Edhe pse disa prej tyre punojnë nga 24 orë, deri më tani Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për ta shpërblyer punën dhe mundin e të punësuarve në shëndetësi, të cilët me vetësakrificën e tyre kanë kontribuuar në drejtim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve nga koronavirusi. Mjekët konsiderojnë se duhet të ketë bonuse për ata që nga dita e parë e pandemisë janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën kundër epidemisë Kovid-19.
Marija Filipoviq-Stojanoska ISHP Dr.Roza – Tetovë:
“Pasi që filluam me pajisje minimale mbrojtëse dhe nga xhepi ynë dhamë mjete për ta siguruar mbrojtjen tonë gjatë punës, kërkojmë që në këtë pjesë Ministria të përfshihet dhe të na mundësojë më shumë pajisje mbrojtëse apo kompensim për ato të holla që i kemi dhënë nga xhepi ynë. Bonuse më të larta duhet të marrin të punësuarit në Klinikën Infektive dhe ne”.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot paralajmëroi se planifikohet një rritje, si shpërblim për punëtorët shëndetësorë dhe se për momentin po shqyrtohen mundësitë buxhetore për këtë.
Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë:
-“Planifikojmë shpërblim me një shumë të caktuar dhe kompensim për të gjithë mjekët dhe infermieret që gjatë periudhës së kaluar kanë punuar me këta pacientë”.
Bonus për të punësuarit në shëndetësi deri më tani kanë dhënë qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës.
