Valmir Aziri, flet për koncertin e tenorit Shkodran Tolaj

0

Sekretari shtetëror në Ministrin e Kulturës Valmir Aziri vlerëson lartë koncertin e tenorit Shkodran Tolaj i cili ditë më parë u prezantua në kuadër të Verës Kulturore Tetovare në pallatin e Kulturës në Tetovë. Aziri thekson se ministria e Kulturës gjithmonë do t’i mbështesë manifestimet e këtilla.

Thaçi: 9 vjet më parë u vulos e drejta për vetëvendosje

0

9 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 9 vjet më parë shpalli vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Këtë vendim presidenti Hashim Thaçi e cilëson si fitoren më të madhe ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Thaçi tha se ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“U bënë nëntë vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi të drejtën tonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje. Ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, shkroi presidenti në Facebook.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e cilësoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës si historik. /21Media

Shkojnë të arrestojnë 36-vjeçarin, policët bëhen për spital nga shokët e tij

0

Arrestohen personat që goditën policët

Dy policë të patrullës në krye të detyrës janë goditur mbrëmjen e djeshme nga katër persona në një lokal afër Portit të Vlorës.

Uniformat blu shkuan të arrestojnë një 36-vjeçar të dyshuar për një vepër penale. Por në momentin që ata do bënin shoqërimin e shtetasit me iniciale A.C, kanë ndërhyrë për ti penguar shokët e tij, të cilët goditën punonjësit e policisë, duke i shkaktuar dëmtime në trup e kokë.

Policët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. “Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në një lokal afër Portit të Vlorës, punonjësit e Policisë kanë shkuar për të bërë shoqërimin e shtetasit A. C., 36 vjeç, për veprime të mëtejshme si i dyshuar për një vepër penale. Në momentin që punonjësit e policisë do kryenin shoqërimin e shtetasit A.C, kanë ndërhyrë për ti penguar shokët e këtij shtetasi të cilët kanë kundërshtuar me dhunë shoqërimin e shokut të tyre në Polici, duke dëmtuar fizikisht punonjësit e policisë të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën“, raporton policia.

Pas ngjarjes shërbimet policore në zonë janë përforcuar dhe janë ndaluar të katër personat që goditën policët.

Të arrestuarit janë A.D, D.M 25 vjeç, S.N 23 vjeç dhe K.M 22 vjeç, të gjithë banues në Vlorë./oranews

SHBA të zhgënjyer me Turqinë

0

Pompeo shpreh zhgënjimin në telefonatë me Cavusoglun

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka shprehur zhgënjimin e Shteteve të Bashkuara gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, lidhur me blerjen e sistemit ajror të mbrojtjes nga Rusia.

Komponentet e para të sistemit rus të mbrojtjes S-400 kanë arritur në Turqi ditë më parë, gjë që ka shkaktuar tensione midis dy aleatëve të NATO-s.

SHBA-ja dhe zyrtarët e NATO-s kanë kundërshtuar gjatë përfshirjen e Turqisë në blerjen e sistemit të mbrojtjes nga Rusia, duke e konsideruar të papërshtatshëm me sistemet ushtarake të Aleancës Veri-atlantike.

Uashingtoni kishte paralajmëruar se blerja e këtij sistemi pason sanksione si dhe bllokimin e blerjes së avionëve F-35 nga SHBA.

Pentagoni njoftoi se pjesëmarrja e Turqisë në programin e furnizimit me aeroplanë ushtarakë amerikanë F-35 është e pamundur, për shkak të instalimit të sistemit rus. Ligjvënësit në Uashington kanë thënë këtë javë se presidenti Donald Trump duhet të vendosë sanksionet duke u bazuar në ligjet e SHBA-së, dhe të ndëshkojë ata që bëjnë biznes me ushtrinë ruse.

Presidenti Donald Trump, tha javën e kaluar se ende nuk është e qartë nëse do të vendosen sanksione ndaj Turqisë dhe se gjendet në një situatë mjaft të vështirë./21Media

Të maskuar sulmojnë njerëzit në stacionin e trenit

0

Një person në gjendje të rëndë shëndetësore

Dhjetëra persona të maskuar dhe të armatosur me shkopinj kanë sulmuar një stacion treni në lagjen Yuen Long të Hong Kong-ut.

