së fundmi, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndërmjet ministrave të Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë kritikuar se diskursi i tyre bart edhe fjalor nacionalist, raporton Radio Evropa e Lirë.
Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ashpërsimi i diskursit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe polemikën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, pasqyron situatën reale të mosdurimit të dy vendeve.
“Në fakt, është e kuptueshme se shtrëngimi i duarve dhe ndonjë buzëqeshje që ndoshta bëhet në Bruksel, është më shumë formalitet se sa që është ndonjë përafrim real në mes përfaqësuesve të dy vendeve”.
“Mirëpo, kjo është e kuptueshme edhe për faktorin ndërkombëtar, sepse prapë se prapë, ata nuk janë aq naivë sa të mendojnë që disa takime në Bruksel, mund të ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.
Ismajl Hasani, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se diskursi i ashpër i kohëve të fundit, kryesisht është nxitur nga autoritetet serbe dhe kjo, sipas tij, ndodhi edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ministri i Jashtëm, Daçiq, e ka nxitur dhe e ka pasuar ministri i punëve të Jashtme i Kosovës, zoti Thaçi, me kundërpërgjigje. Është një gjë e rastit, e cila nuk lë shije të mirë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sidomos në kohën kur neve na duhet më tepër se çdo herë lobimi për t’u anëtarësuar në UNESCO. Përndryshe, fjalori ballkanik është i njohur edhe në instanca ndërkombëtare. Njerëzit tashmë njohin edhe mënyrën e komunikimit të ballkanasve”, vlerëson Hasani.
Të dy këta njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se me gjithë diskursin e ashpër ndërmjet dy vendeve, kjo atmosferë nuk do të bartet edhe në takimin e Brukselit, i cili pritet të zhvillohet më 25 gusht, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrir të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Analisti Muhaxhiri vlerëson se politikanët e Ballkanit, në përgjithësi, ia përshtatin sjelljet dhe qëndrimet e tyre politike bashkëpunëtorëve.
Në këtë rast, sipas tij, bashkëpunëtorët e politikanëve të Kosovës dhe Serbisë janë nga Bashkimi Evropian dhe këta të fundit, siç thotë ai, nuk ua ofrojnë luksin autoriteteve të dy vendeve që të sillen ashpër.
“Në fakt, unë besoj se në Bruksel do të jetë krejtësisht ndryshe. Thaçi dhe Daçiqi, mirëpo edhe Mustafa dhe Vuçiqi, pra, të katër aktorët kryesorë, e dinë dhe e kanë të qartë se nuk mund të ketë një mosmarrëveshje të tillë të madhe në raport me kërkesat e Brukselit ndaj Kosovës dhe Serbisë”.
“Pra, sigurisht që do ta ndryshojnë qasjen dhe do të jenë shumë më të qetë kur kanë të bëjnë me kërkesat e Mogherinit dhe të BE-së, në përgjithësi”, konsideron Muhaxhiri.
Edhe analisti Hasani vlerëson se në bisedimet e takimit të ardhshëm të Brukselit, të cilin e lehtëson Zyra e shefes së Diplomacisë Evropiane, Federica Mogherini, nuk do të lejohet diskursi i ashpër.
“Zyra nuk duron përplasje dhe fjalor nacionalist. Në instancën e fundit, pala e Serbisë dhe ajo e Kosovës po shkojnë për problemet, për të cilat janë zotuar me marrëveshjen e prillit”, shton Hasani.
Ndryshe, Muhaxhiri theksonse me përdorimin e diskursit të ashpër, politikanët e Kosovës dhe Serbisë, përveç tjerash synojnë pikë politike edhe tek elektorati i tyre.

"Tuneli Avrasya" që do të lidhë Azinë me Europën – drejt përfundimit

0

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu ka marrë pjesë në përfundimin e gërmimeve në mega-projektin “Tuneli Avrasya”, tunel ky që do të lidhë Azinë me Europën duke kaluar poshtë detit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Davutoğlu dhe bashkëshortja e tij Sare Davutoğlu morën informacione nga zyrtarë të mega-projektit në kantierin e pjesës europiane të këtij projekti në Çatladıkapı.

