Nju Jork: Mustafa e Thaçi po zhvillojnë takime të nivelit të lartë

0

Sot në Nju Jork, kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, si dhe shefin e delegacionit të Norvegjisë në punimet e AP të KB-ve, ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende.

Gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për prioritetet e Programit Qeveritar për zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke vlerësuar përkrahjen që Luksemburgu dhe Norvegjia kanë dhënë deri më tani, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejshme për zhvillimin ekonomik si dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, me prioritet të veçantë në UNESCO dhe INTERPOL, si dhe agjendën integruese evropiane.

Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për proceset integruese evropiane, duke bërë të ditur se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe se pret finalizimin e këtyre proceseve.

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimeve, po ashtu ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral me Luksemburgun dhe me Norvegjinë.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Republikën e Kosovës.

Kryeministri Bettel po ashtu theksoi përkrahjen e Luksemburgut për proceset integruese të Kosovës si dhe ka shprehur vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Edhe ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Borge Brende, gjatë takimit ka theksuar përkrahjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Kryeministri Isa Mustafa, po qëndron në Nju Jork, ku është ftuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, që të marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të mbahet më 29 shtator.

Kryeministri Mustafa, me delegacionin qeveritar, do të zhvillojë takime me liderë të shteteve të ndryshme të botës si dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e rajonale.

 

mustafa2

Markusz: Kosova është afër liberalizimit të vizave(VIDEO)

0

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, tha se mbi 24 mijë kosovarë kërkuan azil në Hungari. Thotë se Kosova është afër të hyjë në zonën shengen, duke u mundësuar qytetarëve të lëvizin pa viza. Ambasadori hungarez kërkoi të rritet bashkëpunimi ekonomik mes të dyja vendeve, duke forcuar edhe në rritjen ekonomike të Kosovës./21 Media

Clinton: “Fakti që Kosova ka një Presidente, tregon shumë për progresin që Kosova ka arritur"

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në ditën e parë të vizitës së saj në Nju Jork, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë sot në hapjen e takimit vjetor të Clinton Global Initiative në Nju Jork.

Siç njofton zyra e saj, presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në pritjen e veçantë të Presidentit Bill Clinton për liderët e shteteve dhe të qeverive nga shumica e shteteve të botës.

Në fjalimin e tij që shpalli të hapur punimet e Iniciativës, Presidenti Clinton spikati edhe përparimin e Republikës së Kosovës, duke thënë se “fakti që Kosova ka një Presidente grua të re, tregon shumë për progresin që Kosova ka arritur”.

Presidentja Jahjaga është laureate e çmimit për lidership publik të Clinton Global Inititative, i cili i është ndarë vitin e kaluar.

Takimi i Clinton Global Initiative tubon këtë vit shumë liderë shtetesh dhe qindra udhëheqës ekzekutiv botëror për të diskutuar sfidat globale dhe ndërtimin e partneriteteve për të bëre ndryshime pozitive sociale. Kjo iniciativë këtë vit i kushtohet “Ndikimit të së ardhmes”.

jahjaga2

Ekspertët: Politika ka ngulfatur ekonominë

0

Prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës thuhet se mbetet zhvillimi ekonomik, por që ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se politika në realitet dominon dhe sundon në aspektin negativ ekonominë.

Detyra kryesore e shtetit në raport me ekonominë, në çdo vend të zhvilluar, është krijimi dhe miratimi i ligjeve, mbi të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se pikërisht neglizhenca e politikës ka bërë që Kosova mos të ketë politika makro- ekonomike, strategji zhvillimore dhe vizion të qartë.

Kjo sipas tij, ka sjellë vendin në një krizë ekonomike.

“Faktikisht ne nuk mund të flasim për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ne mund të flasim për moszhvillimin,përkatësisht unë do të thosha për shkatërrimin e ekonomisë se Kosovës“.

“Prandaj, me përgjegjësi të plotë profesionale, them se pas përfundimit të luftës, në vend që rrjedhat ekonomike të ecin me trendët pozitive, për fat të keq, ne kemi trende negative. Kemi sjellë ekonominë e Kosovës para një krize shumë të thellë, e kemi futur në një rrugë pa rrugë”, tha Limani

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, ndërkaq theksojnë se politika dhe ekonomia janë shtyllat kryesore për funksionimin e shtetit. Zhvillimet e caktuara ekonomike kanë ndikime të rëndësishme edhe në zhvillimet politike.

Por, megjithatë Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, thekson se duke marrë për bazë problemet me të cilat përballet sektori privat në Kosovë, lë të kuptohet se politika nuk e ka përfunduar si duhet punën e vet.