Videot dhe fotot e postuara në rrjetet sociale tregojnë meshkujt, të gjithë në bluza të bardha, duke sulmuar dhunshëm njerëzit në stacion dhe brenda trenave.

Sipas raportimeve të para, rreth 45 persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Ky sulm ndodhi pas tubimit të fundit pro-demokracisë në qendër të Hong Kongut, ku policia përdori gazin lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve.

Disa ligjvënës ngritën pyetjen pse policia ishte e ngadaltë për të arritur në vendin e ngjarjes.

Ligjvënësi Lam Cheuk-ting tha se policia ishte vonuar më shumë se një orë për të arritur.

“Hong Kongu ka një nga raportet më të larta të popullatës në botë,” tha një ligjvënës tjetër pro-demokraci, Ray Chan në një shkrim në Twitter. “Ku ishin ata?”

Policia të hënën tha se nuk kishin bërë asnjë arrestim, por ende po kryenin hetime.

https://twitter.com/i/status/1153002842145337346

 

Reeker këtë javë do të vizitojë Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut

0

Ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker, këtë javë do ta vizitojë Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku do të realizojë takime me përfaqësues të pushtetit, shoqërisë civile dhe bashkësisë së biznesit kumtoi Departamenti i shtetit.

Në Athinë Rikeri do të takohet me shefin e diplomacisë greke Nikos Dendias dhe me përfaqësues të tjerë qeveritar. Do të bisedohet për çështje kyçe në marrëdhëniet bilaterale siç janë, bashkëpunimi tregtar, investues, i sigurisë dhe mbrojtjes, stabiliteti rajonalë dhe energjetika. Ai do të marrë pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët me sipërmarrës dhe liderë biznesi. Rikeri do ta vizitojë edhe Selanikun ku do të takohet me autoritetet lokale dhe liderë biznesi, informojnë nga Departamenti i shtetit.

Në Shkup, megjithatë Filip Riker do të realizojë takime me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme  Nikolla Dimitrov dhe përfaqësues të tjerë qeveritar. Tema qendrore do të jenë çështjet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë Veriore drejtë anëtarësimit në BE dhe NATO. Ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë do të bisedojë edhe deputetë dhe me përfaqësues të opozitës, thuhet në kumtesën e Departamentit të shtetit.

Filip Riker i cili është ish-ambasador i SHBA-së në vend, për herë të fundit Shkupin e ka vizituar në mars të këtij vitit në cilësinë zëvendësit civil dhe këshilltarit politik të komandantit të Komandës evropiane të Forcave ushtarake të SHBA-së detyrë që e ka ushtruar para se të emërohet ndihmës sekretar shtetërorë për çështjet e evropës dhe euroazisë.

Riker para disa kohe në një intervistë për MIA-n në Uashington vlerësoi se Maqedonia e Veriut në periudhën e fundit ka punuar shkëlqyeshëm, dhe nuk duhet të lejohet vendi t’i nënshtrohet ndonjë destabilizimi me lojëra të panevojshme politike. Administrata e Uashingtonit është e bindur se Maqedonia e Veriut është në rrugën e vërtetë dhe se procesi duhet të shtyhet deri në fund me qëllim që vendi të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim të plotë në BE, ka theksuar Riker.

Sot Kosova përballet me Bahreinin

0

Botërori në hendboll U21 “Spanja 2019”

Botërori në hendboll U21 “Spanja 2019”
Në kuadër të xhiros së pestë të fundit të Grupi C, të Kampionatit Botëror në hendboll U21 “Spanja 2019”, sot prej orës 16:30 zhvillohet ndeshja Kosovë-Bahrein.
Kosova në katërt ndeshje ka pësuar po aq humbje dhe aktualisht zë pozitën e fundit në grup.
Ndeshja Kosovë-Bahrein transmetohet drejtpërdrejt në RTV21 Plus./21Media

United nuk do që Bale të përfshihet në marrëveshjen për Pogba

0

Manchester United nuk është i interesuar të ndihmojë Bale që të përfundojë makthin e tij te Reali

