Ligji për Prokurorinë Publike pasi të marrë dritë jeshile, nga seanca qeveritare do të hyjë në procedurë parlamentare. Debati rreth ligjit të ri duhet të fillojë nga e hëna, për çka kryeparlamentari Talat Xhaferi, pas brifingun e sotëm me gazetarët, konfirmoi se nëse e pranon ligjin, do të thërrasë seancë në afat sa më të shkurtër.
“Nëse arrin sot, eventualisht nesër, mund të them se 29 korriku është dita kur mund të thirret seancë për ta shqyrtuar propozim-ligjin. Nëse arrin sot apo nesër, nëse jo, atëherë do të ndodhë pas pushimeve”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Për Ligjin e ri për Prokurori Publike është biseduar edhe në takimin mes Xhaferit dhe ambasadores së re të SHBA-ve, Kejt Bërns. Ajo ka treguar interes për ligjin në fjalë dhe ka pyetur nëse ka mundësi që i njëjti të sillet deri më 15 shtator. Xhaferi i ka përgjigjur se nëse arrihet marrëveshje mes partive politike, ligji mund të sillet edhe më herët. Dhe pikërisht mungesa e konsensusit mes partive do të mund ta pengojë sjelljen e ligjit. Nga VMRO-DPMNE-ja ende nuk janë prononcuar rreth tekstit të ligjit, vetëm kanë bërë me dije se nuk pajtohen që Ruskoska të jetë në krye të prokurorisë. Nga LSDM-ja porosisin se ky ligj është i nevojshëm, kurse sa i takon Ruskoskës, thonë se ky është vendimi i tyre.
“Propozimi që prokurorja Vilma Ruskoska ta udhëheqë Prokurorinë e re për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë, ky nuk është vendimi i partive, por rrjedhë logjike e ngjarjeve. Presim që të gjithë deputetët, sidomos deputetët e VMRO-DPMNE-së ta përkrahin këtë vendim ligjor”, tha Snezhana Kalleska Vançeva nga LSDM.
Nga BDI-ja, dje deklaruan se ky vendim ligjor është baza e mirë për kompromis mes partive. Besa kërkon që prokurori të jetë shqiptar, kurse nga Aleanca për shqiptarët konsiderojnë se prokurori i ri duhet të vijë nga ndonjë vend i BE-së. Për sjelljen e ligjit duhet të arrihet konsensus i gjerë nga partitë, sepse për votimin e tij nevojitet shumicë prej 2/3.
Përgatiti: Svetllana Unkovska

