BILALL KASAMI: “SOT KISHIM MUNDËSI TË TREGOJMË SE JEMI TË GATSHËM TË JEMI PJESË E FAMILJES EVROPIANE”

0

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pasi votoi në një prononcim për media tha se sot qytetarët e Maqedonisë kanë një mundësi të art për të treguar se jemi të gatshëm të jemi pjesë e familjes Evropiane.

“Qytetarët e Maqedonisë sot kishin një mundësi të shkëlqyer që të tregojnë se janë të shkëputur nga mendësia e cila na është servuar  për 40 vite e më shumë në monizëm dhe gati 30 vite në demokraci se vetëm dikush apo përfaqësuesi i një komuniteti mund të jetë president i këtij vendi. Pra sot kemi një mundësi të art që të tregojmë se jemi të gatshëm të jemi pjesë e familjes evropiane aty ku Maqedonia këtë vite duhet ti hapë negociatat  dhe të jetë përfundimisht anëtare e 30 e NATO-s”, potencoi Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

ZIJADIN SELA: “PRES QË QYTETARËT TË TREGOJNË VETËDIJE TË LARTË”

0

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se sot duhet të votohet për shtet ligjor dhe për të gjithë.

“Pres që qytetarët të tregojnë vetëdije të lartë, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës të votojnë për një shoqëri më të mirë, për një shtet të drejtë, ligjor dhe një shtet për të gjithë dhe për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë”, deklaroi Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

GORDANA SILJANOSKA: “DUHET TË DËSHMOJMË KAPACITET EVROPIAN-REFORMUES”

0

Gordana Siljanovska-Davkova ,kandidate për presidente votoi në Shkollën Fillore, “Kole Nedellkovski”. Ajo tha se në këto zgjedhje duhet të dëshmojmë kapacitetin evropian.

“Këto janë zgjedhje të veçanta, jo për shkak se unë jam kandidate për president dhe jo për shkak se një grua ka mundësi për herë të parë të jetë Presidente, por për shkak të kushtit, përkatësisht ne duhet të dëshmojmë kapacitetin evropian-reformues, me zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kjo nuk është diçka shumë e zakonshme në shekullin XXI”, potencoi Kandidatja për President, Gordana Siljanovska Davkova.

HRISTIJAN MICKOSKI: “QYTETARËT DUHET TË JENË TË ZËSHËM”

0

Hristian Mickoski, kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE  të drejtën e votës e shfrytëzoi sot në SHF “Dimo Haxhi Dimov” në lagjen Vllae.

“Sot është një ditë kur qytetarët duhet të jenë të zëshëm, duhet me fletën dhe stilolapsin në dorë, prapa kutisë së votimit të dalin në mënyrë masovike dhe të vendosin që njëherë e përgjithmonë të mposhten padrejtësitë në Republikën e Maqedonisë, të fitojë drejtësia. Qytetarët duhet të jenë të zëshëm kundër gënjeshtrave, korrupsionit, mos-sundimit të së drejtës, mungesës së demokracisë në vend dhe politikanëve të pandershëm, kundrejt ndershmërisë, sinqeritetit dhe principeve. Atë që e pres unë sot, është të kemi një ditë të bukur demokratike”, u shpreh Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

PENDAROVSKI PASI VOTOI, “PRES ZGJEDHJE DEMOKRATIKE”

0

Stevo Pendarovski, kandidat për president tha se pret zgjedhje të qeta, ashtu siç i ngjan një shteti demokratik. Pendarovski votoi në vendvotimin 2489 në Autokomandë.

“Pres të kemi një ditë të qetë zgjedhore, ashtu siç i ngjan një shteti demokratik evropian. Pres të ketë dalje të madhe, sepse qytetarët e dinë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje individuale, por për zgjedhje të një koncepti, sipas të cilit Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe për një afat sa më të shkurt të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike”, theksoi Kandidati për President, Stevo Pendarovski.

ZAEV NGA STRUMICA, VOTA, KYÇE PËR TË SJELLË NDRYSHIME

0

Kryeministri Zoran Zaev votoi në Strumicë. Ai tha se votimi është obligim dhe e drejtë e çdo qytetari dhe është i rëndësishëm  për të sjellë vendime të rëndësishme.