Manchester United nuk është i interesuar të ndihmojë Bale që të përfundojë makthin e tij te Reali
Trajneri i Realit, Zinedine Zidane nuk ia dha mundësinë uellsianit për të luajtur të shtunën kundër Bayernit sepse ai është shumë afër largimit.
Zidane kërkon që francezi Paul Pogba të transferohet këtë verë në “Santiago Bernabeu”.
“Djajtë e kuq”, kanë kërkuar nga “los blancos”, që të mos e përfshijnë Bale në marrëveshje për Pogban.
Trajneri i United, Ole Gunnar Solskjaer kërkon nga klubi që të këtë lojtarë të rinj në mënyrë që ata të luajnë edhe për shumë vite të tjera, prandaj kërkon që uellsiani të mos përfshihet në marrëveshje.
United do ta shesë Pogban vetëm nëse paguhet çmimi prej 170 milionë euro.

Ngritjet dhe rëniet e PPS-së, të gjithë ishin për Katica Janevën, çfarë ndodhi?

0

“Ju rregullisht do të jeni të informuar për zhvillimin e hetimeve dhe përmbajtjen që burojnë nga “bombat”. Përmes deputetëve ju vendosni që në krye të kësaj prokurorie të jem unë dhe kjo paraqet nderë. Drejtësia do të fitojë”, deklaroi Kkatica Janeva, Kryeprokurore Speciale.

Kjo ishte deklarata e parë e kryeprokurores speciale, Katica Janeva, e cila me konsensus nga të gjithë partitë politike që morën pjesë në Marrëveshjen e Përzhinos, nën ombrellë të euro-komisarit Johanes Han, u vendos që ajo të jetë në krye të Prokurorisë Speciale dhe u dakorduan zgjedhjet e parakohshme parlamentare si dhe formimi i Prokurorisë Publike Speciale, si produkt i krizës politike që eskaloi pas publikimit të të ashtuquajturave “bomba” të opozitës.

“Personi që u zgjodh, sipas informacioneve që i kam, bëhet fjalë për person që është profesionist i lartë dhe i cili ka trajnime ndërkombëtare në Amerikë, Itali dhe sipas CV-së së saj dhe asaj që deri më tani e ka arritur si përvojë, është e qartë se bëhet fjalë për person që është profesionist dhe i arsimuar. Ky person do ta ketë mbështetjen tonë të plotë dhe kushte për punë. Dëshirojmë që në mënyrën më transparente të kryej punën”, theksoi ish kryeministri, Nikolla Gruevski.

Edhe kryeministri aktual i cili atëherë ishte lider i opozitës, Zoran Zaev, nuk e fshehte kënaqësinë për zgjedhjet e parakohshme por edhe për formimin e PPS-së.

“PPS-ja është formuar me konsensus të të gjithë partive politike dhe deputetëve në Kuvend. Edhe kjo e ka qëllimin e vet dhe nevojën për funksionim për atë që është formuar. Unë jam i bindur dhe dua që ta mbarojë punën për atë që është formuar, që do të thotë të hulumtojë gjithçka nga përgjimi joligjor”, potencoi Zoran Zaev.

Kështu flisnin figurat kryesore politike, ndërsa qytetarët si asnjëherë më parë, nuk i besonin asnjë institucioni më shumë sesa PPS-së. Pikërisht Prokuroria Speciale gëzonte më shumë se 80% të besim të qytetarëve se drejtësia do të vijë në vend. Mbështetje e cila në disa momente prokurorët e Janevës i ngrite deri në piedestal. Nga protestat në rrugë e deri te printimi i bluzave. Thjeshtë “Charlie’s Angels” ishin heronjtë e drejtësisë. Filluan edhe konferencat e para për media ku prenzentoheshin rastet nga materialet e përgjuara. “Tifani”, “Tanku”, “Titanik 2”, “Trajektorja”, “Tarifa”, “Dhuna në komunën Qendër”, “Total”, “Toplik”, “Livadhishte”, radhiteshin lëndët. Gjithsej rreth 40 procese të pambaruara pas gati 4 viteve punë. Shpejtë mbaroi rasti “Tifani” ku gazetarja Ivona Talevska, pranoi fajin për fshehje të tatimit dhe mori dënim me kusht, me obligim që të kthej 27 mijë euro. Për blerjen e Mercedesit të blinduar, vetëm Gjoko Popovski është në burg. Gruevski u arratis në Budapest, Jankullovska fitoi prolongim të vuajtjes së dënimit me burg. Në fuqi është edhe vendimi gjyqësor për “Trust” ku u dënua biznesmeni Sead Koçan i cili duhej të shkojë në burg, por u sëmur. PPS-ja e humbi rastin me Llatasin dhe pushimoret e tija në Zelenikovë. Nga formimi deri më tani çdo vit buxheti i kësaj prokurorie rritej.