“Unë mendoj se vetë fakti se ka korrupsion, ka burokraci, të gjitha hallet dhe telashet që paraqet biznesi çdo ditë, nënkupton se këtu çalon diçka“.

“Do të thotë se politika nuk e ka bërë punën e vet ashtu siç duhet edhe në bazë të saj edhe ekonomia çalon. Ka vështirësi, ka punë shumë për të bërë. Politika duhet të jetë shumë e qartë të bëjë punën e vet, pastaj ekonomia lirshëm mund të zhvillohet”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Por, Musa Limani, shprehet se përveç nivelit të lartë të korrupsionit, nepotizmit, si faktorë kryesorë që kanë shkatërruar ekonominë, në rrethana të caktuara tregu i lirë në Kosovë nuk arrin të funksionojë në mënyrë të duhur, pikërisht për shkak të aktiviteteve ekonomike jo ligjore, për të cilat shteti duhet të ndërmarrë hapa për parandalim.

“Ekonomia joformale, krimi i organizuar, kontrabanda ekonomike, nuk mund të funksionojnë dhe të futen në një vend pa mbështetje institucionale. Prandaj, kjo tregon se këtu ekziston një dorë e zgjatur e shtetit. Kjo mund të luftohet, mirëpo shteti nuk është i interesuar”, thekson Limani.

Ekspertët e ekonomisë kanë shprehur shqetësimin për mungesë të interesimit të shtetit për përmirësimin e gjendjes së sektorit privat, konkretisht prodhimit.

Përkeqësimi i marrëdhënieve NATO-Rusi, mund të jetë proces afatgjatë

0

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se përkeqësimi i marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë mund të jetë një proces afatgjatë, duke theksuar se për një kohë të caktuar kohore, dy palët nuk do të kenë marrëdhënie të partneritetit.

Perëndimi duhet te ketë parasysh se përkeqësimi i marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë mund të jetë një proces afatgjatë, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai tha se Perëndimi duhet të jetë i gatshëm për situatën e përkeqësimit afatgjatë të marrëdhënieve mes dy palëve dhe shtoi se aleanca po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të forcuar sigurinë e saj kolektive.
Stoltenberg bëri të qartë se aleanca domosdo duhet të merr një qëndrim, për ti bërë të qartë Rusisë se ajo më tepër do të përfitojë nga bashkëpunimi, se sa nga konfrontimi me NATO-n.
Sipas fjalëve të tij, marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë në të ardhmen e afërt nuk do të jeni siç kanë qenë gjatë Luftës së Ftohtë, por nuk do të jenë as marrëdhënie partneriteti.

Katalonia në udhëkryq, pavarësi apo mbetje në Spanjë?

0

Në rajonin më të zhvilluar të Spanjës, Kataloni, sot po zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin rajonal, të cilat po konsiderohen edhe si referendum për atë se a do të votojnë katalonasit për pavarësi, apo për mbetje në kuadër të Spanjës.
Katalonasit po votojnë sot në kuadër të zgjedhjeve për Parlamentin rajonal, në të cilat partitë nacionaliste po shpresojnë se do të sigurojnë mandatin për të nisur procesin e pavarësimit nga Spanja.
Dy parti separatiste të Katalonisë kanë bashkuar forcat, me synimin që të sigurojnë shumicën në Parlament, respektivisht 68 nga 135 ulëset. Këto parti theksojnë se kjo do të ju jepte atyre të drejtën që të shpallin në mënyrë të njëanshme pavarësinë brenda 18 muajve. Qeveria qendrore në Madrid ka paralajmëruar hapa gjyqësor për të bllokuar këto procese.
Hulumtimet kanë dëshmuar se pjesa më e madhe e katalonasve mbështesin organizimin e referendumit për pavarësi, por janë të përçarë në lidhje me atë se a duhet të mbetet Katalonia pjesë e Spanjës, apo duhet të pavarësohet.
Vendvotimet janë hapur në orën nëntë të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20.
Partia Konvergensia, e Presidentit të Katalonisë, Artur Mas dhe partia tjetër, Eskera Republikana, kanë formuar listën e përbashkët më emrin “Së bashku për po”. Këto dy parti kanë deklaruar se zgjedhjet e sotme janë një de fakto referendum për pavarësi.
Qeveria në Madrid, e kryesuar nga kryeministri Mariano Rahoj, planet e Katalonisë për shkëputje i ka cilësuar si gjepura.
Nëse lëvizja “Së bashku për po” nuk siguron shumicën në parlament pas zgjedhjeve të sotme, atëherë do të ishte kjo një humbje e madhe për lëvizjen për pavarësinë e Katalonisë./ 21 Media