“Si qytetar i Maqedonisë, dola dhe votova. Çdo ditë e tillë, e votimit është e bukur dhe e rëndësishme, kur qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe demokratike, sjellin vendime të rëndësishme për vendin e tyre. Vota është nder, e drejtë dhe obligim qytetarë. Pres që sot të gjithë qytetarët tanë të zgjedhin presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga të gjithë ne pritet përgjegjësi serioze nëse arrijmë dy gjëra: Në mënyrë të suksesshme zgjedhim presidentin e shtetit dhe President që do të na çojë përpara”, deklaroi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

KREU I KUVENDIT, TALAT XHAFERI, E DREJTA E VOTËS E GARANTUAR PËR ÇDO QYTETARË

0

Talat Xhaferi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, votoi në fshatin e tij në Forinë. Këtë radhë ishte në listën zgjedhore sepse siç tha ai e kishte kontrolluar listën paraprakisht sepse siç dihet në referendum nuk ishte në listë.

“E drejta e votës është e drejtë e garantuar e çdo njëri qytetarë , çdonjëri duhet në formë të lirë të drejtpërdrejtë të shfrytëzoj mundësinë dhe të drejtën e vet që të zgjedh dhe të mund të jetë i zgjedhur. Është çështjen për të cilën duhet të vendoset për një nga institucionet shtetërore në vend që të mund të kemi sistem stabil dhe funksional”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

BLERIM REKA,“SOT PO HAPET NJË FAQE E RE PËR VENDIN”

0

Kandidati për president Blerim Reka, të drejtën e votës e realizoi në Shkollën fillore “Zhivko Brajkovski”  në Butel. Ai tha se kjo është një ditë që hap një faqe të re për Maqedoninë në raport me Bashkimin Evropian.

“Sot është një ditë e madhe e shkëlqyeshme jo vetëm me diell po unë shpresoj se kjo ditë është paralajmërim edhe për një faqe të re për historinë e Maqedonisë në raport me Bashkimin Evropian. Jam I bindur se këto zgjedhje do të jenë të rregullta, fer, demokratike dhe të lira dhe më këtë do të dëshmojmë se jemi të përgatitur për fillimin e negociatave për anëtarësim ne BE”, tha Blerim Reka, Kandidat për President.

KREU I BDI-së, ALI AHMETI “ME RËNDËSI ËSHTË QË PROCESI TË JETË I PRANUESHËM”

0

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ,tha se pret që këto zgjedhje të një ndihmë që të afrohemi sa më afër qëllimeve drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Uroj që këto zgjedhje të jenë të lira sipas gjitha standardeve. Uroj që këto zgjedhje të na shërbejnë më afër qëllimeve tona strategjike drejtë anëtarësimi të vendit në BE dhe përmbylljes me sukses të anëtarësimit të plotë të vendit tonë në NATO. Më rëndësi është që procesi të jetë i ndershëm dhe palët të pranojnë rezultatin”, tha Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

I NDJERI NË LIST VOTUESE PËR DY VJET ME RADHË

0

Një grua sot u ankua se burri i saj I ndjerë, ende gjendet në listën votuese, ndonëse ka ndërruar jetë para dy vitesh. Kjo ndodhi në vendvotimin 2489, të Avtokomandës. Në këtë vendvotim votojnë gjithsej 690 votues. Ndryshe në komunën e Gazi Babës deri në ora 10 drejt kutive janë drejtuar vetëm 8% e numrit të paraparë. Në këtë komunë të drejtë vote kanë 61 402 persona, në 92 vendbanime, kurse deri në orën 17:30 kanë dalë të votojnë 22.541 qytetarë, apo 36%.

“Po ankohem sepse në listën zgjedhore, u gjend edhe im shoq, I cili ka ndërruar jetë tashmë dy vjet. Kjo më revoltoi aq shumë, për pak sa nuk u fjalosa me njerëzit atje, të cilët më thanë se ashtu e kanë të azhuruar listën. Pra lista e papastruar dhe nuk janë larguar njerëzit që kanë ndërruar jetë, por me emër, mbiemër dhe foto qëndrojnë në listë. Edhe vitin e kaluar ishte e njëjta gjë, për referendum. Edhe atëherë intervenova dhe prap nuk është hequr nga listavotuese”, u shpreh Ruzha Markoviq, qytetare.