BUXHETI I PPS-së

2015 ————-220 mijë euro

2016 ————-2 milion euro

2017————-2,6 milion euro

2018————-3,1 milion euro

2019————-3,7 milion euro

Tani kur në opinion u zbulua rasti “Reket” për të cilin në paraburgim janë Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski – Kiçeec, ndërsa janë të dyshuar edhe disa persona të tjerë, mes të cilëve ekzistojnë edhe dyshime se është edhe kryeprokurorja speciale Katica Janeva dhe disa funksionarë të lartë partiak të LSDM-së, kryeministri Zaev doli me propozim dhe qëndrim të ri për PPS-së.

“Më nuk ka Katica Janeva dhe duhet ardhmëri për PPS-në”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ligji i ri për Prokurorinë Publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, është pranuar nga opozita, por propozimi që shefja aktuale Villma Ruskoska të jetë në krye të Prokurorisë së re është i papranueshëm.

Përgatiti: Lubisha Cvetkoski

PPS-ja e re, e papranueshme për opozitën, të martën do të gjendet para deputetëve në kuvend

0

Prej nesër, ligji i ri për Prokurorinë publike duhet të gjendet në seancë plenare para deputetëve në Kuvend. Me këtë ligj PPS-ja do të integrohet në prokurorinë aktuale për krim të organizuar dhe korrupsion, por me kompetenca të zgjeruara.

“Të martën, Qeveria ligjin do ta dërgojë në Kuvend. Presim që deputetët t’i tregojnë qëndrimet e tyre në Kuvend, ndërsa nëse kanë vërejtje, të dorëzojnë amendamente. Mbështetja e dy të tretave duhet të sigurohet në Kuvend”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Opozita e pranoi propozimin e Qeverisë për integrimin e PPS-së në Prokurorinë publike, por nuk pranon që me të njëjtën të udhëheqë prokurorja Villma Ruskoska.

“Këtë ligj e propozoi Zoran Zaev, e dimë se Zoran Zaev për momentin është qenia më kriminele që po përpiqet të shpëtojë veten. Duhet të lexohet me vëmendje për të parë të gjitha qëllimet e fshehta për të shpëtuar veten. Gjatë ditëve në vijim do të dalim me qëndrim përfundimtar në lidhje me këtë ligj”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Nga partia në pushtet, LSDM-ja, thanë se me ligjin e propozuar kanë treguar se për ta, lufta kundër krimit nuk njeh përkatësi partiake.

“LSDM-ja tregoi se për ne krimi nuk njeh ngjyra partiake. Teksti i propozuar për Ligjin për prokurorinë publike është edhe një  vërtetim për këtë. Do të ketë përgjegjësi për këto lëndë. Nuk ka mbrojtje nga krimi i Nikolla Gruevskit dhe regjimit të tij. Secili që e ka shkelur ligjin do të ballafaqohet me drejtësinë”, thonë nga LSDM-ja.

PPS-ja e re do të riemërohet në Prokurorinë publike për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë me kompetenca në tërë territorin e vendit dhe garanci për veprim të pavarur, që përputhet me pozitën aktuale, ndërsa në hierarkinë dhe subordinimin  të Prokurorisë publike të RMV-së.

Të gjithë prokurorët e PPS-së do të vazhdojnë të punojnë në këtë prokurori të re. Mandati i tyre skadon më 15 shtator, me të drejtë për rizgjedhje nëse duan të kandidohen.

Përgatiti: Jovica Paunoski