Ndërkohë Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëronte ndoqën përfundimin e shpimit të “Tunelit Avrasya” nga ekrani. Ndërkohë pas dëgjimit të fjalëve “gërmimi i tunelit përfundoi” Kryeministri Davutoğlu dhe delegacioni që e shoqëronte duartrokiti përfundimin e këtyre punimeve.

Në një fjalim të mbajtur me këtë rast Kryeministri i Turqisë, Davutoğlu tha se kjo është një ditë historike për aziatikët dhe europianët.

Davutoğlu i cili shpjegoi se një udhëtim që zgjaste rreth 100 minuta tashmë ka zbritur në 15 minuta në një siguri dhe qetësi maksimale, më tej në fjalën e tij shtoi: “Është një projekt i madh. Nga projekti 14.1 kilometra që lidh Göztepen me Kazlıçeşmen 5.4 kilometra ndodhet nën det nga të cilët 3 mijë e 342 metra nën ujë, gërmimi i së cilës përfundoi sot. Menjëherë pasi mora detyrën si Kryeministër më 13 shtatorë zbrita për të ndjekur nga afër punimet në tunel dhe atëherë isha i mbushur me shpresë nga puna e palodhshme që bëhej aty. Un falenderoj të gjithë firmat, inxhinierët dhe punonjësit të cilët nuk e nxorën huq këtë shpresë pasi ata e përfunduan 6 muaj para parashikimit gërmimin e tij. Gërmuan 3 mijë e 342 metra në 490 ditë”.

Davutoğlu në fjalën e tij gjithashtu vuri theksin në problemet e trafikut në qytetin e Stambollit pas rritjes dhe modernizimit të qytetit dhe se trafiku në këtë qytet është pjesë e pandarë e jetës së ditës.

“Përmes këtij tuneli pritet të kalojnë rreth 130 mijë automjete, kjo do të thotë që 130 mjete të cilët sot udhëtonin në rrugë pas hapjes së këtij tuneli do të udhëtojnë në tunel, madje në një kohë më të shkurtër. Në këtë mënyrë trafiku në këtë qytet do të normalizohet. Ky projekt do të ndihmojë për ruajtjen e atmosferës së figurës së Stambollit” tha Davutoğlu dhe shtoi më tej se ruajtja e ambientit është një borxh për brezat e ardhshëm.

Ndërkohë pas fjalimit Kryeministri Davutoğlu zbriti në tunel për të ndjekur punimet nga afër dhe pozoi me punëtorët e pranishëm.

Çështja e patentshoferit tash më mirë (Video)

0

Jo tenderi, jo mungesa e materialit por puna me nxerrjen e patentshoferit muajve të kaluar ishte bërë ç ështje e madhe madje-madje bukur problematike në prag të verës kur njerëzit udhëtojnë jasht vendit për pushime. Si është tani gjendja rreth nxerrjes ose ripërtritjes së afatit të këtij dokumenti personal flet kronika në vazhdim./ 21 Media

​Përveç Prokurores arrestohen edhe dy ndërmjetësues

0

Pas hetimeve të gjata, të udhëhequra nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë arrestuar tre persona.

Në mesin e të arrestuarve mësohet se është prokurorja Vahide Badivuku, nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, si dhe dy ndërmjetësues, ndërsa ndërmjetësuesi i tretë sipas një komunikate të Prokurorisë Speciale të Kosovës gjendet në arrati.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale:

• “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 428, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;

• “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;

• “Ushtrimi i ndikimit”, sipas nenit 431, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E pandehura V.B., sië edhe thuhet në komunikatën e Specialës është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime.

V.B. ka kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro (njëzetedymijë euro) përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.

“Mbrëmë gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, është kontrolluar e pandehura V.B. dhe në çantën e saj janë gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.