Mekë: Rritet në 769 numri i të vdekurve

0

Autoritetet në Arabinë Saudite ka njoftuar se numri i pelegrinëve të vdekur, si pasojë e tragjedisë e cila ndodhi të enjten në Mekë, është ngritur në 769, ndërsa Irani ka ngritur akuza të rënda në adresë të Riadit dhe ka kërkuar që tragjedia të hetohet si krim.
Numri i viktimave të pelegrinazhit të përvitshëm në haxh, i cili ndodhi në Mina, pesë kilometra larg qytetit të shenjtë mysliman të Mekës, është ngritur në 769, kanë njoftuar autoritetet e Arabisë Saudite. Irani, nga i cili vend janë shumica e pelegrinëve të vdekur, ka kërkuar që zyrtarët arabë të paditen në gjykatën ndërkombëtare, për atë që ata e quajtën ngjarje kriminale.
Fatkeqësia më e keqe që ka prekur ngjarjen më të rëndësishëm të fesë islame gjatë çerekshekullit të fundit ndodhi pikërisht ditën e enjte, kur dy grupe të mëdha pelegrinësh mbërritën në të njëjtën kohë në kryqëzimet e Minas, vetëm pak kilometra larg qytetit të shenjtë.
Autoritetet saudite sot kumtuan se numri i të vdekurve ka arritur në 769, ndërsa 934 besimtarë tjerë janë lënduar.
Irani ka njoftuar se në mesin e të vdekurve janë 136 shtetas iranianë, ndërsa mbi 300 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.
Kryeprokurori i Iranit, Ebraihim Raisi, deklaroi se Irani do të nxitë gjykatat ndërkombëtare dhe qarqet më të larta për të nisur hetimet ndaj sauditëve, për siç tha krimet që ata kanë kryera kundër pelegrinëve./ 21 Media

Komuna e Junikut e pakënaqur me buxhetin(VIDEO)

0

Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuqi u shpreh i pakënaqur me buxhetin e vitit 2016 që iu është ndarë kësaj komune. Sipas tij ndarja e buxhetit me vetëm 77 mijë euro ka qenë e njëanshme, subjektive dhe aspak e drejtë. Gjatë një konferencë për medie në Prishtinë, kryetari i Junikut tha se do të reagojnë deri sa Qeveria ta ndryshojë këtë vendim./ 21 Media

Mustafa: Nëse është bërë ndonjë gabim në buxhetin për Junikun, dikush duhet të japë përgjegjësi

0

Në lidhje me reagimin e kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, se Qeveria ka ndarë buxhet diskriminues për komunën e tij, veç reagimit të ministrit të Financave, Avdullah Hoti, ka reaguar edhe kryeministri Isa Mustafa.

Në një postim të tijin në Facebook, Mustafa thotë se qeveria zbaton kritere të njëjta për të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët.

“Nuk ka asnjë arsye që një komunë, në këtë rast Juniku, të ndihet e diskriminuar. Nëse del se rregulla nuk është zbatuar si duhet, ajo do të zbatohet, ndërkaq ata që mos ta kenë zbatuar duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë mes tjerash Mustafa, raporton Koha.net.

Ai thekson se nuk mund të ketë dallime të tilla te granti i përgjithshëm për kokë banori ndërmjet komunave, edhe përkundër zbatimit edhe të kritereve tjera, përveç numrit të banoreve.

“Ministria përkatëse dhe Departamenti i buxhetit të komunave do të jap shpjegim konkret lidhur me zbatimin e kritereve”, ka përfunduar kryeministri Mustafa.

Ndërkaq, i pakënaqur me ndarjen buxhetore për vitin 2016 që iu bë nga niveli qendror, kryetari i Junikut Agron Kuçi ka thënë se komuna e tij u diskriminua sidomos tek investimet kapitale.

Duke bërë krahasimin me komunat tjera, kryetari i Junikut ka thënë se komuna që ai drejton ka më së paku mjete të ndara për kokë banori, me rreth 12 euro, në krahasim me komunat tjera të cilat kanë më pak banorë se Juniku.

Markusz: Kosova është afër liberalizimit të vizave(VIDEO)

0

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, tha se mbi 24 mijë kosovarë kërkuan azil në Hungari. Thotë se Kosova është afër të hyjë në zonën shengen, duke u mundësuar qytetarëve të lëvizin pa viza. Ambasadori hungarez kërkoi të rritet bashkëpunimi ekonomik mes të dyja vendeve, duke forcuar edhe në rritjen ekonomike të Kosovës./21 Media